Engjëll Musai: 10 vite pa Agim Nezën, gazetarin, pedagogun dhe mikun e shqiptarëve!

Engjëll Musai
Drejtor i ‘Telegraf’

Nuk ka pasur kronikë më të dhimbshme, se sa ajo e lamtumires për familjarin e dashur të familjes Neza, gazetarin, publicistin, studiuesin, juristin, pedagogun e mirënjohur dhe kolegun e nderuar e model të administratës publike Agim Neza. Pikërisht më datën 16 Maj 2016, pra 1 dekadë më parë, iku në qiell, duke lënë emër e dritë këtu midis  nesh, vëllai dhe miku i të gjithë shqiptarëve që e kanë njohur apo kanë dëgjuar për të. Por, emri dhe drita e tij ndriçon prej 10 vitesh, lart tek engjëjt në Panteonin e qiellit. Më kujtohet si tani, momenti i marrjes së lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të mikut tonë Agim Neza. E para gjë që më shkoj ndër mend gjatë kohës që vendosa të bëja një dedikim të veçantë, por edhe mirënjohje e lajmërues, ishte fakti se ndarja e parakohshme e Gim Nezës, do përjetohej me shumë dhimbje, nga të gjithë pavarësisht bindjeve politike dhe krahinore të njerëzve. Dhe kjo ndodhi pikërisht më 16 maj 2016, për  gazetarin, pedagogun, intelektualin, nëpunësin e administratës, dhe mikun e të gjithë shqiptarëve, Agim Neza.

Dhe fakti e tregoj se vdekja e Gimit, dëshmoi se ai ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët, duke shërbyer si çengel shprese për aspiratat dhe ëndrrat e qytetarisë, nëpërmjet penës dhe paanësisë së tij pavarësisht  kampeve, të Majtë apo të Djathtë. Të gjithë ata që e njihnin Gimin, vlerësonin tek ai, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe luajalitetin në marrëdhëniet bashkëpunuese, por mbi të gjitha për sensin e humorit dhe aftësinë për të ç’tensionuar situatat e vështira dhe delikate. Pata rastin të njihem personalisht me Gimin dhe kujtimet për të janë të pashlyera, aq më tepër për njohjet e vjetra familjare, por edhe se banonim në të njëjtën lagje tek “Ali Demi” në Tiranë. Ai ishte i afërt, modest, i qetë dhe me njohuri të larta. Ishte ndër penat e shquara që la emër në; publicistikë, gazetari dhe në veprimtari shoqërore-politike. Agimi ishte një personalitet që nuk rreshti së promovuari shqiptarinë dhe Shqipërinë tonë të bukur tek të huajt, kudo që iu dha rasti me guidat e tij “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania”. Kosova ishte tjetër pikë e dobët në bisedat e tij, së bashku me zhvillimet politike të saj. Qindra artikuj, kronika, opinione, analiza të botuara në media kombëtare dhe ndërkombëtare nga Agim Neza i lexoje me një frymë. Sot në këtë ditë të trishtë nëpërmjet këtij shkrimi modest, ngushëllojmë bashkëshorten e tij Mira, e cila jeton së bashku me vajzat në SHBA. Agim Neza la një trashëgimi të pasur familjare, Mirën dhe dy vajzat e tij të shenjta: “Ergia e cila diplomohet me rezultate të shkëlqyera nga Yale University me 18 Maj 2026, dhe Edona e cila mbyll studimet e vitit të tretë në listën e Nderit të Dekanit në degën Biologji-Kimi në Connecticut College. Të dyja i janë përkushtuar dhe do vazhdojnë punën dhe studimet në fushën e drejtësisë dhe mjekësisë.” Ato sot janë krenare për babanë e tyre, i cili edhe pse lart në qiell, ndjen lumturinë që i sjell suksesi i vajzave të tij, që babi Gimi, aq shumë i donte. Ndaj, jam i bindur se suksesi i familjes dhe vajzave tuaja I nderuar Gimi, do të shërbejnë si një rreze dielli që do të të ndriçojë shpirtin tuaj edhe në parajsë! Kështu do të kujtoheni gjithmonë miku ynë Agim Neza!

Sigal