Rushan Dosti: Fatlli Mimani, njeriu që i dha dritë Shpiragut e që jeton pa dritën e syve të tij

Me lotë në sy kujton ndarjen nga jeta të vajzës së tij, Elidjanës në tetor të vitit 1992, kur ajo sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe ishte vetëm 18 vjeç. Ajo ka qënë një nxënëse me të gjitha dhjeta, me pasion për artin dhe kulturën, por nuk i dhanë të drejtën e studimit dhe kaloi në depresion deri sa ndërroi jetë. Kjo plagë e dhimbje për Fatlliun nuk ka për t’u mbyllur kurrë, ashtu siç nuk ka për t’u mbyllur kurrë plaga e ikjes para kohe e bashkëshortes së tij Dritës në vitin 1994, vetëm dy vjet pas vdekjes së vajzës


Asgjë nuk ësht më e vështirë se sa të jetosh me thjeshtësi e ndershmëri. Janë dy vlera që jo të gjithë njerëzit mund të kenë privilegjin t’i gëzojnë, për faktin që njerëzit e thjeshtë e të ndershëm fallen çdo ditë të jetës së tyre para së vërtetës. Çdo njeri që jeton thjesht e me ndershmëri pa asnjë dyshim që është original dhe nuk ka nevojë për elozhe e lëvdata që nuk i takojnë.

NOA

E bëra këtë parantezë për të dalë tek tema e shkrimit, ku personazh është një njeri i thjeshtë, fissnik dhe i ndershëm, edhe pse nuk ka grada e diploma të pamerituara. Jemi mësuar që në faqet e mediave të merremi me personalitete e të harrojmë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi, të cilët në gjykimin tim janë vlerë e shtuar në “sepeten” e vlerave të cilën për 35 vite me radhë e kanë shqyer dhe e kanë lënë bosh ata politikanë e qeveritar, majtas e djathtas, të cilët janë mësuar me temenat mediatike. Të gjiihë jemi lodhur, kush më shumë e kush më pak, duke pare nëpër ekrane apo faqe gazetash, fytyra hajdutësh, zyrtarë e politikanë arrogantë e fodull e që më kot mundohen të hiqen të ndershëm. Para njerëzve origjinal të thjeshhtë, këto monstra nuk vlejnë asnjë grosh. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të lidhim kontratë me njerëz të tjeshtë e të ndershëm. Për mua të njohësh dhe të shkruash për njerëzit e ndershëm e të thjeshtë i bën nder kombit e vendit dhe ajo media që i publikon nderon misionin e saj. Ata janë vlera e vërtetë dhe i kemi kudo në pallat, lagje e në qytet. Është tjetër gjë nëse duam apo s’duam. Siç thoshte Dritëroi “Kalojmë para bukurisë e nuk shohim dot”, dhe kjo bukuri qëndron tek thjeshtësia dhe ndershmëria e njerëzve dinjitozë, të cilët kanë jetuar dhe jetojnë me bankomatën e djersës e gjakut të tyre. Ja vlen t’i zbulojmë e t’u japim hakun e merituar. Respekt për “Telegraf” që evokon figura kaq të pastra e të ndershme. I tillë, i thjeshtë fisnik dhe i ndershëm është edhe personazhi i këtij shkrimi, i cili edhe pse po u afrohet të 90 – ve, ka mbetur po ai: Model thjeshtësie dhe ndershmërie

Elektricisti që survejohej edhe kur punonte lartë në shtyllë

Të ruhej nga rryma elektrike apo nga spiunët që e ndiqnin nga pas. Kjo ishte dilema për njeriun e punës Fatlli Mimani, i cili s’dinte sa nga do t’i vinte rrufeja. Dikur djalosh i fortë që e hante punën me dhëmbë, por që në rrugëtimin e tij kaloi me dhjetra peripeci e përsëri qënsroi më këmbë. Fatlli Mimani u lind më 5 tetor të vitit 1937 në fshatin Mbolan të Beratit, në një familje me ekonomi të mesme, nga dy prindër të zot Nazif e Jemine, të cilët më pas, në vitin 1945, u shpërngulën nga Mbolani dhe u vendosën në fshatin Gjeroven më afër qytetit të Beratit. Madje sipas vetë Fatlliut, njeriut që po u afrohet të 90 – ve, por që ka një kujtesë të pabesueshme, në Mbolan familja mbante mbiemrin Çobo, si pjesë e trungut të fisit të madh Çobo, njëri prej të cilëve ka qënë dhe Komandanti i Çetës së Shpiragut Sadik Mbolani (Çobo). Mbiemri Mimini (Mimani) mori zyrtarizim në Gjeroven në kohë kur u dogj gjendja civile dhe u bë regjistrim i ri.

Fatlliu u rrit në një familje të madhe mes 6 vëllezërve e 3 motrave dhe kur ka ikur ka nga Mbolani ka qënë vetëm 6 vjeç, Edhe pse i etur për dije dhe kulturë, ai nuk mundi të vazhdonte shkollën, pasi shkolla u hap në vitin 1951. Në kushte të tilla, Fatlliu ndoshta është njeriu i vetëm, që ka hyrë në klasën e parë në moshën 12 vjeç dhe ka mbaruar shkollën fillore me notën më të lartë për kohën që ishte nota 5. Duke qënë se jetonte në një familje me shumë frymë, ai nuk mund të vazhdonte shklolën më tej, ndaj në moshën 16 vjeç fillloi punë në një punishte tjegusllash e tullash në Gjeroven e më pas në gëlqeroren e Zhitomit. Në vitin 1958 e gjejmë punëtorë në Ndërmarrjen e Naftës në Kuçovë për të shkuar më pas ushtar në shërbimin aktiv.

Fatlliu me djalin Ferdinandin

Mbas lirimit nga ushtria në vitin 1961 filloi punë Rezervat e Shtetit në Mbolan për të marrë më pas në dorë fatet e sektorit elektrik në krahinë duke u bërë përgjegjës i këtij sektori, të cilin e drejtoi me shumë përgjegjësi e ndershmëri. Për gati katër vjet punon si llogaritar në kooperativë, deri në vitin 1964, kohë kur u shfaqën për herë të parë simptomat e “virusit” të biografisë, gjë që askush nuk e priste nga fisi i tij. Dikush pështyu në “çorbën e qelbur” të kuzhinës së asaj kohe dhe goditja e parë erdhi tek bashkëshortja e tij Drita, e cila në vitin 1964 teksa ishte në një kurs për infermjere, përjashtohet nga kursi me pretekstin se familja e saj në Velçan kishte probleme biografike. Ky kancer i kohës tronditi gjithë familjen, më shumë Fatliun, njeriun  që nuk ngopej me punë dhe me ndershmëri kërkonte të ndërtonte një familje dinjitoze. “E dija – thotë Fatlliu që më survejonin edhe kur isha në majë të shtyllës, por nuk kisha frikë sepse isha i bindur në pastërtinë e familjes dhe fisit. Xhaxhi im kishte qënë i lidhur me luftën, mik me patriotin Gani Nivica, me komisarin e çetës Tajar Grepcka. Ende nuk e kam kuptuar pse xhaxhain në vitin 1953 e shpallën kulak, por mendja ma thotë që kjo luftë bëhej brenda llojit e sisdomos brenda fshatit”; Fatlliu vijonte të ishte në frontin e parë të punës. Edhe pse me katër klasë shkollë ai kreu një kurs për elektricist, për të qënë pjesë e aksionit të madh kombëtar për elektrifikimin e vendit. Asnjëherë nuk tha jo, por shkeli gjithë Tomorricën e Skraparit, fshatrat Grevë, Luadh, Ujanik, Dunckë, Trebël etj, për t’u kthyer më pas në Veleshnje e Molisht të Beratit. Ai edhe sot e kësaj dite mbahet mend e nderohet si njeriu që i dha dritë gjithë krahinës së Shpiragut duke u konfirmuar nga komuniteti si njeriu model i thjeshtësisë e ndershmërisë. “Kam punuar shumë, thotë ai, por kam ndjerë kënaqësi pasi me mundin dhe djersën time arrita objektivin e jetës sime, shkollimin e fëmijëve të mi, më kanë bezdisur ndonjëherë kur më thoshin kulakë, por zëre se vërshëllehu dikush”.

Plagë që dhëmbin ende

Për Fatlli Mimanin, gjëja më e shtrënjtë ka qënë dhe mbetet familja. Gjithë mundi dhe djersa e tij ka shkuar investim për familjen dhe fëmijët e tij. Edhe kur doli në pension në vitin 2000, me një pension qesharak që nuk arrin as 200 mijë lekë të vjetra, Fatlliu gjithë fuqinë dhe energjitë e tij ia kushtoi familjes, shkollimit të fëmijëve tij dhe kjo përbën një nga arritjet më të mëdha të jetës së tij. Në këtë rrugëtim, të cilin ai e konsideron të gjatë dhe të lodhshëm, nuk mund të mos kishte pengesa, madje plagë dhe dhimbje që dhëmbin edhe sot kur ai ka 13 vjet që ka humbur shikimin. Edhe pse pa dritën e syve, ai ndjen e shijon gjithçka. Njerëzit, miqtë dhe shokët i njeh nga zëri.mban mend emra dhe ngjarje që kanë ndodhur vite më parë. Rruhet e kujdeset vetë për higjenën e trupit të tij. Pi ndonjë gotë e bën  muhabet ashtu si dikur me thjeshtësinë dhe ndershmërinë. Me lotë në sy kujton ndarjen nga jeta të vajzës së tij, Elidjanës në tetor të vitit 1992, kur ajo sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe ishte vetëm 18 vjeç. Ajo ka qënë një nxënëse me të gjitha dhjeta, me pasion për artin dhe kulturën, por nuk i dhanë të drejtën e studimit dhe kaloi në depresion deri sa ndërroi jetë. Kjo plagë e dhimbje për Fatlliun nuk ka për t’u mbyllur kurrë, ashtu siç nuk ka për t’u mbyllur kurrë plaga e ikjes para kohe e bashkëshortes së tij Dritës në vitin 1994, vetëm dy vjet pas vdekjes së vajzës. “Këto plagë më kanë bërë më të fortë, por vijojnë të dhëmbin shumë. Kam 30 vjet që jetoj pa pa bashkëshorten dhe 32 vjet pa vajzën që sot s’dihet se ku do të ishte. Kam 13 vite që nuk shikoj, por falë djalit dhe nuses së tij që më është bërë si vajzë, pasi vajza ime jeton jashtë vendit, ndihem ende i fortë dhe nuk e kam ndjerë shumë mungesën e dy të të dashurve të mi” – thotë Fatlliu. Fatlli Mimani, nën kujdesin e fëmijëve Ferdinandit dhe Melijanës, të nipit Dritanit dhe mbesës Elidjanës, festoi 87 vjetorin e lindjes, këtu në Berat ku ai jeton që nga viti 1990. Ferdinandi sot për sot është një nga intelektualët dhe profesionistët më në zë që ashtu si babai i tij, me thjeshtësi e ndershmëri i shërben komunitetit nëpërmjet sipërmarrjes së tij që për momentin është një model sukesei. Ai në profesion është veteriner dhe administron një farmaci dhe klinikë për operimin e të gjitha llojeve të kafshëve shtëpiake. “Thjeshtësia, fisnikëria dhe ndershmëria, kanë qënë dhe mbeten çparimi kryesor i jetës sime dhe këtë parim dua ta bëjnë pjesë të jetës së tyre edhe fëmijët, nipërit dhe mbesat e mia”, – mbyll bisedën njeriu i mirë, fisniku, i thjeshti dhe i ndershmi Fattlli Mimani.