Ilmi Qazimi: ‘Ne jemi jondotës’, krerët e këtij populli janë ndotësit e historisë

309
Sigal

 

            Në një mbledhje globale të këto ditëve të fundit, nga ato plot zulmë e roja, gjithë salltanete e hipokrizi, ku u thanë shumë fjalë për klimën e rruzullit, folët  edhe Ju, i respektuar z.kryetar i qeverisë, Edi Rama. Folët shqeto shqiptarçe, por  siç  e kërkon koha moderne e sundimit të kapitalizmit, nëpër të cilën po çapitet edhe Shqipëria. Sinqerisht,më ju lumtë goja! Ua përplasët  më të mëdhenjve  në surrat, ashtu siç e meritojnë. Përplasja me fjalë që u bëtë JU atyre ishte prezantuese për ju si person dhe për ne si popull,  njëherazi ishte preferenciale për ata kryetarë a presidentë që  dëgjonin nga salla apo on-line.Gazi karbonik i bizneseve  shumë- kombëshe mbush qiellin nga Amerika në Europë  dhe ne , këtu buzë Adriatikut  të pastër dhe Alpeve  të kristalta, pa asnjë industri  e bujqësi gazlëshuese,  paguajmë me pará e me jetë për atë ndotje! Kjo është lemeri! Ju lumtë, z.Kryetar!Ju, duke ligjëruar për klimën ,u thatë  më të mëdhenjve, përfaqësues të kapitalit shfrytëzues botëror,disa fjali që mua më duhet  t’i përdor dashamirësisht dhe  shqiptarisht kundër  teje,për hallet e vetes tonë, këtu që ti nuk na i ke zgjidhur e që nuk varen nga klima globale por nga ‘klima’ e juaj personale e qeveritare.

            “Po, ne jemi jondotës“-thatë JU atjeMeqënëse  folët si përfaqësues i një populli, Ju lumtë dhe ju faleminderit! Shqiptarët historikisht nuk kanë ndotur askënd: as ndonjë shtet të botës,as ajrin, as tokën, as detin, por vetëm veten. Por ama  objektivisht ndotës të historisë  së tij kanë qenë drejtuesit  shtetërorë, që nga sundimi pesëqind vjeçar otoman  dhe gjer në vitet e zymta 1914-1944. Vetëm ai çerekshekulli i Skënderbeut të papërsëritshëm  dhe dy vjetshi i Burrit të madh Ismail Qemali mbahen mend si ar i kulluar dhe koha tjetër historike ka qenë e ndotur nga vetë krerët e këtij populli jondotës.Prej  vitit 1944 deri në vitin 1985, kur ndriçoi e nuk ndoti asgjë, por pastroi  rrënjësisht sa mundi,ndotjet  e mëparshme e i dha dritë gjithçkaje shqiptare, ishte vetëm Enver Hoxha dhe partia e tij, së bashku në çdo hap me popullin heroik.Në këto tridhjet  vitet e fundit, pra nga 1990 e t’hu, ndotësi më i madh pas Sali Berishës, jeni JU. Ai na ndoti me  huliganizma e vrasje pas shpine, me përçarje e  hakmarrje, djegie e shkatërrime, (e ç’nuk  bëri e ç’nuk po bën ende ai!),e Ju me  pohime antihistorike dhe mohuese , me koncensione e   politika të hapura, me premtime të parealizuara për vende pune etj.

Jeni ju  ai që ndotët historinë kur ngritët lart e më lart Mit’hat Frashërin duke ulur të tre frashërllinjtë e tjerë.Pra edhe babain e Mit’hatit, Avdylin i cili harxhoi  tërë pasurinë materiale e  mendore për Shqipërinë. Mit’hati,edhe pse ishte intelektual me sqimë, shiti atdheun te greku dhe gjermani duke qenë në krye të Ballit Kombëtar tradhtar, dhe ju e bëtë Mit’hatin sikur të kish qenë hero i këtij kombi!?Dhe nuk thatë  as nuk shprehni, asnjë llaf për 28 mijë dëshmorët e 130 heronjtë e vërtetë që dhanë jetën,gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, që të mos ndotej kombi ynë nga pushtuesit fashistë e nazistë. E kuptoj se ua do puna që  të shpërbleni  deri në dy-tre breza ish-të përndjekurit politikë  të socializmit.Por përse i ke harruar mbi 23 mijë familjet e  dëshmorëve dhe   mbi 15 mijë familjet e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare,asaj lufte  që solli çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi? Është ndotje  tepër e rëndë për vendin tonë që  Organizatës  Kombëtare të Veteranëve  me një  anëtarësi  veteranësh e pasardhësish  të tyre prej afro 15 mijë  vetë, u keni akorduar 140 mijë lek  për një vit?Shifër  indinjuese, fyese! Po  Organizatës  Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve nuk u keni dhënë asnjë lloj fondi prej disa vjetësh, që kur ua hoqi antishqiptari S.Berisha? Përse i keni shpërfillur këto dy organizata kombëtare që i ka dhe i mban çdo shtet i  botës së qytetëruar, nga lindja në perëndim? A nuk është kjo një njollë shumë më e madhe  se ajo e ‘karbonit’ amerikan?! Është koha që qeveria dhe ju personalisht të reflektoni në trajtimin financiar dhe historik të  këtyre dy organizatave, të vetmet që , pa rënë aspak peng e së kaluarës, mbrojnë idealet  e bijve që kanë dhënë jetën për atdheun, idealet shqiptare të pavarësisë, lirisë, ardhmërisë kombëtare.