Prof. Dr. Ago Nezha/ Deputetët “Don Kishotë” të Dukatit

681
Sigal

Dukati, si një krahinë me “100 katunde të pashtruar e të pabindur”, siç shkruan Evlia Çelebi, dhe tre qytete para erës së re, i lagur nga dy dete, deti Jon dhe deti Adriatik, me një sipërfaqe 260km2, me resurse të pasura natyrore dhe njerëzore, të lakmueshme, ka një histori që gjithkush do ta kishte zili. Shumë kronikanë të huaj e vendas në shekuj si Pukvili, Çelebia, peizazhisti  Eduard Lir, etj., janë mahnitur nga bukuritë përrallore të kësaj zone të privilegjuar nga natyra bujare, dorëlëshuar. Historikisht Dukati ka nxjerrë njerëz të shquar në të gjitha kohërat që kanë bërë epokë, duke filluar nga Dervish Ali Ajani e deri te heroina e popullit Sado Koshena, por unë në këtë shkrim nuk kam për qëllim të evidentoj figura që janë të panumërt në të gjithë fushat e jetës, por të stigmatizoj panoramikisht drejtuesit, apo më mirë të themi përfaqësuesit që, kanë drejtuar Dukatin në hapësirën e dy sistemeve të kundërta, atë monist për 50 vjet dhe demokratik për 23 vjet. Lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje: Kjo trevë me resurse të çmuara natyrore dhe njerëzore, si është trajtuar ndër vite, çfarë dobie i ka sjellë kësaj zone dora e pushtetit, si e ka administruar territorin për ta transformuar atë, si e ka menaxhuar gjithë atë pasuri tokësore dhe ujore, cilat janë ndryshimet që feksin nga ndërhyrja e dorës së njeriut? Ka plot pyetje të tilla që dalin në horizontin mendor, shpirtëror dhe nostalgjik për ne bijtë e Dukatit, që jemi larguar nga fshati, e që për fat të keq na kanë mohuar jo vetëm pronën, por dhe vendin e varrit. Duke biseduar me një intelektual të mençur dukatas, juristin Sihat Fisti, ai prapambetjen që trashëgon kjo zonë me pa të drejtë, e adreson te mos vlerësimi i njerëzve të ditur në qeverisjen vendore nga komuniteti vendas. Një veti e shprehur dukshëm te Dukatasit, është respekti dhe vlerësimi për të huajin, për mikun, të largëtin dhe pa mëdyshje kjo është kthyer në një simbol që kalon si trashëgimi në breza. Por ky virtyt, ka zbehur vlerësimin për bijtë e tij të shquar kur ka qenë rasti për t’i promovuar në funksione administrative apo legjislative. Shembujt janë të shumtë, por për të ilustruar idenë po sjellë në vëmendjen e lexuesit një rast nga koha e monizmit. Potencialet ekonomike dhe sociale të fshatit në atë sistem ishin të koncentruar te veprimtaria e Kooperativës Bujqësore, në standardet e arritura. Niveli dhe aftësitë e kuadrove drejtuese ishte “thembra e Akilit”, për mbarëvajtjen e ekonomive kolektive. Në fillimet e Kolektivizimit, fshatrat ishin në krizë për kuadro me aftësi të larta drejtuese. Dukati, si shumë fshatra të tjerë pruri nga Vlora në drejtimin e Kooperativës një birin e vetë, Koço Kapore, i biri i mësuesit patriot Gaqo Kapore, që kishte një përvojë të gjatë drejtuese, por dhe një kulturë të admirueshme, jo vetëm për kohën por edhe për ditët e sotme. Ai kishte një karrierë të pasur drejtuese deri në Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës dhe zotëronte disa gjuhë si, anglisht, frëngjisht, italisht dhe greqishten e vjetër. Megjithëse ishte një sakrificë të lije familjen në qytet dhe të vendoseshe në fshat me një varfëri të tejskajshme, ai erdhi dhe u mundua të ndryshojë gjendjen e kooperativës. Por pësoi një zhgënjim dhe deziluzion nga bashkëfshatarët e tij, sepse nuk gjeti atë përkrahje e mbështetje që kërkonte nga organet e partisë dhe pushtetit për të vënë në shërbim të punës dijet dhe eksperiencën e tij, për të transformuar dhe bërë ndryshime rrënjësore social-ekonomike në fshat. U largua nga kooperativa për t’u kthyer në Vlorë në detyra të rëndësishme, por me një brengë shpirtërore për atë sjellje të bashkëfshatarëve të tij. Në drejtim të kooperativës erdhi një kuadër jo vendas, nga Llakatundi i Vlorës, Xhezo Bino, njeri i mirë, i përkushtuar, por për nga niveli  kulturor dhe kualitetet intelektuale ishte i pakrahasueshëm me paraardhësin e tij. Ky kryetar u mbështet fuqishëm nga të gjitha strukturat e partisë, dhe pushtetit në fshat, dhe arriti të bëhet edhe “Hero i Punës Socialiste” që ishte titull i lartë për kohën. Konkluzioni është fare i qartë. Vetëm se ishte i huaj, jo dukatas, arriti të korrë suksese gjatë kohës që drejtoi kooperativën duke pasur në krah një agronom të talentuar, intelektual të shquar, birin e Dukatit Dr. Mëno Gjolekën.  Në vitet e demokracisë, në kuadrin e pluralizmit, Dr. Mëno Gjoleka, krijoi Partinë Agrare Shqiptare, subjektin politik më përfaqësues për fshatin. Në këtë kuadër ai kandidoi për deputet në krahinën e Dukatit, ku kishte dhënë një kontribut të vlerësueshëm dhe ishte biri i nderuar i asaj krahine. Por si të gjithë dukatasit që, kanë provuar të kandidojnë në fshatin e tyre, ai u shpërblye me “bujarinë” e 300 votave, duke vlerësuar kandidat jo dukatas për faktin se përfaqësonin partitë kryesore ku aderonin te PS-ja apo PD-ja. Këtë provë në dinamikë e kanë bërë disa intelektual dukatas dhe kanë marrë të njëjtin shpërblim. Edhe unë kam provuar të kandidoj me kërkesën e shumë dukatasve për Partinë Agrare dhe votat që kam marrë kanë qenë në kufirin e 500 votave. Këto e shembuj të tjerë tregojnë që, komuniteti i Dukatit nuk i ka vlerësuar bijtë dhe bijat e tij, por ka dashur që përfaqësuesit t’i zbresin nga malet e Labërisë. Natyrshëm lind një pyetje retorike se, çfarë kanë bërë deputetët në vite për komunitetin e Dukatit? Çfarë kontributi kanë dhënë për të ndryshuar gjendjen ekonomike e sociale të zonës, apo për të përfaqësuar interesa e elektoratit, që i është dashur vetëm për të velur votat gjatë fushatës dhe pastaj e ka harruar. Krahina e Dukatit ka një kontrast ekstrem për nga burimet natyrore që trashëgon dhe gjendja social-ekonomike që përjeton. Kontributi i shtetit, në këto 23 vjet demokraci, është i papërfillshëm, që vjen edhe si pasojë e mungesës së interesimit të deputetëve të zonës. Ata nuk i lidh gjë nga ana shpirtërore me banorët e Dukatit, veç interesave pragmatiste në kohë fushatash. Përfaqësimin e tyre në Parlament e quajnë meritë të liderit që i ka kandiduar, si bij besnik të partisë ku aderojnë. Kur ka pasur probleme kritike për komunitetin, siç ishte dhe rasti i demonstrimit të rinjve për pronat, jo vetëm që nuk janë parë në fshat asnjë nga deputetët, por nuk është ndier zëri i tyre në mbrojtje të interesave të komunitetit që i ka votuar. E kujtojnë të gjithë shqiptarët situatën kritike që kaluan djemtë e Dukatit që u rrahën, dhunuan, u gjakosën e burgosën nga policia dhe aty ju jemi ndodhur pranë disa intelektualë nga Tirana, por s’pamë asnjë deputet të majtë apo të djathtë që të shqetësohej për këtë padrejtësi dhe shkelje të lirisë demokratike. Deputetët, të majtë e të djathtë, shkojnë në Dukat për ndonjë vikend, meqë është vend turistik. Kjo është historia e deputetëve të Dukatit në vitet e Demokracisë. Dikush mund të  pyes, a kanë emra këta deputetë?!… S’ka nevojë për emra se dihen se kush janë. Një gjë është e saktë, që janë meshkuj! Nisa ta trajtoj këtë temë jo rastësisht. Ideja mu provokua nga disa telefonata, që më kanë ardhur për t’u angazhuar me disa intelektualë të tjerë, në strukturat shtetërore për të mos u tjetërsuar kjo krahinë sipas projektit të reformës territoriale. Bashkëfshatarët tanë, kujtohen të na thërrasin vetëm kur kanë ndonjë problem madhor, siç është edhe rasti aktual. Mirë bëjnë. Por me qëndrimin e tyre neve na kanë bojkotuar e mohuar identitetin si bashkëfshatar, duke na privuar nga çdo e drejtë pronësore, duke na quajtur diasporë. Ndryshe ndodh me fshatrat fqinjë, Tragjas dhe Radhimë, ku bashkëfshatarëve të tyre, që janë në Tiranë apo qytete të tjera jashtë juridiksionit të tyre, i kanë trajtuar me truall për të ngritur një banesë. Këtë akt e kanë bërë me motivin për t’i pasur pranë vetes ajkën e intelektualëve, si një vlerë të shtuar për komunitetin e fshatit. Ne kemi qenë dhe jemi në Tiranë, për shumë vjet, jo me zgjedhjen tonë, dhe në këto kushte jemi bërë strehë jo vetëm për farë e fisin, por edhe për bashkëfshatarët tanë. Dukati ka një elitë intelektualësh të të gjitha moshave. T’i drejtohesh Shoqatës Kulturore Atdhetare “Dukati”, apo një grupi të veçuar intelektualësh, që kanë vetëm një zë në opinionin shoqëror, për të zgjidhur probleme madhore që kanë karakter institucional, është më shumë një qetësim i ndërgjegjes, por jo zgjidhje e problemit. Ata që kanë fuqi të veprojnë ndaj ekzekutivit janë deputetët. Deputetët janë ambasadorët që mbrojnë identitetin, ruajnë integritetin dhe përfaqësojnë interesat substanciale të elektoratit të vetë. Ata janë zgjedhur për të zgjidhur problemet madhore që ka ky komunitet dhe jo për të flirtuar me liderët e tyre në një situatë paqësore. Por vendosja e deputetëve me listë emërore, sipas preferencave të liderëve, i ka kthyer ata në një instrument mekanik që zbatojnë urdhrat e shefave të tyre. Është për të ardhur keq, por krahina e Dukatit nuk ka përfituar asgjë nga investimet kapitale, qofshin ato nëpërmjet buxhetit të shtetit apo projekteve të huaja, për ta transformuar atë zonë të privilegjuar nga natyra. Kjo situatë e pazakontë, ku vepron vetëgjyqësia, tregon se nuk funksionon si duhet pushteti vendor për oportunitet komunitar. Deputetët e zonës, të djathtë e të majtë, këta “Don Kishotë” nuk i shqetëson ky realitet i shpërfytyruar në një vend të bekuar nga natyra. Të duash dhe të respektosh njëri-tjetrin, do të thotë të respektosh ligjin dhe mos bësh kompromise në të mirën e përbashkët. Shpresojmë se diçka do të ndryshojë.