Prof. Dr. Qemal Lame: Asociacioni serb ndan Kosovën, pasoja për pavarësinë

247
Sigal

Bisedimet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, në 16.11.2021, evidentuan edhe njëherë mospajtimin për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Palët biseduan të ndara me ndërmjetësuesit e BE-së, jo direkt midis tyre. Kosova ka parashtruar mendimet për një marrëveshje gjithë përfshirëse që të përfundojë brenda një afati të caktuar. Serbia kërkon asociacionin, të zbatohen marrëveshjet e arritura, nuk do bisedime me arritje konkrete të marrëveshjes finale gjithë përfshirëse në një afat kohor të arsyeshëm.

Faktikisht bisedimet prej më shumë se 11- vjet tregojnë pamundësinë e këtij qëllimi për arsyen e thjeshtë se kërkesat ultimative dhe presioni i gjithanshëm politik, diplomatik dhe mediatik i Serbisë i mbështetur hapur nga Rusia dhe në heshtje nga Kina, si dhe pamundësia e suksesit të ndërmjetësimit nga Bashkimi Evropian, kanë në përmbajtje asociacionin me kompetenca vendore për komunat serbe, ndarjen e Kosovës.

Parimisht është e drejtë kërkesa serbe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por praktikisht kjo pengohet prej vetë autoriteve të tyre pasi duan të përfitojnë nga lëshimet e bëra në të kaluarën nga autoritetet e Kosovës nën presionin e madh ndërkombëtar, nuk pranojnë të bëhet fjalë për përgjegjësinë e genocidit dhe nuk duan diskutime objektive mbi bazën e realitetit politik, gjeografik dhe historik. Është arritur të miratohen 33 marrëveshje, por në asnjerën prej tyre nuk është pranuar të shënohet simboli i shtetit dhe funksionet e përfqësuesve të lartë shtetëror të shtetit sovran të Kosovës. Për palën serbe, Kosova trajtohet akoma si provincë koloniale e saj. Ky qëndrim i padrejtë e nënvleftësues është në kundërshtim me realitetin dhe bëhet pengesa e bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

Është e nevojshme që nga Serbia të reflektohet në qëndrimet e saj. Edhe ndërmjetësimi i paanshëm nga BE është me vend që të diskutohet realisht për të vërtetën e asociacionit, përfitimet që fshihen pas presioneve serbe dhe pasojat e rënda për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial të Kosovës dhe rrezikun e sigurisë e stabilitetit në rajon nga kantonizimi dhe krijimi i mundësive për ndryshimet teritoriale që do Serbia.

1.Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Theksoj të vërtetën se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike. Marrëveshja e vitit 2013, është miratuar me procedurë të shpejtë nga deputetët e Kosovës duke përjetuar një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca. Këtë e konstaton secili lehtë po të rishikohen e dëgjohen seancat plenare të Kuvendit dhe këndëvështrimet e drejta të opozitës së kohës.

2.Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në 25 dhjetor 2015, i bazuar në parimet kushtetuese, argumenton se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është antikushtetues, i paintegrueshëm në sistemin politik, juridik dhe kushtetues. Është e vërtetë se kjo gjykatë nuk e përmend dhe nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013. Kjo sqarohet në qëndrimin për marrëveshjen e vitit 2015 që ishte objekt i kundërshtimit nga presidentja e kohës. Meriton të theksohet interpretimi dhe mbrojtja e frymës dhe parimeve të sanksionuara në Kushtetutë me argumentimin që gjykata i ka bërë përmbajtjes në vitin 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht që e ka lënë pa fuqi dhe të pazbatueshme marrëveshjen e 2013-ës. Me këtë aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese nuk mbahet qëndrim vetëm për gërmat e fjalës se Asociacionit problematike, por përmënden konkretisht 23 nene të kushtetutës që shkeleshin haptazi në rast se do të hynte në fuqi ky organizimin mbi baza etnike dhe me kompetenca vendore. Prandaj, secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk është gjetur në përputhje me kushtetutën.

3.Serbia sfidon autoritetin e pushtetit të Prishtinës me Listën Serbe që kushtëzon funksionimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Lista Srpska që ka 10 deputetë në kuvendin e Kosovës nuk po merr pjesë në mbledhjet e kryesisë së kuvendit për të pamundësuar kështu thirrjet e seancave të rregullta. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale ku Lista Srpska fitoi në komunat me shumicë serbe, kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq, deklaroi se lufta e kësaj partie është e përqendruar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Në qoftë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë as institucione të Kosovës.”Me financimin e paligjshëm të institucioneve paralele serbe që ju kundërvihen atyre të Kosovës, mbahet gjendje e tensionuar sidomos në Veri, bëhet ndarja e komunave serbe dhe nuk lejohet integrimi në jetën shtetërore dhe shoqërore.

Për këto arësye të drejta kushtetuese, politike e shoqërore, nuk mund të pranohet presioni i Presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi dy ditë më parë se: “Kosova duhet ta formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel”, ose në të kundërtën, siç u shpreh, “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë.”

Për ta bërë më efektiv qëndrimin në Bruksel dhe më konkret zgjidhjen ligjore, do të ishte me vend që Qevria dhe Kuvendi i Kosovës të qartësojnë me ligj të veçantë Asociacionin pa dallime për pakicat kombëtare dhe pa pushtet vendor. Të zbatohet reciprociteti me Kushtetutën dhe qëndrimet zyrtare të Serbisë për pakicat kombëtare dhe asociacionet jo qeveritare.

Autoritete e larta shtetërore në Kosovë dhe në Serbi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtëme të BE-së, ndërmjetësuesi dhe partnerët e përfshirë në ndihmë të dialogut, është e dobishme të mbajnë parasysh problemet që pengojnë dhe të ndërgjegjësojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me qartësi, transparencë politike dhe në interes të së ardhmes.

Së pari, të vihen në pozita të barabarta bisedimet midis Kosovës e Serbisë. Kjo do të fillonte me analizën e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë bazuar në parimet kushtetuese e realitetin që ato imponojnë. Në kundërshtim me parimet e të drejtës ndërkombëtare, si dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, Serbia ndryshoi Kushtetutën në vitin 2006, duke e bërë Kosovën pjesë të teritorit të saj, pas humbjes së Luftës në Kosovë dhe për të penguar shpalljen e pavarësisë e krijimin e shtetit sovran. U ligjërua politika shoviniste koloniale e pushtimit të Kosovës, kur ajo ishte nën administrimin ndërkombëtar dhe në prag të deklarimit të pavarësisë e shtetit sovran. Për politikanët serbë, Kosova mbatet provincë e tyre. Me këtë mentalitet neokolonialist ata zhvillojnë bisedime dhe bëjnë presion për t’u rikthyer me çdo mjet në Kosovë.

Së dyti, Serbia bëri padi në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë kundër Pavarësisë për t’u deklaruar e pavlefshme Pavarësi e Kosovës. Padia e saj u shqyrtua dhe në përfundim u argumentua se Pavarësia e Kosovës është deklaruar sipas normave ndërkombëtare. Politikanët serbë nuk e pranojnë këtë realitet, e anashkalojnë në qëndrimet e tyre dhe vazhdojnë politikën e vjetër.

Së treti, Serbia ka bërë reforma por nuk ka vend për mbivlerësime, pasi megjithë disa ndryshime mbetet në themel politika e mëparëshme. Serbia marshon drejt Brukselit me politikanët ultranacionalistë militantë të Millosheviçit. Serbia që ka marrë statusin e vendit kandidat publikon mbrojtjen e krimnelëve të luftës në Bosnje enë Kosovë, nuk merr përgjegjësinë për genocidin, reagon me anë të policisë ndaj atyre që prishin polsterat e Karaxhixhit e Mlladiçit. Serbia blindoi kufirin me Kosovën me tanke ruse, bëri presion me avinin rus Mig 20, demonstroi fuqinë e saj me ministrin e Mbrojtjes dhe me praninë e ambasadorit të Rusisë, kur autoritet e Kosovës vendosën reciprocitetin për targat e makinave, dërguan policinë në Mitrovicën e Veriut për të goditur bandat e krimit të organizuar dhe mbrojtur rendin juridik e kushtetues.

Së katërti, politika evropiane dhe ajo amerikane për bashkëpunimin ekonomik rajonal të Ballkanit pengohet dhe nuk krijon besim tek të gjithë shtetet e rajonit po për shkak të frikës nga politika e Serbisë. Ballkani i Hapur mbetet nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Argumentohet nga udhëheqësit e këtyre shteteve për sukses. Por edhe në rast se ka disa arritje ato mbeten të kufizuara për këto shtete. Duhet të arrihet edhe mirëkuptimi nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Nuk duhet të ndodhte politika ndryshe, por bashkëpunimi dhe vendimi i përbashkët nga Tirana dhe Prishtina.

Kosova dhe Shqipëria dhe mbarë kombi shqiptar janë të përkushtuar në integrimin euroatllantik dhe në arritjen e një marrëveshjej të drejtë e dinjitoze me Serbinë. Në nevojën për dialog, uljen pa kushte në tavolinën e bisedimeve dhe arritjen e mirëkuptimit, është e domosdoshme të vlerësohet realiteti politik, ndërgjegjësimi i politikanëve dhe mbështetja nga opinioni publik shqiptar dhe atij serb. Qëndrimet e kundërta midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të harmonizohen pa pjesëmarrjen direkte nga gjeopolitika, integrimin e gjithë rajonit dhe qartësimin e kohës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.