Prof. Dr. Ago NEZHA/ Reforma/ Shoqata “Labëria”: Thirrje deputetit, t’i shërbej popullit

610
Sigal

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, duke ndjekur zhvillimet e fundit politike brenda dhe jashtë vendit, vëren me shqetësim se, ka disa dukuri dhe qëndrime të personaliteteve apo përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar për çështjen e reformës territoriale që bien ndesh me realitetin historik të Trevës së Labërisë. Deklarimet e bëra nga ndonjë deputet që përfaqëson zonën e bregdetit, se Himara nuk mund të vendoset në një hartë territoriale me Lumin e Vlorës, sipas projektit të reformës territoriale, strukturuar më së miri nga ekspertët e fushës, është sa diabolike aq edhe antikombëtare. Motivi që e shtyn ta kundërshtojë e ta hedhë poshtë këtë projekt deputetin e zonës së Himarës, është argumenti qesharak se, Himara sipas tij, na qenka “minoritet”. Ky pohim me prapavijë të qartë politike, është sa provokues aq dhe djallëzor duke i shërbyer neo- vorio-epiriotëve të sotëm që duan të trazojnë klimën politike të fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dy vendet tona mike, kanë një traditë të lashtë të miqësisë vëllazërore dhe kanë ndarë bukë e krip në ditët më të vështira të jetës së tyre. Labëria, vazhdimisht ka qenë dhe është për një fqinjësi të mirë, pa trazuar ujërat e marrëdhënieve tona që kanë një traditë shekullore dhe që janë, duke u forcuar nga qëndrimet korrekte diplomatike të dy qeverive tona të sotme. Ne si Labëri, duam t’i kujtojmë deputetit, që kërkon të deformojë historinë, se Himara, e cila ka qenë Kryeqendra e Labërisë prej shekujsh, ka pasur nën juridiksionin e saj 52 fshatra që shtrihen deri në buzët e ujërave  të  Vjosës, në Tepelenë. Janë aq të shumta dëshmitë dhe dokumentet vendase dhe të huaja për këtë të vërtetë qindra shekullore, sa vetë tellalli që e shet nuk e beson këtë gënjeshtër nga halli që e ka zënë. Përkundrazi, projekti i ri i reformës territoriale, korrigjon dhe çon në vend një gabim të rëndë dhe një padrejtësi historike në ndarjen e sforcuar territoriale të deritanishme. Këta falsifikatorë të historisë, që me ligësinë e tyre, i bien ndesh të vërtetës për t’iu shërbyer qorrazi qarqeve antikombëtare si renegatë kërkojnë të  pështyjnë në klimën e mirë paqësore, për të sjellë përçarje midis dy popujve tanë miq. I bëjmë thirrje deputetit të Parlamentit Shqiptar dhe sejmenëve të tyre që të kthjellohen dhe të vihen në rolin e tyre demokratik si përfaqësues të popullit që ju ka dhënë votat. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, e dënon me forcë këtë qëndrim provokues dhe helmues të klimës paqësore midis fshatrave të një krahine, të dy vendeve tona fqinje. Ne i bëjnë apel deputetit – tellall të politikave shoviniste të segmenteve antikombëtare që t’i bëjë një lavash mendjes dhe ndërgjegjes së tij të vjetruar e jashtë kohës dhe t’i kërkojë falje vendlindjes së tij, trevës së Labërisë, për këto “rrufe” të stisura në një qiell të pastër. Zëri i tij i helmuar që vjen nga altoparlantë të ndryshkur, të cilët  koha i ka hedhur prej dekadash në plehrat e një historie të tejkaluar, do jetë një zë në shkretëtirë që s’do ta dëgjojë asnjeri në ditët e sotme, në ditët kur popujt kërkojnë të integrohen në familjen e madhe europiane për të jetuar në miqësi të plotë.