Drejtorët që po grabisin pronat e shqiptarëve

2534
Sigal

Titullarja Anila Shehu në mbrojtje të organizatorit të protestave kundër Linda Ramës. Ja objektet e privatizuara dhe përfitueësit

Drejtorja e Qytetit Studenti, znj. Anila Shehu, mbron z. Edison Çelën, organizatorin e protestave kundër Linda Ramës, gruas së Kryeministrit Rama. Bëhet fjalë për skandalin e privatizimeve të kundraligjshme të ambienteve të ndryshme të Qytetit Studenti, ku një nga përfituesit, sipas burimeve të sigurta, është dhe z. Edison Çela. Kjo ngjarje që vijon sot me drejtoren Anila Shehu e ka zanafillën që në kohën kur drejtor i Qytetit Studenti ishte Bujar Brovina. Në vitin 2010 pa asnjë lajmërim ndaj subjekteve që kishin kontratë qiraje për ambiente të caktuara në qytetin studenti, brenda 4 ditëve është bërë privatizimi i këtyre objekteve. Ndërkohë, të gjithë ata persona të cilët kishin kontratë të rregullt qiraje kanë çuar para drejtësisë drejtorinë e qytetit studenti dhe janë edhe sot e kësaj dite në proces gjyqësor. Sot kjo drejtori përfaqësohet nga Anila Shehu, e cila edhe pse zotëron dokumentacionet e procedurave të privatizimit, në kundërshtim me ligjin, të hasura këto edhe nga kontrolli rutinë i KLSH-së, nuk anulon këto procedura, por vijon të harxhojë lekët e studentëve në mbrojtjen e përfituesve të këtyre pasurive shtetërore në mënyrë të paligjshme. Në raportin e KLSH-së, e publikuar në vitin 2012 raportohen një sërë shkeljesh nga administrata e qytetit studenti, shkelje të cilat vijojnë të mbrohen nga drejtorja e sotme Anila Shehu. “Shpërndarja e “të ardhurave nga qiratë”, nuk është bërë konform VKM nr. 1712, datë 24.12.2008 “Për dhënien me qira ose Enfiteozë të Pasurive të Ndërmarrjeve, Shoqërive dhe Institucioneve Shtetërore”, pasi Shoqëria nuk ka derdhur në buxhet vlerën prej 12,082,566 lekë llogaritur deri më 11/8/2011, për shkak të gjendjes së dobët financiare. Gjithashtu, Shoqëria ka një gjendje të lartë të “lëndëve të para” në fund të vitit 2011 në vlerën 16,486,483 lekë, e cila është e pa justifikuar me objektin e veprimtarisë dhe krijon risk për shoqërinë; Jo të gjithë objektet që janë regjistruar në “zërin troje”, janë regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas kërkesave të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar; nga Shoqëria ende nuk është përgatitur një dokument, ku të përshkruhen organizimi dhe procedurat kontabël, të nevojshme për kuptimin e sistemit të trajtimit të informacionit kontabël dhe të kryerjes së auditimit. Po ashtu, nuk janë llogaritur provizione për llogaritë e arkëtueshme afatshkurtra “Të drejta dhe detyrime për zhdëmtime” në shumën 4,658,054 lekë, arkëtimi i të cilave është i pa mundur. Edhe pse është shoqëri aksionere, që realizon të ardhura nga dhënia me qira e ambienteve dhe nga akomodimi i studentëve, ajo nuk ka aplikuar fatura tatimore për shërbimet që kryen; Nga vlerësimi i dokumentacionit të dhënies me qira të objekteve: “Ambient pranë godinës 12” dhe “Ambient pranë godinës 13”, ka rezultuar se ai nuk është bërë konform përcaktimit të pikës 1, kreut II, të VKM-së nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, gjë për të cilën KLSH ka arritur në përfundimin se ndodhet në kushtet e konsumimit të figurës së veprës penale”, thuhet në raportin e KLSH-së. Gazeta “Telegraf” zbardh sot kërkesën e z. Din Vuka, një prej të dëmtuarve, drejtuar z. Shkëlqim Ganaj, Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për të mbajtur qëndrim në lidhje me çështrjen në gjykim, përderisa ekzistojnë informacionet e konfliktit të interesit mbi aktin e privatizimit.

KËRKESA

Unë kërkuesi jam një prej shumë personave të tjerë që kam marrë me qira një ambient shërbimi në Qytetin “Studenti”, Tiranë. Ambienti është marrë me qira prej shumë vitesh, duke u lidhur kontrata te vazhdueshme me kohëzgjatje të ndryshme. Kohët e fundit kam lidhur me Drejtorinë e Qytetit Studenti një kontrate me afat 10 vjeçar. Ky fakt provohet me aktin “Kontratë qiraje Nr 2714 Rep, Nr. 471 Kol, datë 14.07. 2010 midis palëve Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila në kontratë do të quhet “Qiradhënësi” dhe që përfaqësohet nga z. Igli Stambolla, Drejtor i Administrimit të Pronës Publike në këtë Ministri dhe qiramarrësit Din Vukaj”. Afati i kontratës është 10 vjet nga dita e hyrjes në fuqi të saj. Kjo kontratë është bërë me procedurë tenderimi, ku fitues është shpallur Din Vuka. Veç meje kane ambiente me qira edhe personat e tjerë si Bashkim Prençi, Tonin Ndoi, Taulant Legisi, Antoneta Legisi, Eduart Prenga, Nuhi Çoka, Suzana Caco, Baki Domi, Lavderim Sehitaj, Fatmir Kodra, Besnik Hajredini, Qefsere Voka, Ylber Voka, Arben Allaraj, Ilir Biba, Paskal Semini, Fatmir Sokolaj, Artan Bitri. Ka qenë vetë drejtori Bujar Brovina në shumicën dërmuese të tyre që ka qenë nënshkrues i këtyre kontratave. Të gjithë qiramarrësit ishin dhe janë aktualisht posedues të ambienteve të marra me qira.

Privatizimi

Në vitin 2010, me propozim të Drejtorit të Qytetit Studenti, pa asnjë lajmërim ndaj nesh, kanë filluar procedurat e privatizimit të këtyre objekteve. Konkretisht, i është propozuar Ministrit të Ekonomisë që të privatizohen për arsye se prej tyre nuk vijnë të ardhura, duke mohuar kështu faktin që prej këtyre objekteve merreshin të ardhura të konsiderueshme nga kontratat e qirasë së mësipërme. Ministri i Ekonomisë ka ngritur Komisionin e Vlerësimit duke caktuar në këtë komision:

Renis Hasho – kryetar

Bujar Brovina  – anëtar, etj..

Ky Komision ka fshehur përsëri faktin që këto objekte kanë qenë ne qiradhënie dhe prej tyre merreshin të ardhura. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Në fund të procesit të privatizimit rezulton si blerës, veç të tjerëve, edhe mamaja e Kryetarit të Komisionit, znj. Kadrije Hasho. Pra Kryetari i Komisionit ka qenë në konflikt të pastër interesi dhe nuk mund të paraqiste të vërtetën. Po te tregonte ky komision faktet reale, privatizimi nuk do të kryhej ose do të bëhej ndryshe.

Kështu, nga korrespondenca në fazën paraprake të procedurës së privatizimit, rezulton se nga ana e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studenteve Nr.l, Tiranë, objekti është trajtuar si i amortizuar dhe që nuk sjell të ardhura! Drejtori Bujar Brovina, në shkresën me nr.283, datë 16.06.2010, që ia dërgon Këshillit Mbikëqyrës të T.S. Nr.l, sh.a. Tiranë, shkruan:

“Sqarojmë se aktiviteti që ushtrohej në objektin ” Mencë” që i përket shoqërisë “Trajtimi i Studentëve Nr.l”sh.a. është i mbyllur si pasojë e humbjeve që rezultonin nga ky aktivitet. Aktualisht ky ambient nuk është në funksion të ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë”. Duket qartë se në këtë mënyrë kërkohet që t’i hapet rrugë privatizimit të objektit. Në përfundim të procedurës, është lidhur kontrata e shitjes së pasurisë së paluajtshme nr.1425.rep, nr.321.kol, datë 20.12.2010. Pas kësaj është bërë regjistrimi i pronës në ZVRPPTiranë.

Në asnjë moment gjatë procedurës së privatizimit ne nuk jemi vënë në dijeni për këtë procedurë, edhe pse sipas Ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, nr.9235, datë 29.07.2004, ndryshuar me ligjin nr.9583, të vitit 2006, neni 8/1, VKM Nr.428, datë 09.06.2010 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes” dhe VKM nr. 1712, date 24.12.2008 “Për dhënien me qira ose enfiteozë të pronës shtetërore” gëzojmë interesa të ligjshëm në privatizimin e këtij objekti. Ky veprim ka qene i qëllimshëm, sepse po të njoftoheshim, ne do të ishim të paret që do të privatizonim këtë objekt për shkak të së drejtës që na jep ligji, por edhe për shkak se ish-pronarët e kane “shitur” të drejtën e tyre të parablerjes se objektit.

Legjislacioni

 Procesi i privatizimit është i kompromentuar nga veprime që mund të klasifikohen si të dënueshme penalisht. Përbën shkelje të Nenit 37 pika 1/b (rastet e skualifikimit) të Kodit të Procedurave Administrative: “Asnjë punonjës i organeve të administratës nuk mund të marrë pjesë në një proces vendimmarrës administrate apo në një lidhje kontrate ku administrata që ai përfaqëson është palë në rastet kur punonjësi ka ose/dhe dyshohet të ketë kushtet e mëposhtme: b) bashkëshorti apo bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë kanë një interes direkt apo indirekt në çështjen në fjalë; Ky fakt sjell pavlefshmëri të veprimit dhe aktit administrativ, sipas Nenit 43 pika 1 të po këtij Kodi (Aktet dhe kontratat në të cilat marrin pjesë punonjësit e organeve administrative që preken nga dispozitat mbi skualifikimin janë të pavlefshme).

Reagimi i Departamentit Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave

 Për këtë problem kane reaguar edhe institucione të tjera shtetërore. Kështu Departamenti Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave dhe Kontrolli i Larte i Shtetit evidentojnë problemet e kontratës së privatizimit.

Në raportin e Departamentit Antikorrupsion pranë Kryeministrit në faqen 5, paragrafi 3 është shkruar:  “Një fakt tjetër i konstatuar nga ana jonë gjatë kryerjes së verifikimit dhe kontrollit të dokumentacionit të privatizimit të këtij objekti është edhe pjesëmarrja në pozicionin e kryetarit të Komisionin të Vlerësimit të objektit të shtetasit Renis Hasho, i cili njëkohësisht ka mbajtur edhe detyrën e Kryetarit të Degës së Shoqërive Publike Tiranë, ku në të njëjtën kohë përfituese nga procesi i mësipërm i privatizimit rezulton të jetë nëna e këtij, shtetasja Kadrije Hasho. Duke iu referuar këtij raporti rezulton se: Kontrata për shitblerjen e objektit të mësipërm është lidhur më datë 20/12/2010, para noteres Ruko Sako, mes palëve Ministria e Financave (DASHPP) përfaqësuar nga drejtori i saj z. Urim Muja, “Trajtimi i Studenteve nrl” sha, përfaqësuar nga drejtori i saj z. Bujar Brovina si dhe blerësit Sevim Peshkëpia, Tefik Çela, Mynyre Toptani, Kadrie Hasho dhe “Satur Construction” shpk. Dorëzimi i objektit rezulton të jetë bërë më datë 17-12-2010 sipas procesverbalit përkatës, të mbajtur nga përfaqësuesi i DASHPP, Idlir Xhoxhi dhe përfaqësuesi i “Trajtimi i Studenteve nr 1″sha, Bujar Brovina.

– Në përfundim të shqyrtimit të dokumentacionit të mësipërm konstatojmë se nga Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së pronës publike) (Komisioni i Vlerësimit të Dokumentacionit të Privatizimit), Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes (Drejtoria e Administrimit të pronës publike) si dhe Komisioni i Vlerësimit të Objektit, nuk është respektuar pika 35 e VKM-se nr.1638, date 17-12-2008, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, ku citohet se “Pasuria shtetërore e dhënë me kontratë qiraje apo enfiteozë mbi 500m2 i shitet në mënyrë të drejtpërdrejte kontraktuesit, në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është më e madhe se 150 % e vlerës së truallit”. Ne rastin konkret, pavarësisht se objekti ishte i dhënë me qira në favor të disa qiramarrësve, organet shtetërore të mësipërme ëe cilat kanë nisur procesin e privatizimit, nuk kanë njoftuar më parë lidhur me këtë proces qiramarrësit, si dhe nuk kanë kryer asnjë verifikim lidhur me faktin nëse mbi objektin janë kryer apo jo investime.

Gjithashtu rezulton se ky proces të jetë kryer në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” (i ndryshuar) ne te cilat parashikohet shprehimisht se: “Kur investimi i kryer është mbi 150% te vlerës së truallit, subjekti kontraktues i paguan shtetit, brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimet e tregut. Shteti ia paguan menjëherë vlerën e truallit, pronarit të tokës.