Nga media, sapo mora dijeni të trishtuar të largimit nga kjo jetë të Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqiptare, personalitetit me merita të jashtzakonshme që lartësoi në qytetërimin e sotëm bashkëkohor letërsinë, gjuhën shqipe dhe kulturën origjinale shqiptare.
Ismail Kadare me mendimin e tij eudit, aftësitë krijuese dhe veprat e shkruara që kanë marrë formën e një enciklopedie, u rradhit me meritë e nder në piedestalin e lartë të njerëzve të shquar me njohje të gjerë ndërkombëtare duke u vlerësuar si nobelisti shqiptar dhe evropian i letërsisë moderne.
Ismail Kadare “Nderi i Kombit” është anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe politike të Francës; anëtar i jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fitues i çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë: International Booker Man Prize, Prince of Asturias Award, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni, etj.
Ismail Kadare ja kushtoi jetën letërsisë e gjuhës shqipe me përkushtimin e përgjegjësinë për të evidentuar e zhvilluar më tej qytetërimin e kombit tonë me histori të lashtë të lavdishme. Temat nga pothuajse të gjitha fushat e jetës dhe personazhet me vlera edukuese, mitet e kreshnikëve, që ndriçojnë edhe deri në kohën e Homerit, kanë edukuar brezat gjatë afro gjashtëdhjetë vjetëve të fundit, mbeten thesare të kulturës shqiptare, evropiane dhe botërore.
Kombi shqiptar e ka dashur dhe do ta dojë e nderojë në përjetësi birin e tij që kontriboi me forcën e mëndjes, fjalës që motivonte e veprimtarinë konkrete në zhvillimin e përparimin e vendit, guximin në transformimin politik e shoqëror demokratik dhe jetën më të mirë për të gjithë. Me botimin e librit “Dritëhijet e kohës”, mendoj se plotësova një detyrimin ndaj së vërtetës së veprës letrare dhe kritikave mjerane të padrejta për qëndrimet politike të tij në periudhën e diktaturës.
Ngushëllime Helenës së dashur!
Ngushëllime gjithë pjestarëve të familjes Kadare!
U prefsh në paqe, ashtu si e meriton, mik i dashur Ismail Kadare!
*Foto dhe karikatura nga Mjeshtri Arben Meksi