Prof. Dr. Ilia Telo: Dritëhijet e minimumit jetik

689
Sigal

 

Minimumi jetik duhet të
hartohet nga organet shtetërore dhe bota akademike

Për treguesin e
rëndësishëm të minimumit jetik përdoren terma të ndryshëm si “Niveli zyrtar i
varfërisë, minimumi i ekzistencës, pragu i varfërisë, metri i varfërisë,
minimumi jetik etj”. Pavarësisht nga emërtimet ato kanë një gjë të përbashkët:
Në popullsinë e varfër përfshihen personat që me të ardhurat që sigurojnë nuk
mund të bëjnë një jetë normale. Ata janë të detyruar të ushqehen keq, të vishen
jo mirë, të jetojnë në kushte jo të mira dhe të mos shijojnë ato që u pëlqejnë.
Përsa i përket përmbajtjes së treguesit të minimumit jetik, po i referohemi
Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Sipas këtij fjalori minimumi jetik “është shuma
e parave që duhet të zotërojë çdo person për të përballuar nevojat minimale
bazë të mbijetese së tij si qenie shoqërore”. Gjatë regjimit të kaluar, në
vendin tonë minimumi jetik për një të punësuar ishte caktuar në mënyrë arbitrare
450 lekë në muaj, aq sa ishte dhe paga minimale mujore në sektorin shtetëror.
Sigurisht, ky tregues u caktua nga partia dhe shteti pa u konsultuar dhe pa
marrë mendimin e specialistëve dhe të akademikeve. Sipas kësaj shume të
përgjithshme, specialistët duhet të përcaktonin elementet përbërës të minimumit
jetik si ushqime, veshmbathje etj. Në bazë të këtij përcaktimi arbitrar dilte
që në vendin tonë nuk kishte fare popullsi të varfër. Absurditeti arriti kulmin
që në shtetin më të varfër të Evropës nuk kishte të varfër, në një kohë që në
vendet e tjera (duke përfshirë dhe SHBA) pranohej dhe pranohet që 15-25 % e
popullsisë është e varfër. Në vendet e prapambetura (ku përfshihet edhe vendi
ynë), treguesi i minimumit jetik duhet të llogaritet me metodën analitike.

Cili është thelbi i
metodës analitike për llogaritjen e minimumit jetik?

Thelbi i kësaj metode
qëndron në faktin që treguesi i minimumit jetik të përcaktohet sipas
llogaritjeve analitike, me qëllim që të plotësohen nevojat e njerëzve për këto
grupe shpenzimesh: 1. Shpenzime për artikuj ushqimor; 2. Shpenzime për artikuj
të veshmbathjes;          3. Shpenzime për
pajisje dhe orendi shtëpiake; dhe   4.
Shpenzime të tjera. Shpenzimet për artikujt ushqimorë në vendet e varfëra zënë
pjesën kryesore të shpenzimeve të minimumit jetik. Përcaktimi i këtyre
shpenzimeve bëhet në mënyrë shkencore, në bazë të këtyre parametrave
orientuese: Nevojat ditore për kalori për një person që kërkon punë është
2500-2700 kalori. Këto duhet të kenë përbërje të tillë që të sigurohen dhe
raporte optimale midis proteinave, yndyrnave dhe karbohidrateve. Jo vetëm kaq,
duhet të caktohen edhe raporte optimale mbi origjinën e proteinave dhe
karbohidrateve. Pjesa me e madhe, rreth 60% duhet të kenë origjinë shtazore dhe
rreth 40% origjinë bimore. Sipas rekomandimeve nevojat për kalori duhet të
mbulohen si vijon: 1. Nga proteinat 12-15 %; 2. Nga yndyrnat 25-30 % dhe 3. Nga
karbohidratet 55-60 %. Pikërisht, nisur nga raportet optimale të shënuara me
sipër, duke marrë parasysh dhe traditën kombëtare në konsumin e produkteve të
ndryshme ushqimore, dietologët përcaktojnë një racion ushqimor ditor dhe, mbi
këtë bazë një racion mujor. Mbi bazën e të dhënave ne matës natyral sipas
çmimeve të tregut të gjitha këto shpenzime llogariten në vleftë dhe në këtë
mënyrë përcaktohet vlefta e elementit kryesor të minimumit jetik, që janë
shpenzimet për artikuj ushqimorë. Në vitet 1989-1990, me urdhër të qeverisë së
atëhershme u krijua një grup studimi për përcaktimin e treguesit të minimumit
jetik. Unë u caktova anëtar në këtë grup studimi, sepse ne atë kohë isha
specialist në Institutin e Studimeve Ekonomike. Në grupin e studimit bënin
pjesë shumë specialistë të fushave të ndryshme, duke përfshirë në radhë të parë
dietologë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë. Studimi u bë, por rezultatet e
tij nuk u shpallqn. Në vitet e mëvonshme unë u caktova drejtor në Institutin e
Punës të BSPSH.

Mbrojtja e interesave
ekonomike dhe sociale e shtresave të varfëra

Dihet se detyra
kryesore e sindikatave është mbrojtja e interesave ekonomike dhe sociale e
punonjësve dhe e shtresave të varfëra të shoqërisë. Mirëpo sa është popullsia e
varfër dhe cila është struktura e saj? Për llogaritjen e popullsisë së varfër
duhet të përcaktohet më parë metri i varfërisë (ose minimumi jetik). Organizata
jonë sindikale u ka kërkuar vazhdimisht qeverive për studimin, llogaritjen dhe
shpalljen e minimumit jetik. Për këtë kemi patur dhe mbështetjen e Sindikatave
Evropiane (sidomos të Institutit të Punës) dhe të organizmave ndërkombëtarë, në
mënyrë të veçantë të Organizatës Botërore të Punës (ILO). Presioni i
sindikatave dhe marrëveshjet që ato kishin me qeveritë, detyruan qeverinë e
cila në 2001 krijoi një grup të zgjeruar studimi, i cili realizoi studimin për
minimumin (në këtë grup merrnin pjesë punonjës nga dikastere të ndryshme nga
Instituti i Shëndetit Publik, nga sindikatat, nga bota akademike etj. Në
përbërjen e tij kishte sigurisht dhe dietologë). Edhe ky studim nuk është
shpallur nga qeveria e atëhershme dhe qeveritë e mëvonshme. Instituti i Punës i
BSPSH dhe Shoqata Shqiptare e Demografëve, gjatë gjithë periudhës janë marrë
shumë me treguesin e minimumit jetik. Me sponsorizimin e Zyrës se OKB në Tiranë
(UNFPA), kemi botuar librin “Mirëqenia dhe Minimumi Jetik” dhe me sponsorizimin
e Sindikatave Evropiane libri u përkthye edhe në anglisht; anëtarët e shoqatës
sonë botuan librin “Shteti i Mirëqenies Sociale”; me sponsorizimin e
sindikatave të Danimarkës kemi botuar disa studime si “Paga minimale”, “Të
ardhurat nomimale dhe reale të popullsisë”, etj. Në revistën shkencore “Demografia”
janë botuar shumë artikuj për minimumin jetik, shumë artikuj janë botuar
gjithashtu në shtypin e përditshëm, anëtaret e shoqatës sonë në sesione dhe
konferenca shkencore, brenda dhe jashrte shtetit kanë mbajtur referate dhe
kumtesa për minimumin jetik dhe varfërinë në vendin tonë. Kemi marrë pjesë
gjithashtu edhe në debatet televizive për varfërinë dhe metrin e saj (minimumin
jetik). Instituti i Punës i BSPSH pothuajse çdo vit ka rillogaritur treguesin e
minimumit jetik duke bërë indeksimin e elementeve përbërëse të tij me indeksin
e çmimeve me pakicë dhe tarifën e shërbimeve për popullsinë. Rritja e çmimeve
me pakicë dhe tarifa e shërbimeve, patjetër çojnë në rritjen e treguesve të
minimumit jetik. Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka
realizuar disa aktivitete me ekspertët e fushës (në disa prej këtyre isha ftuar
edhe unë) dhe një debat televiziv në “News 24”. Në këtë takim moderatorja
kërkoi nga unë se sa është minimumi jetik aktualisht në vendin tonë, sipas
studimit që kishim realizuar ne si shoqatë. Unë u përgjgja se “Sipas
përllogaritjeve që kemi bërë ne, aktualisht treguesi i minimumit jetik për
frymë është 16 mijë lekë në muaj, por studimi nuk është i imi, por i një grupi
të madh specialistësh dhe është bërë kohë më parë”. Më 25 Shtator 2015, nga 193
shtete anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB miratuan zyrtarisht
programin për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030… Programi përbëhet nga 17
objektiva dhe 169 masa për të zhdukur varfërinë, për të luftuar pabarazinë në
15 vitet e ardhshme. Mirëpo këto objektiva të rëndësishme nuk muk mund të
parashikohen dhe të realizohen pa caktuar më parë metrin zyrtar të varfërisë.
Ndoshta është kjo arsyeja që Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar
kryerjen e studimit për Minimumin Jetik. Kjo detyrë e vështirë i është ngarkuar
për ta kryer Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Dhe në përfundim, qendra
ka paraqitur një studim. Unë e studiova me vëmendjen materialin prej 86 faqesh.
Brenda një periudhe të shkurtër është bërë një pune voluminoze, ku janë
përdorur 117 burime literature dhe në material jepen 150 referime. Më vjen mirë
që sipas këtij studimi treguesi i minimumit jetik për frymë të popullsisë jepet
16 mijë lek, aq sa është shpallur publikisht nga ana ime në takimet që janë
organizuar. Studimi i paraqitur bën një analizë të hollësishme të treguesve të
varfërisë në përgjithësi dhe në vende të ndryshme dhe shërben për njohjen e
këtij problemi.

Për materialin e
paraqitur kam këto sugjerime

– Në materialin e
paraqitur (pika 5) prej 12 faqesh ka nëntitullin  “Përllogaritja e minimumit jetik në
Shqipëri”, pra kjo është shumë pak nisur nga qëllimi i studimit. Në material,
llogaritja e nevojave për artikuj ushqimorë është bërë sipas nevojave me 2288
kalori, ndërsa në studimet që janë bërë në vitet 1989-1990 dhe në vitin 2001,
sipas sugjerimeve të Institutit të Shëndetit Publik janë marrë 2850 kalori. Për
përcaktimin e nevojave për kalori duhet të merren parasysh kërkesat për një
njeri që punon. Pikërisht mbi këtë bazë llogaritet minimumi jetik për një të
punësuar dhe krahasohet pastaj me pagën minimale. Sipas dietologeve vetëm
metabolizmi bazal kërkon 1700 kalori në ditë dhe për një njeri që bën punë
fizike të lehtë duhen 2926 kalori (shiko librin “Shëndeti”, faqe 127).  Në studimin që është bërë nga ne, kemi
pëcaktuar nevojat për proteinat, yndyrnat me origjinë bimore dhe shtazore,
karbohidratet, vitaminat etj, ndërsa në studimin e paraqitur nga QSHKE këto
llogaritje analitike mungojnë. Llogaritja e nevojave për artikuj jo ushqimorë
ne e kemi bërë në mënyrë analitike për artikujt e veshmbathjes, të pajisjeve
dhe orendive shtëpiake dhe shpenzimeve të tjera, ku përfshihet energjia
elektrike, uji, shpenzime transporti, shpenzimet për arsim, shëndetësi etj.  Në faqen 12 të materialit në fjalë thuhet se
paga minimale në të ardhmen do rritet deri në përputhje të plotë me minimumin
jetik për të punësuar. Kjo gjë nuk arrihet, sepse vetë minimumi jetik do rritet
nga inflacioni dhe nga rritja e kërkesave. Në një tabelë në faqen 36 të
materialit në fjalë krahasohet minimumi jetik për frymë me pagen minimale. Ky
krahasim nuk ka kuptim, sepse duhet të krahasohet paga minimale me minimumin
jetik për një të punësuar. Si përfundim, mendoj se studimet që janë bërë në
vitet 1989 dhe 2001 janë më të argumentuara, sepse në përgatitjen e tyre kanë
marrë pjesë ekspertë të dikastereve të ndryshme dhe për artikujt ushqimorë
specialistët e shëndetit publik. Sigurisht, qeveria nuk mund të marrë për bazë
një studim nga nga një qendër studimi private dhe të anashkalojë mendimin e
Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Institutit të Shëndetit Publik, të
partnerëve socialë (sindikatat dhe organizatat e punëdhënesve), specialistëve
nga bota akademike etj.