Prof. Dr. Qemal Lame: Serbia kërkon, provokon dhe përfiton

271
Sigal

“Beogradi kërkon të imponohet politikisht, ekonomikisht me anë të lëvizjes së lirë dhe ushtarakisht me rritjen e buxhetit dhe shtimin e armatimit.”

 

Serbia synon me çdo mënyrë të ruajë politikën e vjetër si fuqi kryesore në rajon, të anëtarësohet në BE pa u shkëputur nga e kaluara duke thelluar njëkohësisht aleancën politike, ekonomike e ushtarake me Rusinë. Me këto standarte, ajo është pjesë e Rusisë në Ballkan dhe rrezik për rajonin e Bashkimin Evropian.

Presidenti Aleksandër Vuçiç akuzon e provokon, tërhiqet kur ka kundërshtime, luan rolin e viktimës dhe kërkon në çdo rast të përfitojë kohë për ruajtjen e ‘staus quos’ që të gjejë mbështetje ndërkombëtare për politikën e ndarjes dhe të mos arrihet marrëveshja përfundimtare me Kosovën. Ai ka arritur suksese në këtë politikë të tij si njeri i besuar i Vladimir Putinit, ashtu si Milorad Dodik, për mbështetje të gjerë popullore, i gatshëm për të krijuar përshkallëzime të situatave politike dhe ruajtur pushtetin. Ndryshe nga Putini që vë forcën ushtarake për të imponuar vullnetin politik si me agresionin në Ukrainë, Vuçiç vepron më i moderuar për të mbajtur marrëdhënie miqësore si me Moskën ashtu dhe me shtetet e tjera të fuqishme lindore e perëndimore duke arritur edhe deri sa t’i vërë ato kundër njëra tjetrës me qëndrimet në favor të vendit të tij.

Serbia pranon përgjegjësinë për të kaluarën, por theksin e vë tek ultranacionalizmi serb. Në tubimin në 05.08.22, në Novi Sad, si kundërvënie ndaj festimeve të Ditës së Forcave të Armatosura të Kroacisë, Vuçiç deklaroi se përkujtojnë dëbimin, krimin e tmerrshëm dhe spastrimin etnik më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. “Ne gjithmonë do t’i pranojmë dhe pendohemi për krimet që disa kanë bërë në emrin tonë, por kurrë nuk do të heshtim dhe turpërohemi për krimin e bërë ndaj popullit tonë.”

Beogradi kërkon të imponohet politikisht, ekonomikisht me anë të lëvizjes së lirë dhe ushtarakisht me rritjen e buxhetit dhe shtimin e armatimit më tepër se nevojat e mbrojtjes. Me këtë këndvështrim, Vuçiç shihet edhe si një politikan i rrezikshëm me synime, që shkojnë deri në inskenimin e një konflikti ushtarak. Ai nuk është vetëm president i një shteti që nuk e ka të vështirë të menaxhojë në momente kritike, por edhe udhëheqësi që për këtë arsye manipulon, gënjen dhe shmang marrjen e vendimeve të vështira.

“Çështje themelore mbeten reciprociteti dhe barazia në marrëdhëniet ndërshtetërore. Pretendimet serbe se nuk zbatohet reciprociteti për Kosovën, që është Krahinë Autonome dhe pjesë e territorit të Serbisë janë të padrejta.”

Pretendimet e Vuçiçit për shpëtimin e  ‘popullit serb të rrezikuar’ shikohen nga disa analistë edhe si argument i njejtë me arsyetimin e Putinit për “denazifikimin” për ta sulmuar ushtarakisht Ukrainën, Ai mund të priret për ‘denazifikimin’ e Kroacisë ose të Kosovës, ose Malit të Zi, ose Bosnje e Hercegovinës. Me këtë politikë nacionaliste, ky njeri po e frikëson dhe helmon popullin e tij në bashkëpunim me kukullat si Ivica Daçiç e Aleksandar Vulin dhe neofashistin Vojsllav Sheshel.

Plani i Antisarit bëri kufizime për shqiptarët sidomos për referundum dhe bashkim me shtetin mëmë. Serbëve ju dha më shumë të drejta me qëllim që të arrihej njohja e pavarësisë së Kosovës. Por kjo nuk ndodhi. Plani për Ndarjen apo Vijëzimin e Kufirit dështoi pasi u kundërshtua fuqishëm nga shqiptarët. Me pretendimet për rrezikun ndaj serbëve, u pranua nga BE dhe SHBA projekti i Asociacionit me kompetenca ekzekutive që insistonte Serbia. Me presionin e bërë u arrit në vitin 2013 miratimi edhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Edhe pasi ju plotësua kjo kërkesë, Serbia nuk e njohu Pavarësinë e Kosovës. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ratifikimin në vitin 2015 se shkeleshin 23 nene të Kushtetutës dhe rrezikohej shteti e integriteti tokësor dhe e e Marrëveshjes së Asociacionit.

SHBA deklaroi dy javë më parë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit dhe duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës. Edhe BE ka të njejtin mendim dhe i ka bërë të qartë Serbisë se nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të pranojë kërkesat serbe. Me këto qëndrime të drejta jepen mesazhet për bisedime të sinqerta dhe arritje të marrëveshjes në interesin e të dy shteteve.

Tensionet në veri na ndihmojnë të kuptojmë shkaqet dhe qëllimet e vërteta.

E para, si paralajmërim se dialogu dhe paqebërja janë thelbësore, kërkohen masa për të qetësuar situatën, palët se vërtetë duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve. E dyta, si tendenca politike për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta politike dhe ekonomike në të dy vendet, posaçërisht në Serbi sa i përket refuzimit të tyre për të vënë sanksione ndaj Rusisë.

Çështje themelore mbeten reciprociteti dhe barazia në marrëdhëniet ndërshtetërore. Pretendimet serbe se nuk zbatohet reciprociteti për Kosovën që është Krahinë Autonome dhe pjesë e teritorit të Serbisë janë të padrejta. Serbia të reflektojë në vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që kërkoi vetë, e cila njohu të ligjshme Pavarësinë. Ajo gjatë më shumë se 22 vjet nuk ka asnjë pushtet të ligjshëm në Kosovë. Ndikimi i saj i fshehtë me strukturat e paligjshme dhe haptazi me Listën Serbe e demaskojnë publikisht dhe ndërkombëtarisht.

Takimi i nivelit më të lartë politik, që pritet të mbahet më 18 gusht, mund të shërbejë për të siguruar uljen e tensioneve, ndonëse qëndrimet tërësisht të kundërta të palëve nuk japin shumë shpresë për ndonjë përparim. Mendoj se ky takim kërkohet të shërbejë për të mos u përshkallëzuar më tej situata. Është në interesin e Serbisë dhe të Kosovës që të arrijnë mirëkuptim për një deklaratë të përbashkët ose të shprehin publikisht përkushtimin zyrtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me bisedime. Të mënjanohen rastet e agresivitetit, asnjëra palë nuk do të marrë masa, që cënojnë sigurinë dhe rendin juridik, respektimin e lëvizjes së lirë në veri dhe në përgjithësi midis të dy vendeve sipas marrëveshjeve të miratuara bashkërisht. Për t’i bërë të detyrueshme këto masa, është e domosdoshme që të paktën Bashkimi Evropian të jetë i qartë që nëse palët shkelin këto parime do të ketë pasoja deri edhe me sanksione. Mendoj se Borreli reagoI drejt për qetësimin e situatës, kur i cilësoi fajtorë njëlloj Serbinë dhe Kosovën për tensionin në veri. Do të ishte me efekte pozitive të theksonte edhe përgjegjësinë e Presidentit Vuçiç që nuk zbatoi detyrimet e marrëveshjes së përbashkët.

Vlerësoj se për këtë qëllim ndihmon dhe është kuptimplotë reagimi i komunitetit ndërkombëtar, që ndihet qartë në deklarimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili bëri thirrje për de eskalim të situatës. Misioni i KFOR i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së në bazë të Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 për të siguruar mjedis të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dielën, 14.08.2022, udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë t’u japin fund deklaratave të rrezikshme që rrisin retorikën nxitëse, duke iu referuar deklaratave për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet sukses me qëndrimin e përbashkët evropian që Kosova të njihet edhe nga pesë shtetet. Serbia do të përballet me të vërtetë me politikën e përbashkët evropiane dhe do të mënjanohen interesat e veçanta nacionale të shteteve, që përdoren për t’iu kundërvënë realitetit dhe sabotojnë e mënjanojnë faktikisht bisedimet, të përmbahen në qëndrimet e tyre zyrtare dhe të mos vënë në dyshim politikën e përbashkët të Aleancës Perëndimore. Kryeministri spanjoll në fillim të këtij muaji bëri një turne në rajon. Nga ai priteshin qëndrime evropiane, por dëshmoi politikë nacionale dhe pro Serbisë duke i dhënë të drejtë për Kosovën. I fryu zjarrit të saposhuar nga BE dhe SHBA. I kujtojmë Qeverisë së Spanjës se Shqipëria dhe Kosova dëshmuan qëndrime në mbështetje të politikës evropiane për situatën e rëndë të shkaktuar me shpalljen e njëanëshme të Pavarësisë së Katalanjës.

Nga Serbia kërkohet të reflektojë në politikën e saj për të kontribuar në të ardhmen e përbashkët me shqiptarët dhe popujt e tjerë të rajonit dhe të kontinentit.