Prof. Dr. Sazan Guri: Keq qeverisje apo qeverisje e përsosur për dëbim të shqiptarëve!

24
Sigal

/Telegraf.al/ A nuk mund të quhet qeverisje perfekte për dëbim të shqiptarëve, kur KM shqiptar me politikat e veta parashtron zgjidhje për KM britanik, sesi të heq dorë nga politika e vet për dëbim të emigrantëve në Britani drejt Ugandës nëpër geto lokale, dhe të hedhë sytë drejt Shqipërisë duke menduar që t’i sjellë ata pikërisht në këtë vend, në këtë geto të madhe ndërkombëtare.

Dhe fundi i një kalvari pa pushim prej 150 vjetësh sjell sot mijra tavolina bosh pa të dashurit e një votre të ngrohtë shqiptare.

A nuk mund të quhet qeverisje perfekte për dëbim të shqiptarëve, kur KM shqiptar me politikat e veta bën që edhe Bavaria, nisur nga 98 sulmet seksuale e shoqërore të azilantëve të saj në natën e Vitit të Ri, duke përfshirë këtu edhe vetë një punonjëse policie, të hedh sytë dhe t’i drejtohet Shqipërsië pas modelit të marrëdhënive, që krijoi kjo e fundit me Italinë?

A nuk mund të quhet qeverisje perfekte për dëbim të shqiptarëve, kur KM shqiptar kalkulon një marrëveshje deri në kufijtë e okultes, ku firmos si sheik marrëveshje me prapavija të rënda për popullim të Shqipërisë me njerëz pa komb, pa emër, pa vend, por thjesht do quhen afrikanë, kur nuk dihet sesi do përzgjidhen në anijet hyrëse në det, kur dihet se në Shqipëri do të hyjnë 36 mijë në vit dhe Italia bën të mundur për riatdhesim jo më shumë se 2000 si në rastin e Vitit 2022 dhe 3000 në rastin e vitit 2023. Po 33,000 të tjerët a nuk do të jenë pjesë shqetësuese dhe populluese për Shqipërinë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me njerëz meshkuj, jo familjarë, të rinj kryesisht, pra shkurt dema që do kërkojnë buallica.

A nuk mund të quhet qeverisje perfekte për dëbim të shqiptarëve, kur KM shqiptar kalkulon sesi të ikin shqiptarët në kolonë-kolonë prej 300 vetash në ditë vetëm në Aeroportin e Rinasit dhe 300 të tjerë në rrugë të tjera; dhe projekton sesi do të zëvëndësohen këta kolonë-kolonë me gjoja të punësuar duke na lënë dhe postulatin se këta nuk dinë të ankohen, dhe kompanitë servile që deri më sot kanë punuar me shqiptarë shpalosin taktika e strategji se nuk punohet me shqiptarë pikërisht sipas filosofisë që përcaktoi KM se shqiptarët pretendojnë shumë, të huajtë s’kanë llafe. Kujdes, se historia na mëson se edhe sllavët e jugut, kur erdhën fillimisht në mes të shek. IV mb. Kr., s’kishin llafe, ndaj dhe u quajtën skllav-skallaf, dhe e dimë se ç’ndodhi, kur ata u bënë shumë së bashku me avarët në shek. VI që dogjën shtëpi e katandi deri në gurët e sokakut me dhunë e mizëri.

A nuk mund të quhet qeverisje perfekte për dëbim të shqiptarëve, kur KM shqiptar pranon dhe zbaton politikën e Institutit Soros të lobit grek në Havard me teorinë gjoja të rritjes ekonomike të Shqipërisë (Economical Grouth of Albania) ku gjindja shqiptare gatitet që të shprehet se s’ka ç’më duhet politika dhe harrojnë se është politika që merret me të; sot më iku djali e goca këto tre vjet, por fajin e ka opozita dhe Saliu!?

Shqipëria ka humbur historikisht për mijra vjet shumë tokë nga thekët e saj; Shqipëria është shkelur deri në 250,000 ushtarë romakë ku Paul Emili vrau gjithë popullsinë te parthët e Beratit mbi 16 vjeç, po ashtu edhe Augusti vrau 100 mijë ilirë për 4 vjet; Shqipëria është shkelur po nga aq ushtarë të kryqëzatave dhe më pas nga ushtarët turq e osmanë deri të 250,000 të shkelur gjatë Luftës së parë Botërore, ndoshta po aq e shkelur dhe e shkretuar gjatë Luftës së dytë Botërore, por kurrë nuk është shkelur kaq bruatlisht në zemër të saj dhe nga pushtuesit vendas. Dhe kjo përbën rastin të paprecedent, sepse gjithmonë litarin mbytës na i kanë vënë të tjerët, dhe vjen një ditë që vjen dikush dhe na i heq! Por sot more vëllezër është rasti i parë që Shqipërisë ja ngul këtë lak mbytës vetvetja, sikundër po ndodh me KM tonë.

Ballkani i quajtur Iliridë deri më 1878 fliste shqip dhe iu desh të shpiknin termin mal apo ballkan dhe të ndryshonin numërin e shteteve çakej përreth Shqipërisë, sigurisht me luftë!? Iu desh të ndryshonin raportin e ardhësve me ata autoktonë dhe bënë që të gjenin vend edhe për ardhësit vandalë të stepave.  Tërë Greqia na mëson historia fliste shqip, dhe po ashtu iu desh të sillnin ardhës nga Anadolli që të votohesh greqisht për gjuhën dhe të flitej greqisht dhe ja dolën ku sot atje dhe në Turqi gjindja ende me gjak shqiptari nuk guxon të ngasë fjalë shqip, madje edhe ata që duan ta bëjnë atë.

Por sot është krejt ndryshe, ata përreth po se po, por sikur nuk mjaftojnë ata për ta zhbërë këtë vend! Kemi peshqesh edhe politikat më ogurzezë që i kanë ardhur Shqipërisë, sepse më parë fundja qeveritë shqiptare luftonin që mos të dorëzoheshin, ndërsa sot qeveritë shqiptare, sidomos kjo e fundit, o nane -o nane, lufton që ky popull të dorëzohet.

Ndaj dhe sot kemi 1,470,000 banorë shqiptarë me projeksion për të vajtur te shifrat e FMN dhe BB e këtyre dy ‘mortjeve’ që iu kanë pirë gjakun shqiptarëve.

Ndaj dhe sot kemi ujë më shumë, Hec-e rezervuarë më shumë Hec-e me kanal e tunele, por energjinë e blejmë më shtrenjtë.

Ndaj dhe sot kemi naftë për kapital më shumë se ç’ka çdo gjerman, austriak dhe francez, por atë jo vetëm e blejmë më shtrenjtë se në Francë, Gjermani e Austri, por jemi shumë më të varfër se ata?!

Ndaj dhe sot kemi krom e bakër për kapital më shumë se çka çdo çek, turk apo serb, por sot jemi shumë më të vobektë se ata?!

A nuk është kjo qeverisje që 350 milion euro për fermerët i ndau me tre-katër oligarkë dhe fermerët morën ‘tikun’? Në fakt u braktisën dhe ata ç’bënë? Thjesht braktisën fshatin kolonë-kolonë dhe po bëjnë atë që quhet kolonizim dhe mbushje krahu e hamalli në tokat e vendeve europiane e amerikane.

A nuk është kjo qeverisje që bëri që shqiptari të rrijë pa rrënjë si asnjëherë tjetër në historinë e vet, duke marrë bregdetin për të vetët, ku ti shqiptar që rri dhe nuk dukesh shqiptar nuk mundesh kurrë të futesh dot?

A nuk është kjo qeverisje që bëri që fshatrat, plot 1260 të tillë, ku kanë aktivitet 1260 hec-e që marrin ujin deri te urina e ujkut dhe deles, duke e futur në tub, duke bërë që të falimentojnë për shkak të mungesës së ujit me mijëra familje që kishin lidhje me tokat e tyre nëpërmjet një pjestari që Zoti dhe natyra ja la në fshat!?Por, kjo është shumë pak në krahasim me atë që nipër e mbesa jashtë në Europë nuk kanë më shansin që të kthehen në fshatin e tyre, apo në shtëpinë e gjyshit; kullë për ta kthyer në turizëm bujtinë, kur nuk ndodhet ajo që Zoti ja ka dhënë me ‘burri’, sikundër është uji që s’mundesh dot kurrë t’ja u marrësh, por ndodhi që një njeri i vetëm ja u mori dhe ai quhet KM ynë.

Ndaj, iu bëj thirrje shqiptarëve që mos të dorëzohen, por të vuajnë me vuajtjet e Shqipërisë dhe të gëzohen me gëzimet e saj!

Ndaj, iu bëj thirrje shqiptarëve që mos të ikin, se po qe për të ikur, të ikin ata, por edhe sikur për inat, sesi mund të lini pronë, shtëpi e katandi që të bëjnë qejf këta mortje si oligarkë plot nur dhe si efendinj.