Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Shqipëria dhe abuzimet partiake me integrimin

598
Sigal

Sa herë që Shqipëria bën një hap më pranë Bashkimit Evropian ngrihet tensioni politik brenda vendit. Palët politike kryesore hedhin dorezat e zeza kundër njëra-tjetrës si kalorësit mesjetarë në ftesat për duel. Mediat rritin tymnajën hipotetike plot hamendësi amatoreske “pro” dhe “kontra”.  Midis politikës konfrontuese dhe mediave hamendësuese ndërfutet një shtresë oportuniste që me sjelljen “as mish dhe as peshk” përpiqet të përafrojë të papajtueshmet. Dhe, si në pozitën e “neutralitetit diplomatik”, diplomatë të huaj vetëm sa i shtojnë vaj “tymit të temjanit”, era kutërbonjëse e të cilit po bëhet e bajatshme për opinionin publik shqiptar.

 

Aktorë të ndryshëm, sjellje të njëjta

 

Kjo histori po përsëritet prej vitesh përgjatë rrugës shqiptare drejt integrimit Euro-Atlantik. Aktorët kryesorë politikë të njëjtë, PS dhe PD, i qasen në mënyra kontraverse hapave drejt integrimit…Kur janë në mazhorancë mbajnë me ose pa meritë flamurin e monopolit të integrimit kundër opozitës…Kur janë në opozitë akuzojnë me ose pa të drejtë posesivizmin e mazhorancës…Në këtë histori ciklike që shoqëron procesin integrues të Shqipërisë drejt integrimit Euro-Atlantik aktorët politikë kryesorë zëvendësojnë njëri-tjetrin në raportet mazhorancë-opozitë. Ndërkohë, ky rotacion ndryshon shifrat e përfaqësimit, por jo vijën e sjelljes politike, e cila vijon të mbetet e njëjtë. Është një sjellje politike stereotipe që vetëm ndërron vendet në parlament. Është fakt sa dramatik aq edhe komik. Dramatizmi godet qytetarët e këtij vendi. Komizmi mbulon bufonet e politikës.

 

Posesivizimi i mazhorancave

 

Një nga shkaqet themelore që prodhon këtë qasje stereotipe të aktorëve kryesorë politikë shqiptarë ndaj integrimit Euro-Atlantik është përpjekja për “përvehtësimin” ose posesivizmi i mazhorancave qeveritare të hapave drejt tij. Kjo sjellje posesiviste e mazhorancave ndaj arritjeve të integrimit provokon reaksionin e opozitave, të cilat bëjnë çdo gjë kundër avancimit të integrimit, vetëm e vetëm që mos t’i lënë mazhorancave kredenciale politike të brendshme. Të dy aktorët politikë madhor, PS dhe PD pavarësisht nga pozita e tyre politike, synojnë paradoksikalisht të damkosin kundërshtarin, pa marrë fare parasysh që dëmtojnë rëndë qytetarin shqiptar dhe përkeqësojnë gjithnjë e më shumë imazhin e Shqipërisë në BE si dhe ulin përherë e më tepër reputacionin ndërkombëtar të vendit. Në thelb të posesivizmit mazhoritar të integrimit qëndron mbajtja e pushtetit. Për këtë qëllim politik mazhorancat përfshihen në arrogancë politike. Kjo arrogancë ndjek mekanizma “të dalë boje” , që e huazon “copy&paste” nga mazhorancat paraardhëse: injorimin dhe ekskludimin e opozitës nga integrimi.

 

Fajësimi i opozitave

 

Të përballur me përpjekjen e mazhorancave për të përdorur integrimin për kredenciale politike të brendshme, opozitat sillen me mendje lokale, duke hedhur “bashkë me ujin e turbullt edhe foshnjën”, pra duke penguar hapat integrues, për hir të dështimeve të brendshme të mazhorancave. 

Në thelb të kësaj vije sjelljeje opozitare qëndron lufta për pushtet më tepër se çdo prioritet tjetër. Opozitat përfshihen në rrugën obstruktive. Ky obstruksion opozitar përdor dy mekanizma “të dalë boje”, që i huazon nga opozitat paraardhëse: bojkotin e brendshëm dhe bllokimin e integrimit.

 

Nihilistë të vazhdimësisë

 

Me këtë sjellje stereotipe të më shumë se dy dekadave, dy aktorët politikë kryesorë të vendit, në thelb i karakterizon nihilizmi i vetvetes. Themi i vetvetes, sepse ata, duke bojkotuar së brendshmi dhe duke bllokuar integrimin, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mohojnë ose dëmtojnë punën dhe përpjekjet që kanë bërë edhe vetë gjatë kohës në pushtet. Pra, bashkë me mohimin e hapave progresivë të mazhorancave drejt integrimit, opozitat injorojnë edhe kontributet e mëparshme të veta. Mjerisht aktorët politikë kryesorë nuk konsiderojnë faktin se integrimi është proces. Si proces, integrimi është arritje e një periudhe të gjatë kohore, përgjatë të cilës kanë ndodhur shumë rotacione, me alternime të njëpasnjëshme mazhorancë-opozite. Ky proces do vijojë të jetë i gjatë. E si i tillë do pasohet sërish me rotacione të tjera. Këtë fakt proces aktorët kryesorë, PS dhe PD nuk e marrin parasysh duke mohuar vazhdimësinë.

 

Injorues të gjithë-përfshirjes

 

Në këtë histori stereotipesh politike ajo që tejshkon dy aktorët politikë kryesorë është sjellja jo evropiane, që ka të bëjë me injorimin e parimit të katërt të qeverisjes evropiane, që është gjithëpërfshirja ose, e thënë ndryshe, baza e gjerë vendim-marrëse. Në vend të gjithëpërfshirjes aktorët politikë kryesorë të vendit, PS dhe PD, preferojnë përjashtimin. Në fakt përjashtimi është kryekëput në kundërshtim me filozofinë, parimet, konceptet, politikat sikundër edhe kundër vetë strukturës shumë-institucionale dhe shumë-nivelëshe të Bashkimit Evropian. Në këtë strukturë të demokracisë evropiane bashkëjetojnë në të njëjtën kohë individet, komunat, landet, kantonet, shtetet dhe institucionet evropiane. Ky vertikalitet plot diversitet ekziston dhe funksionon në mënyrë kohezive në sajë të një parimi: gjithëpërfshirjes. Përballë këtij modeli demokratik evropian me diversitet politik dhe kohezion funksional, demokracia shqiptare rreket drejt një modeli politik konfliktual dhe jo koheziv. Kjo përplasje principale midis modelit evropian të demokracisë dhe modelit të përçudnuar shqiptar të demokracisë ka shkak themelor injorimin e parimit të rëndësishëm të gjithëpërfshirjes.

 

Aktori i tretë, më konstruktivi

 

Në mjedisin politik shqiptar gjithnjë e më tepër po ndikon aktori i tretë, LSI. Ky aktor, ndonëse më i vogël ka arritur të tejkalojë partikularizmin ideologjik. LSI ka kuptuar dhe zbatuar më mirë se aktorët kryesore PD dhe PS aksiomën sipas së cilës “në demokraci politika bazohet në shkencë më shumë sesa në ideologji“. LSI është e para forcë politike që “theu” paragjykimet ideologjike mediokre. Kjo thyerje stereotipesh ideologjike u interpretua në mënyra të ndryshme. Fanatikët e majtë e quajtën “tradhti ideologjike të së majtës“. Fanatikët e djathtë e quajtën “luftë për pushtet të përhershëm”.  Të dy palët fanatike, majtas dhe djathtas kanë fanatizëm në filozofinë politike. Janë padyshim edhe më pak evropian. LSI me sjelljen e vet post-partikulare ka tejkaluar kufizimet ideologjike, i ka kontribuar vazhdimësisë të proëesit integrues si dhe ka shërbyer si hallkë lidhëse për sigurimin e gjithë-përfshirjes konsesuale në reformat më madhore dhe të vështira të vendit. Nuk ka asnjë dyshim që aktori i tretë politik, LSI ka sjellë më së shumti frymë, sjellje dhe kontribute evropiane në proçeset e brendshme dhe ka qenë më konsistente në rrugën integruese të vendit. Vazhdimësia dhe gjithë-përfshirja janë parimet dominuese në filozofinë politike të LSI. Dhe kjo është filozofi evropiane.