Ahmetaj do kërkojë azil? Si i hapën pronarët e inceneratorëve llogarit bankare në Turqi për të marrë miliona. Nis gjykimi për aferën e Elbasanit

118
Sigal

Inceneratorët dogjën fondet dhe zyrtarët, por jo plehrat

Inceneratorët me pronarët në kërkim vijojnë të marrin para me dy pagesa të tjera në një llogari në Turqi, e cila është hapur vetëm në muajin dhjetor. Ndërkohë që ngushtohet rrethi, Ahmetaj ka nisur tratativat në ato vende që pranojnë dhe azile.

 Skandali i inceneratorëve, afera më e madhe korruptive e dekadave të fundit. Çdo ditë dalin në pah detaje të reja lidhur me pagesa dhe zyrtarë të përfshirë. Ish-drejtorja e Tatimeve, Brisida Shehaj denoncoi në Task Force, dy pagesa të tjera që u janë bërë pronarëve të inceneratorëve, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Shehaj tha se pagesat e fundit janë bërë në një llogari në Turqi, e cila është hapur vetëm në muajin dhjetor. “Do mendoja që kemi hetim nëse shteti shqiptar nuk do të lejonte që paratë tona të transferohen sa në Holandë sa në Turqi. Se është hapur një llogari në dhjetor. Në 28 dhjetor janë kryer dy transaksione, pagesa të nisura nga Shqipëria drejt Turqia. Do besoja nëse do kishte të arrestuar njësinë e zbatimit të projektit. Do besoja te hetimi nëse do të ishin marrë inspektimet financiare të znj.Anila Denaj, janë tituj ekzekutivë, ka gjoba, penalitete, masa disiplinore, detyra të lëna për të gjithë, problematika për Arben Ahmetajn. Duhet të ishte Arben Ahmetaj në burg dhe jo Entleva Kodin për një biletë avioni, apo se fliste në email me email dhe jo Abren Ahmetajn që ishte familjarisht sa në Maltë, Milano, Vjenë. Këtë do besoja unë. Teknikisht nuk ka hetim, është karagjozllëk nga i pari tek i fundit”, -u shpreh Shehaj.

1–Oligarkët presion

Gazetarja Anduena Llabani tha gjatë një emisioni se Arben Ahmetaj është larguar jashtë Shqipërisë. Sipas saj, ai synon të përfitojë azil për t’i shpëtuar arrestimit për aferën e inceneratorëve.‘Ti mendon se Arben Ahmetaj është njeri që nuk ka bërë gjëra duke ndihmuar njerëz me influencë në këtë vend? Sigurisht që po, dhe janë ata të parët që janë hedhur në terren. Do të shkojnë disa emra në prokurori, e nuk do të shkojë Arben Ahmetaj. Ai ka nisur tratativat dhe kohët e fundit ka të dhëna, që ka dalë jashtë vendit në ato vende që pranojnë dhe azile. Të jesh e sigurtë që këta kanë edhe sigurinë që nuk do të bëhet asgjë. Ne kemi njerëz të cilët, janë me precedentë penalë, me para, që punojnë për pushtetin, që blejnë vota gjatë zgjedhjeve elektorale, të cilët njoftohen dy ditë para, që largohu ti bashkë me shokët e tu”,- tha Anduena Llabani. Ne po flasim për njerëz që kanë influencë, që për shumë faktorë të rëndësishëm në këtë vend, edhe nga ata oligarkë pranë Ramës, që janë hedhur në mbrojtje, që Arben Ahmetajt t’i garantohet një pafajësi juridike dhe largimi i tij nga vendi’, shtoi ajo!

2—Kalon për gjykim dosjen e inceneratorit të Elbasanit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 21 shkurt 2023 të pranojë kërkesën e prokurorisë respektive për kalimin në gjykim të dosjes për inceneratorin e Elbasanit, për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka ngritur akuzë ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllaku dhe pesë zyrtarëve të tjerë, si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja. Po ashtu, nën akuzë penale janë edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Vendimi për kalimin për gjykim u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj. Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, veç kërkesës së SPAK, për gjykim janë dërguar edhe kërkesat e të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Janë gjithsej 101 fashikuj, që së bashku me provat materiale që do të shqyrtohen gjatë gjykimit në themel të kësaj afere të dyshuar korruptive.

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë nën akuzë për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Mërtiri përshkruhet nga prokuroria si “pronari faktit i shoqërisë“Albtek Energy””, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e shtetases Stela Gugallja.

Të gjithë zyrtarët janë aktualisht në burg ose në masa sigurie të tjera, ndërsa administratorët e kompanive të inceneratorëve janë shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit.

SPAK është përballur me pikëpyetje të shumta për mungesën e veprimeve prej saj për shumë dokumente të bëra publike, përfshirë incineratorin e Tiranës dhe zyrtarë të tjerë që duket se kanë përfituar nga grupi i incineratorëve. Pak kohë më parë, prokuroria bëri të ditur se “hetimet vijojnë” për ato që i cilësoi “rrethana dhe fakte” për shkelje të tjera ligjore.