Prof. Tritan Kalo/ Sovraniteti dhe ish-brekëgrisurit e krimbur në pasuri

995
Fjala sovranitet apo togfjalëshi vend-sovran ishin dje në seancën plenare të Parlamentit Shqiptar ato më të përdorurat, si nga deputetët e opozitës, por po ashtu edhe nga disa syresh të mazhorancës. Nëse këta “birbo politiqenër” e kishin dhe e kanë kaq shumë për zemër sovranitetin e këtij vendi, pse e rrënuan atë për 25 vite rresht? Pse i detyruan shqiptarët të ikin nga sytë këmbët për një jetë më të mirë? Pse i falën pjesë të detit fqiut tonë jugor? Pse e lanë këtë vend të mbrohet prej një “batalioni” mercenarësh që lufton gjetiu në kuadër të NATO-s, dhe te ne mundet gjithkush të hyjë e të bëjë dasmë ose të kërcënojë se “është i aftë ta pushtojë atë me anëtarët e klubit të gjuetarëve të kryeqytetit të tij” (SM)? Pse i bënë skrap apo po vijojnë t’i bëjnë skrap gjithë atë armatim tokësor, detar e ajror? 

Pse lejuan që në mitingjet e tyre apo në tryezën e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të merrnin pjesë të huaj, përfshirë këtu edhe serbo-boshnjakë, kur sot amerikanët, shpallen si ndërhyrës në punët tona të brendshme? Ish – ambasadorët Rayerson apo Wisner nuk ishin edhe ata amerikanë, sikundër është edhe sot ambasadori Lu, apo ka dy standarde të klasifikimit dhe qëndrimit ndaj tyre? Pse nuk u kujtuam ata për sovranitet kur lejuan me mijëra forca të NATO-s të stacionoheshin në vendin tonë, për t’u ardhur në ndihmë atyre mijëra e mijëra shqiptarëve të Kosovës, ndërsa kërcënoheshin të zhdukeshin nga genociduesit serbomëdhenj, apo kërkuan “marrjen e Shqipërisë nën kujdestarinë ndërkombëtare” pas hyrjes në Kosovë të këtyre forcave? Pse nuk u kujtuan për të mbrojtur sovranitetin, kur të ekzaltuar festuan hyrjen në NATO apo nënshkruan Marrëveshjen e Asosacionit me BE-në, duke e ditur mjaft mirë se tashmë çelësat e sigurisë kombëtare dhe ato të ecurisë socio-ekonomike do t’i varnin në Bruksel? Pse po japin me konçension çdo pasuri kombëtare mbi dhe nëntokësore, apo shërbime jetësore sikundër janë ato mjekësore? 

Po Komisioni i Venecias, së cilit po i adresohemi jo pak në këto momente, selinë dhe vendimet i merr në Tiranë dhe anëtarët e tij janë shqiptarë?…Hipokritë, të pa yndyrë, të pështirë deri në neveri, të pa nginjur, cipëplasur, karakteropatër, frikacakë dhe antishqiptarë në çdo qelizë të trupit tuaj, ja çfarë jeni shumica e juaj!!!…Të qënurit ZOT në vendin tënd kërkon të tjerë burra e gra bartëse të atdhetarizmës, e të tjera rrethana historike, por jo këta “ish-brekëgrisur” të krimbur sot në pasuri pa fund falë korrupsionit, krimit, drogës, prostitucionit, marrëveshjeve okulte, konçensioneve, tenderave etj…Nëse duhet të japin llogari për bëmat e tyre dhe unë jam plotësisht dakord se ka ardhur koha e llogaridhënies, aprovimi i “Reformës së Drejtësisë” e sugjeruar dhe e supervizuar nga SHBA dhe BE, duhet të bëhet një orë e më parë…Në hapsanë më pas le të shkojnë dhe të paguajnë bëmat e tyre, cilido i ulur në sallën e Parlamentit, por jo vetëm aty, si në podium po ashtu edhe në të majtë e të djathtë të platesë së tij….Boll më se na morët rininë, jetën, ardhmërinë tonë!
Sigal