1250 euro të falsifikuara, arrestohet 20-vjeçari, i reklamonte paratë në rrjetet sociale

97
Sigal

Shtetasi B. B., 20-vjeç është vënë në prangat e policisë pasi policia i ka gjetur 1250 euro të falsifikuara.

Policia bën me dije se ai i reklamonte eurot false në rrjetet sociale me qëllimin për t’i shitur ato.

Në momentin e ndalimit nga policia ai ka qenë me një pako me 300 euro të falsifikuara me vete të cilat do i dërgonte me postë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me DVP Vlorë, operacioni policor i koduar “Euro post”. Reklamonte dhe shiste online, kartëmonedha euro të falsifikuara, vihet në pranga 20-vjeçari. Sekuestrohen 1250 euro të falsifikuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të parave, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që reklamonte online në rrjete sociale, para të falsifikuara, me synimin për t’i shitur ato, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Euro post”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 20 vjeç, banues në Vlorë. 20-vjeçari është kapur në flagrancë në momentin që do të dërgonte me postë, një pako, brenda së cilës u gjetën 300 euro të falsifikuara. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. B., pasi siguronte kartëmonedha euro të falsifikuara, i reklamonte dhe i shiste ato, në rrjetet sociale.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, 950 euro të falsifikuara, të cilat u sekuestruan nga Policia, së bashku me shumën e eurove që u gjet në pako. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.