Në Perëndim u përfshinë gjithashtu të gjithë. Organizata të shumta humanitare nga OKB. Një solidaritet e paparë, por edhe një lloj drojtje politikisht e motivuar, sidomos me ndihmat që jepen po ndihmohet regjimi i Bashar Al- Asadit në Damask apo po favorizohet Erdogan në zgjedhjet e muajit maj në Turqi
Turqia dhe Siria po përjetojnë një tragjedi të paparë ndonjëherë. Tërmeti i fuqishëm i fillimit të muajit shkurt tronditi qytetet e fshatrat në kufi të këtyre vendeve. Tërmeti goditi qytetet turke të Marashit, Gaziantepit, Sanliufrës, Hatay-t, Adanasë, Dyabarkyr, Osmanie, Kilis dhe Malatye në juglindje të Turqisë, si dhe rajonin e Idibi-t dhe Aleppos në veri-perëndim të Sirisë. U godit gjithashtu rajoni verior i Sirisë, ku jetojnë kurdët! Janë raportuar mbi 40 mijë viktima, si dhe dyfishi me të plagosurit. Janë gjithashtu miliona të pastrehët. Janë shkatërruar mbi 6000 pallate e godina të tjera. Kurrë nuk ka ndodhur që një fatkeqësi e tillë të mbërthejë kaq keq, në dimër të acartë e në mëngjesin e hershëm, kur thuajse të gjithë ishin në gjumë. Hasan Soezbilir thotë se një tërmet i tillë ndodh njëherë në 400-500 vite. Fati në aksident bën që mijëra njerëz t’u gëzohen atyre pak rasteve kur nga rrënojat dalin pas mbi 100 orëve njerëz të gjallë. Ndërkohë të tilla fatkeqësi krijojnë gjithnjë atmosferën e solidaritetit midis popujve e kombeve, si dhe brenda vendeve përkatëse, kësaj radhe të Turqisë dhe Sirisë. Mijëra shpëtim-kërkues dhe dhjetra ekipe shkuan menjëherë në vendin e tragjedisë, sidomos në pjesën turke të dëmtuar nga tërmeti. Ata vazhdojnë ende të nxjerrin njerëz të gjallë nga rrënojat që shkaktoi tërmeti. Shpëtim-kërkuesit erdhën në vendin e ngjarjes së rëndë nga e gjithë bota, nga lindja e perëndimi! Në lindje ishte Republika Popullore e Kinës dhe vende të tjera që dërguan forca speciale të ndihmës e solidaritetit në rajon, si dhe mjete e ndihma të shumta. Në Perëndim u përfshinë gjithashtu të gjithë. Organizata të shumta humanitare nga OKB e deri te vende e shtete të veçanta janë mobilizuar për t’u gjendur pranë zonave të dëmtuara. Një solidaritet e paparë, por edhe një lloj drojtje politikisht e motivuar, sidomos me ndihmat që jepen po ndihmohet regjimi i Bashar Al- Asadit në Damask apo po favorizohet Erdogan në zgjedhjet e muajit maj në Turqi. Ndërkaq Turqia dhe Greqia, dy vende në konflikt të ngrirë, lanë mënjanë konfliktin dhe u solidarizuan pa kushte! Ministri i Jashtëm grek, Dendias, shkoi në rajonin e prekur nga tërmeti dhe u takua me homologun e tij turk Cavugoslu. Më pas ata të dy hipën në helikopterë për të vizituar zonat e prekura nga tërmetet. Kjo do të thotë se fatkeqësitë i detyrojnë edhe vendet në konflikt të bëjnë paqe. Ky lloj solidariteti ndoshta është më i spikaturi në rastin e tërmetit në lindje të Turqisë e në Siri. Po ashtu Siria, pas një hezitimi disa ditor, u detyrua të hapë kufijtë dhe të pranojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar! Sirianët kanë më shumë se një dekadë të përfshirë në konfliktin civil dhe tërmeti ishte si të thuash një moment që e vështirësoi tej mase jetën e tyre. Solidariteti i vendeve të shumta dhe organizatave ndërkombëtare mund dhe duhet t’i zbusë dhimbjet e vuajtjet e tyre, së paku sa i përket dëmeve të shkaktuara dhe lehtësimit të jetës së të mbijetuarve. Ashtu si në Turqi, edhe në Siri, janë të shumta ekipet e shpëtim-kërkuesit nga e gjithë bota, përfshirë Republikën Popullore të Kinës. Sanksionet, të cilat ende janë në fuqi për Sirinë, ndoshta bëhen pengesë e ndihmave humanitare. Por kufiri midis Turqisë dhe Sirisë duhet të zhduket e të gjithë të dëmtuarit e viktimat e tërmetit duhen trajtuar si njerëz që kanë nevojë për ndihmë e solidaritet. Diferenca midis Turqisë dhe Sirisë gjendet edhe te sistemi i shëndetësisë. Ndërsa Ankaraja ka investuar fuqishëm për infrastrukturën shëndetësore, Damasku nuk ka mundur ta bëjë këtë, edhe për shkak të konfliktit të stërgjatur dhe krizës së dekadës së fundit. Ndërsa nga qytetet e Turqisë u mobilizuan mijëra automjete të ndihmës mjekësore si dhe mjek, infermierë dhe sanitarë, nga ana e Sirisë këto mundësi janë të kufizuara. Kjo përbën një vështirësi shtesë për Sirinë, e cila mund të përballohet vetëm me angazhimin serioz dhe të përkushtuar të OBSH-së dhe Kombeve të Bashkuara dhe organizatave e vendeve të fuqishme në ndihmë të përballimit të pasojave! Ekipet e shpëtimit nga e gjithë bota ka më shumë se një javë në veprim. Megjithatë qindra e mijëra viktima të tjera gjenden nën rrënoja. Çdo ditë që kalon veniten shpresat për shpëtimin e jetëve të tyre. Kjo e bën më të zymtë situatën dhe më të vogël shpresën se do të kemi sa më shumë të mbijetuar. Megjithatë tërmeti në Turqi e Siri na jep edhe njëherë mësimin e madh se solidariteti është mënyra e vetme e ndërtimit të një botë të paqtë, të sigurt dhe stabile. Vetëm përmes bashkëpunimit e solidaritetit njerëzor e ndërshtetëror mund të kemi një botë më të mirë e më të zhvilluar!


















