Frank SHKRELI/Liria është në zmbrapsje

614
Sigal

    Anë e mbanë botës, liria dhe demokracia janë në zmbrapsje, për të mos thënë në rrezik ekzistence. Entuziazmi që pasoi ngjarjet e ashtuquajturës, “Pranverë Arabe” në Lindjen e Mesme, tashti është zëvendësuar me shqetësime serioze nga shumë ekspertë se lëvizjet islamiste kanë marrë peng aspiratat e popullit arab për liri dhe pothuajse njëkohësisht kanë zhdukur mundësitë dhe perspektivat për një zhvillim të vërtetë demokratik në atë rajon të botës.  Kjo vihet re më së miri në vendin më të madh arab, në Egjipt, por edhe në vende të tjera arabe, përfshirë Sirinë ku po zhvillohet një luftë e ashpër, tragjedia e së cilës po ndihet anë e mbanë rajonit dhe më gjerë. Edhe në pjesë të tjera të botës, vala e anti-demokracisë dhe përpjekjet kundër lirisë janë në rritje e sipër. Në Kinë, që është vendi me popullsinë më të madhe në botë, dhe që këtë javë shënon përvjetorin e masakrës në sheshin Tienenman të Pekinit 24 vjet më parë, shtypjet kundër disidentëve dhe atyre që nuk pajtohen me regjimin komunist, janë shtuar dukshëm vitet e fundit. Më 4 qershor, që bie përvjetori i atij që autoritetet kineze e cilësojnë si “kryengritja kundër revolucionare” — sipas lajmeve — masat e sigurisë në Pekin ishin shumë të forta, në krahasim me vitet e kaluara. Me këtë rast, autoritetet kineze kanë ndaluar diskutimet, “online” në lidhje me ndërhyrjen ushtarake me 4 qershor 1989 në sheshin kryesor të Pekinit, ku thuhet se, mund të jenë vrarë mijëra studentë nga ndërhyrja ushtarake.   Kështuqë, vërejtësit thonë se 24 vjet pas masakrës në sheshin “Tiananman”, mundësitë për reforma politike nën regjimin e Presidentit të ri kinez Xi Jinping, duken edhe më të këqija se në vitin 1989, pasi deri tani nuk ka asnjë shenjë se regjimi tij ka në mend të ndërmarrë ndonjë reformë politike që do të kënaqte mbështetësit e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe demokracisë së vërtetë në Kinë. Sipas organizatave që monitorojnë zbatimin e të drejtave të njeriut, edhe në Rusinë e Vladimir Putinit është shënuar gjithashtu, një rritje dramatike në përkeqësimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive në përgjithësi, në atë vend. Sipas dy raporteve të reja nga organizatat e të drejtave të njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch, gjendja e të drejtave të njeriut nën regjimin e  Vladimir Putinit është më e keqja që prej kohës së ish-Bashkimit Sovjetik. Shkeljet e të drejtave të njeriut nga teokracia iraniane janë të njohura mirë nga opinioni botëror dhe rasti i ditëve të fundit në Turqi, ku forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën, duke shpërndarë me dhunë protestuesit paqësorë në Parkun Gezi të Stambollit, habiti botën për nga masat e tepruara të përdorura nga forcat e policisë dhe të sigurimit të shtetit turk.  Parku është i njohur si vend për protesta, por, i cili siç duket  po ndryshohet  me qëllim për këtë arsye, për të mos lejuar protesta në një hapësirë të tillë të qytetit.   Qeveria turke ka miratuar  një projekt-plan të madh për ta kthyer parkun në një zonë ndërtimesh, gjë që ka habitur arkitektët vendas dhe është kritikuar ashpër nga publiku turk. Me reagimin e saj ndaj protestave paqësore, qeveria e Kryeministrit Erdogan tregoi kundërshtimin e tij politik të dhunshëm ndaj pjesëmarrjes në proceset demokratike të bashkëkombasve të vet, me pikëpamjet e të cilëve, ai nuk është dakort. Përkeqësimi i lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës vitet e fundit është i lidhur ngushtë me shkeljen e lirisë së shtypit dhe të medias, pasi pa liri të shtypit nuk as liri të tjera të njeriut, e si rrjedhim as demokraci.   Si shembull, nuk është e rastit që Turqia, sipas organizatës Freedom House, të ketë numrin më të madh të gazetarëve të arrestuar. Për më tepër, në vlerësimin e saj mbi gjendjen e lirisë së shtypit në botë, kjo organizatë thotë se, vetëm një person në gjashtë veta, jeton në një vend të botës që ka media të lirë. Shpresat dhe entuziazmi i para 20-vjetëve, se rënia e komunizmit do të sillte një shpërthim lirie e demokracie anë e mbanë botës, janë venitur. Vërehet ajo që mund të quhet një ngadalësim i veprimtarive demokratike dhe lirive, ndërsa udhëheqësit autoritarë anë e mbanë botës – megjithëse i bëjnë homazhe demokracisë me fjalë- në të vërtetë kanë mësuar nga njëri tjetri duke perfeksionuar mënyrat për të ruajtur pushtetin e tyre, ndërkohë që, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, regjistrojnë çdo vit rënie të lirive demokratike ose në minimum stagnim të këtyre lirive anë e mbanë botës.   Përfshirë fatkeqësisht edhe disa nga vendet ish-komuniste, që 20 vjet më parë frymëzuan botën me përpjekjet e tyre për liri e demokraci, duke rrëzuar pushtetin komunist anë e mbanë Europës -Lindore. Si rrjedhim, mendohej në atë kohë se me rënien e Murit të Berlinit, diktatorët dhe regjimet autoritare anë e mbanë botës do të zhdukeshin gjithashtu me kohë. Por këta diktatorë, nga Rusia, Kina, Turqia, Irani, në të vërtetë nga shumica  e vendeve në botë – të vegjël e të mëdhenj- duke parë “rrezikun” që u vinte nga liria dhe demokracia, u mobilizuan në luftë me kundërshtarët e tyre politikë  dhe njëkohësisht  kufizuan liritë e dhe zhvillimin e demokracisë.  Dëmin më të madh nga sjelljet jo demokratike të këtyre regjimeve e pësojnë, natyrisht, banorët e këtyre vendeve, por këto regjime dhe udhëheqës autoritarë, ashtu siç ndodhte  edhe në kohën e komunizmit, përpiqen të eksportojnë, deri diku me sukses, modelin e tyre të qeverisjes autoritare edhe në vende të tjera. Por, si gjithmonë gjatë historisë, dëshira e popujve për të jetuar të lirë dhe për të vendosur vet fatin si dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor është një fuqi shtytëse e pa mposhtur që nuk shuhet kurrë.   Megjithë shtypjet dhe masakrat, pa marrë parasysh nëse ato ndodhën në Turqi ditët e fundit, ku një grua u pa duke u përplasur ballë për ballë me policinë, apo në Kinë më shumë së dy dekada më parë, ku një student doli para kolonës së tankeve, tregon se njerëzit, për të mos jetuar në robëri, janë të gatshëm të përballen edhe me vdekjen, duke venë në dukje se dëshira e njeriut për liri e demokraci nuk do të vdesë kurrë. Liria dhe demokracia, natyrisht janë jetike për banorët e çdo shteti, dhe për mirëvajtjen e çdo shoqërie normale, por zbatimi dhe respektimi i tyre nga të gjitha shtetet që janë angazhuar me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për t’i mbrojtur ato, janë gjithashtu të rëndësishme edhe për zhvillimin normal të marrëdhënieve ndërkombëtare, për paqen dhe sigurinë në botë, pasi historia është dëshmitare se vendet demokratike nuk futen në luftë me njëra- tjetrën.  Është e natyrshme që zhvillimet demokratike  të pasqyrojnë kulturën dhe traditat e çdo vendi, por ama kanë të përbashkët zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe  ekzistencën enjë opozite të aftë dhe të qëndrueshme. Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka thënë pas sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator, 2001, se: “Për 60 vjet tani, ne kemi menduar se do të mund të vendosnim sigurinë, pa lirinë në Lindjen e Mesme”. Më në fund, -shtoi ajo, -në Lindjen e Mesme, nuk ka as siguri as liri”.  “Duhet ta dimë,- shtoi ish-kryediplomatja amerikane, -se në çdo rajon dhe vend të botës, liria dhe demokracia janë të vetmet garanci për një stabilitet të vërtetë dhe siguri të qëndrueshme”.  Në këtë botë, do të ketë gjithmonë diktatorë dhe regjime autoritare, të cilat do të kundërshtojnë lirinë, të vendosura të kufizojnë dhe  të shtypin të drejtat bazë të njeriut dhe liritë demokratike.  Prandaj, parimet e lirisë dhe të demokracisë, si dhe të lirisë së shtypit kudo duhet të mbështeten nga të gjithë dhe me të gjitha mënyrat politike, ekonomike, morale dhe pse jo edhe ushtarake kur është e nevojshme, pasi abuzimi me të drejtat dhe liritë demokratike, të një kinezi, turku, rusi, iraniani, arabi, ose cilit do popull në botë, është një abuzim dhe shkelje e të drejtave themelore të secilit prej nesh, pa marrë parasysh se ku jetojmë. Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundur përhapja e lirisë dhe e demokracisë në çdo vend, si dhe vendosja e paqes dhe sigurisë në botë dhe të anulohet, ose të pakën të ngadalësohet, ritmi në rritje e sipër i forcës së zmbrapsjes së lirisë dhe demokracisë në çdo kënd të këtij planeti.