Rinia shkollore dhe thirrjet” Rroftë Liria”

485
Sigal

“Ligësia është një marrëzi, për ata që se kanë kuptuar që nuk do jetojmë përgjithmonë”.

Rinia shkollore dhe thirrjet “Rroftë Liria”

 -Shkatërrimi i arsimit përmes demagogjisë mbi sistemet më të arrira të botës

-Ata që e iniciuan këtë proces shkatërrimtar, po tentojnë të shfajësohen duke thënë se tezat, janë bashkëkohore

– Edhe në bujqësi, në këto 7 vite nuk është implementuar asgjë nga arritjet, as nga praktikat japoneze

– Po në këtë mënyrë është shkatërruar edhe sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, përmes demagogjisë mbi gjoja kompanitë e mëdha angleze

 (Prof. Dr. Lush SUSAJ)

 Ligësia e atyre që mendojnë se janë të përjetshëm

Aristoteli ka thënë: “Ligësia është një marrëzi, për ata që s’e kanë kuptuar që nuk do jetojmë përgjithmonë”. Sjellja aktuale politike e administrative ndaj rinisë shkollore, është e ligë, e pamoralshme, fyese, degraduese e shpërfillëse.  E gjithë kjo buron nga ata që mendojnë se janë të  përjetshëm në kolltukët dhe pozicionet  politike e administrative të marra pa rregull, pa meritë e pa konkurrim demokratik të aftësive, ideve apo projekteve  zhvillimore.

Ndaj nxënësve dhe studentëve të Shqipërisë, është bërë dhe vazhdon që të bëhet një padrejtësi e rëndë. Kjo duket në faktin se, pas shkatërrimit dhe degradimit të programeve dhe teksteve mësimore, ata që e iniciuan dhe realizuan këtë proces shkatërrimtar, po tentojnë të shfajësohen duke thënë se tezat, pyetjet dhe kurikulat  e shkollave dhe universiteteve  janë bashkëkohore dhe brenda  programeve të formimit qytetar e shkencor.  Kjo është demagogji përmes të cilës tentohet  që fajin e pseudoreformave dhe tenderëve korruptivë  në përkthimet pa standard e pa cilësi të testeve dhe teksteve mësimore, ta faturojnë tek nxënësit dhe studentët e mashtruar e të vjedhur  në kohën dhe në ëndrrat e tyre për dije dhe profesione konkurruese e bashkëkohore. Në këtë mënyrë, fajin e pseudoreformave, fajin e degradimit të institucioneve në dorën e militantëve të korruptuar dhe të gjysmë analfabetëve e përkthyesve  të rëndomtë, kërkojnë ta adresojnë tek nxënësit, tek studentët, tek bujqit, tek bizneset, tek populli, që po varfërohet dhe po shkulturohet përditë  e më shumë. Qeveritarët dhe militantët që po shkatërrojnë administratën dhe institucionet, në vend që të qeverisin me përkushtim, dalin e kapardisën si sundimtarë të përjetshëm, duke mos pranuar asnjëherë fajin, as përgjegjësinë për punën e bërë keq, dhe dëmin e shkaktuar. Sipas logjikës së tyre, hajduti, vrasësi, mashtruesi, hipokriti, shkatërruesi, zjarrvënësi, etj, nuk kanë asnjë faj. Sipas logjikës së tyre të deformuar, fajin e kanë viktimat, që në këtë rast janë nxënësit, studentët dhe populli, që me të drejtë kërkon arsim cilësor e të integruar me tregjet e punës, të ideve dhe të teknologjisë. Sipas të përkëdhelurve politikë dhe të përkthyesve  jashtë profilit dhe profesionit, nxënësit dhe studentët  duhet  të abstragojnë e të depërtojnë në kokën e tyre, për të menduar e folur  njëlloj si ata. Kjo më kujton vargjet mbi dëshirën e sulltanit, ku ndër të tjera thuhet: “si s’u bë nga perëndia/ me një kokë e gjithë njerëzia”.

Rritja e abuzivizmit dhe thirrjet “Rroftë Liria”

Nxënësit  dhe studentët  e Shqipërisë, e ndjejnë dhe e kuptojnë  situatën e rëndë të krijuar për shkak të fiktivitetit, mashtrimit, korrupsionit dhe mungesës së sigurisë për të jetuar e punuar në Shqipëri. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, si dhe mësuesit dhe pedagogët e ndershëm të vendit, e dinë shumë mirë faktin, që politikanët dhe drejtuesit e lartë të shtetit, të shkollave, të universiteteve dhe të institucioneve  tona të arsimit, kulturës dhe shkencës, ka vite që nuk i shkollojnë më fëmijët e tyre në shkollat  tona. Prandaj janë të pandjeshëm e të pamëshirshëm në abuzivizëm, në korrupsion e në shkatërrimin e infrastrukturës dhe gjithë procesit mësimor. Në Shqipëri është krijuar me kohë një largësi, apo shkëputje e madhe, midis atyre që sundojnë e që abuzojnë me arsimin, ekonominë dhe kulturën nga njëra anë, dhe nxënësve e studentëve të Shqipërisë, që studiojnë në shkollat dhe në universitetet e vjedhura, e pothuajse të paralizuara nga ana tjetër. E moralshmja, njerëzorja, kombëtarja, e gjithë pranuara, nuk ka asnjë lidhje me ligësinë e as me lojën mashtruese që është luajtur e po luhet në kurrizin e nxënësve, studentëve dhe  mësuesve e pedagogëve të Shqipërisë. Në të drejtën hyjnore, në Bibël, në Kuran, në kushtetutat demokratike, e në të gjitha kanunet e kësaj bote, thuhet që “duaje të afërmin porsi vetveten, dhe se bëju të tjerëve atë çfarë dëshiron që ata të të bëjnë ty”. Kjo kastë burokratike e me mangësi të theksuara në moral, në sjellje administrative e në formim akademik e qytetar, për nxënësit dhe studentët, nuk ka menduar e nuk do të mendojë kurrë, sikur për fëmijët e vet. Në mungesë të një reagimi të fuqishëm e të prerë të rinisë dhe intelektualëve në mbrojtje të shkollës, të universitetit, të kulturës dhe të trashëgimisë, komitët nepotikë  e kriminalë do ta vazhdojnë edhe më tej lojën e tyre, duke ua bërë nxënësve dhe studentëve  të Shqipërisë, atë që askush nuk do të donte ta provonte mbi fëmijën, e as mbi familjen e tij. Në këto kushte, nxënësit dhe studentët  e Shqipërisë po ndërgjegjësohen çdo ditë e më tepër, për padrejtësitë shtetërore e politike ndaj tyre dhe për domosdoshmërinë e kundërshtimit dhe të reagimit, në mbrojtje të shkollës dhe të vlerave themelore të lirisë dhe demokracisë. Thelbi i ligësisë së të ligut dëshmohet  edhe përmes shprehjeve ku thuhet: “përdori të afërmit për të mirën tënde dhe bëjua të tjerëve para se të ta bëjnë ty”. Kjo ka ndodhur e po ndodh përditë me nxënësit, me studentët, me shkollën, me institucionet, me historinë dhe me trashëgiminë. Gjithçka e përbashkët po tjetërsohet e përdorët për interesin e ngushtë të një grushti njerëzish, të cilët  mendojnë se janë të përjetshëm, të pagabueshëm e të paprekshëm në sulltanat-institucionet e abuzuara e të degraduara prej tyre. Përballë kësaj situatë të rendë, thirrja e nxënësve “Rroftë Liria”, është shpresa dhe sinjali më i mirë. Tek thirrja “Rroftë Liria”, duhet të shohim e të kuptojmë faktin që në momentin që rinia shkollore, (e shqiptare në përgjithësi), do të arrijë që të kuptojë dimensionin dhe vlerën e vërtetë të lirisë, në atë moment ka përfunduar edhe sundimi i krimit, injorancës, ligësisë, hajnisë dhe horrllëkut oriental në shkollat dhe në institucionet tona.

Shkatërrimi përmes demagogjisë mbi sistemet më të arrira të botës

Arsimi u shkatërrua nën mjegullën e demagogjisë mbi sistemin britanik të arsimit, dhe gjasme implementimit të tij në Shqipëri. Në këtë mënyrë, vetëm sa për demagogji, u zgjodh njëri nga sistemet arsimore më të arrira e më demokratike të kësaj bote. Në pamjen e jashtme dukej që u zgjodh sistemi arsimor i një vendi demokratik e me histori universitare rreth 800 -vjeçare, e që do të përshtatej dhe implementohej në Shqipërinë tonë me një histori dhe moshë universiteti jo më shumë se 70 -vjeçare. Kështu u justifikuan dhe u shpenzuan paratë dhe investimet për reforma, për dosje dhe konferenca fiktive, ku nuk u dëgjuan dhe nuk u morën parasysh asnjë nga vërejtjet dhe mendimet e mësuesve dhe pedagogëve të mirëfilltë të auditorit. Në këtë mënyrë, demagogjia me të pamundurën na solli në këtë situatë, ku jo vetëm që nuk është implementuar asgjë nga arritjet dhe sistemi arsimor britanik, por u përkeqësuan edhe më shumë tekstet, programet, kurrikulat, autonomia, praktikat laboratorike, debati shkencor, pagat, shërbimet konviktore, mundësia e integrimit në tregjet e punës, etj. Në këtë mënyrë, hallet e nxënësve, studentëve, prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të Shqipërisë, nuk u lehtësuan por u shtuan. Ata që kanë përfituar e që realisht nuk e duan lirinë, as demokracinë dhe as përmirësimin e situatës në arsim, janë sundimtarët politik të shkollave, universiteteve dhe institucioneve shkencore, bashkë me dorën e tyre të zezë që shtrihet deri në klasa e në departamente, nga ku kontrollojnë e shantazhojnë çdo nxënës, student, mësues apo pedagog që guxon të flasë kundër përkeqësimit dhe degradimit të procesit mësimor në fiktivitet, në të mësuar mekanik, në përkthime joprofesionale, në bullizëm, në arrogancë, në egoizëm, në imoralitet, në hajdutëri, në korrupsion, në nepotizëm, etj. Fenomenet e shfaqura në maturën shtetërore të këtij viti,duket që janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që është kultivuar për vite me radhë nëpër institucionet e arsimit dhe kulturës shqiptare. Matura e sivjetme është e kontestuar me të drejtë nga maturantët, nga mësuesit, nga prindërit, nga profesorët, etj. Por edhe në këtë rast, mjerisht nuk munguan kërcënimet ndaj nxënësve, mësuesve dhe prindërve të protestuesve. Kjo është dëshmia më e qartë e mendësisë diktatoriale dhe degradimit të forumeve dhe institucioneve të arsimit në dorën e drejtuesve të paaftë e me shpirt të vogël. Do të mbahet mend gjatë mënyra se si edhe në kushtet e pandemisë, guxojnë e përpilojnë teza dhe pyetje grackë, të përthyera nga amatorë që mesa duket nuk e njohin as gjuhen angleze, as gjuhën shqipe dhe as situatën specifike të krijuar nga pandemia, izolimi, stresi e papunësia.

 

Edhe në bujqësi po kështu…

Sjell në vëmendje faktin që e njëjta mënyrë e shkatërrimit përmes demagogjisë me projektet dhe modelet e vendeve më të zhvilluara të botës është përdorur edhe për bujqësinë, për të cilën në vitet 2013-2014, u pretendua se do të përshtatej e do të modelohej sipas modelit dhe praktikës së bujqësisë japoneze. Edhe në bujqësi, në këto 7 -vite nuk është implementuar asgjë nga arritjet as nga praktikat japoneze. Përkundrazi janë shkatërruar edhe ato pak arritje që ishin. Klanet e fiktivitetit dhe demagogjisë punuan vetëm për pasurimin e tyre me anë të korrupsionit me projektet, investimet, strukturat varietore, studimet, strategjitë, legjislacionin, shpërndarjen e fondit të tokës shtetërore, krijimin e monopoleve në fushën e grumbullimit, të eksport-importit, etj. Po në këtë mënyrë është shkatërruar edhe sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, përmes demagogjisë mbi gjoja kompanitë e mëdha angleze dhe amerikane që nuk i pa askush dhe investimet e propaganduara e që nuk i pa askush. Në këtë mënyrë është vepruar pothuajse me të gjitha fushat dhe sektorët e ekonomisë, kulturës dhe shkencës. Rinia shkollore e Shqipërisë kërkon dhe meriton dije të qëndrueshme dhe profesione konkurruese në tregjet lokale e botërore të punës e të prodhimit. Protesta të nxënësve dhe thirrjet e tyre “Rroftë Liria”, do të vazhdojnë deri kur shkolla të bëhet e nxënësve dhe studentëve, në shërbim të dijes dhe të profesionalizmit të rinisë shkollore, të ekonomisë, të punësimit, të administratës dhe të çështjes sonë kombëtare.

.