Ilir Meta: Për aleancat në qeveri do të vendosin forumet në dhjetor, ndërsa për postin e kryeministrit pyesni P. Spahiu

555
Sigal

Kryeparlamentari dhe kryetari i LSI u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në procesin e votimit në zgjedhjet e brendshme të LSI-së në qendrën e votimit të Njësisë administrative nr. 5. Pas përfundimit të votimit për Kryetarin e ri të LSI-së dhe për delegatët për në Konventën Kombëtare, e cila do të mbahet në datat 3-4 dhjetor, z. Meta dha dhe një prononcim për mediat. 

Kryetari i LSI-së theksoi se zgjedhjet brenda LSI-së janë një proces që rikonfirmojnë hapjen e partisë, i cili është një angazhim për ta çuar LSI-në në një stad të ri përmes pjesëmarrjes në votim. Meta theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e anëtarësisë në procesin e votimit, duke e konsideruar këtë si më të rëndësishme se sa rezultati. Prononcimi i plotë për median 

Z. Meta, për cilin kandidat keni votuar sot? 

Vota është e lirë, por u vonova pak. U mendova shumë, sepse nuk doja të hiqja asnjë emër tek lista e delegatëve të LRI-së, por isha i detyruar që të hiqja disa. Ky është një proces shumë pozitiv. Do të çlirojë energji shumë më të mëdha brenda vetë LSI-së, sepse është një proces që konfirmon një hapje të LSI-së. Dhe është dhe një angazhim për ta çuar LSI-në në një stad më të ri përmes kësaj pjesëmarrje, përmes kësaj vote, përmes kësaj atmosfere edhe konkurrence apo edhe diversiteti, me një qëllim të përbashkët: se si LSI të jetë në lartësinë e duhur për të patur një vizion edhe më të plotë për të ardhmen e vendit, por njëkohësisht dhe një organizim dhe funksionim shumë më të mirë, cilësor dhe përfaqësues për të realizuar këtë vizion. 

Janë në garë edhe dy kandidatë të tjerë për herë të parë… 

Mendoj se gara është ajo që kemi parë dhe që do të shohim deri në fund të procesit. Të gjithë kanë qenë të ftuar për të konkurruar. Shpresoj që të jetë një moment i ri i garave edhe më të rëndësishme. 

A mendoni se do të ketë ndonjë surprizë, z. Meta? 

Për mua më e rëndësishme është mbarëvajtja e procesit dhe ajo që është shumë e rëndësishme, është shkalla e pjesëmarrjes. Kjo është e rëndësishme që të jetë sa më reale dhe për këtë arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në çdo qendër votimi ka dërguar vëzhgues nga qendra për të garantuar, jo vetëm cilësinë e këtij procesi, për të shmangur çdo lloj fiktiviteti, por dhe për të kuptuar edhe shkallën e organizimit dhe të motivimit të anëtarësisë në të gjithë vendin. 

A do të kërkoni në 2017-n, cilido qoftë kryetari, postin e Kryeministrit? 

Kjo është një pyetje, të cilës përgjigjen më interesante mund t’ia japë kandidati Përparim Spahiu. Për mua më e rëndësishme sot është, që LSI të tregojë një shkallë të lartë motivimi, ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë proces. 

Rritja e anëtarësisë do të thotë se do të kemi më shumë deputetë në zgjedhjet e ardhshme z. Meta? A është kjo një pritshmëri e juaja? 

Rritja e anëtarësisë do të thotë fuqizimi i LSI-së. Dhe e përsëris, sa më e fuqishme të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim, aq më e qetë, aq më e sigurt është Shqipëria, aq më i fuqishëm është dialogu politik në vend, dhe natyrisht aq më e sigurt është e ardhmja evropiane e Shqipërisë. 

Nga rezultati që do të dalë, ju do ta merrni parasysh kërkesat e kandidatit që do të ketë një rezultat mbi 10%? 

Ne do të kemi në konsideratë, jo vetëm kërkesat e çdo kandidati, por dhe të çdo anëtari kur ato i vlejnë përmirësimit të punës së LSI-së. 

A do të ndikojë në vendimmarrjen tuaj, rezultati i rivalëve? 

Së pari, ne duhet të presim rezultatit. Së dyti, të gjithë janë pjesë e LSI-së, dhe angazhimi i të gjithëve synon përmirësimin e drejtimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Kërkesë e përbashkët e tyre ka qenë “Ilir Meta Kryeministër” dhe ju thoni se do t’i merrni parasysh…? 

Ky ishte një interpretim i juaji dhe është normale. Ata kanë pasur kërkesat e tyre dhe kanë kërkesat e tyre. Është një e drejtë e tyre. Për mua është e rëndësishme që Lëvizja Socialiste për Integrim nga ky proces të kuptojnë edhe më mirë se çfarë duhet të përmirësojë për të ardhmen. 

Pas përfundimit të zgjedhjeve, është gati LSI-ja të ulet me PS-në, për të diskutuar mbi koalicionin, siç është deklaruar më herët? 

Së pari, duhet të përfundojmë këto zgjedhje. Së dyti, sot bëjmë zgjedhje për të vajtur përsëri në zgjedhje. Në datat 3-4 dhjetor kemi Konventën Zgjedhore të LSI-së dhe mendoj që ky është një moment tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe sot një proces shumë i rëndësishëm është zgjedhja e delegatëve për në këtë Konventë, që do të zgjedhë edhe forumet e reja të LSI-së dhe më pas janë ato që do të përcaktojnë axhendën e LSI-së. Natyrisht në krye të axhendës qëndron vazhdimi i reformave që ndihmojnë hapjen më të shpejtë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ju sikurse e dini ne vazhdojmë të jemi në koalicion. 

Pra, vetëm pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor brenda LSI-së do të mund të merret një vendim për koalicionin? 

Unë nuk e di se kush mund të marrë një vendin, në rast se nuk ka mandat.