Mungesa e mirënjohjes është një ves moral, që shfaq dobësi të karakterit të individit, që Ciceroni e quan si nënën e të gjithë veseve.Më ka shqetësuar ky fenomen, si një dukuri që ka marrë përhapje të gjërë në këto 35 vitet postkomuniste, ku jeta është komercializuar dhe interesat kanë “fluturuar”, duke shkelur mbi çdo normë morale. Janë prishur raportet humane jo vetëm brenda shoqërisë,por dhe brenda familjes, sa që përjetojmë monstruozitete, ku marrëdhëniet burrë grua, prindër fëmijë, shikohen para së gjithash si marrëdhënie interesash. Ky fenomen është tepër tronditës. Kur ndjek emisionin “shihemi në gjyq”, të Eni Çobanit, dëgjon ndodhi për vese, që nuk i rrok arëyeja njerëzore. Tragjeditë që kanë ndodhur me pronat, braktisja e shumë prindërve nga fëmijët dhe për më keq, braktisja e fëmijëve nga prindër të divorcuar, janë bërë një fenomen shqetësues, që po e gërryen shoqërinë tonë në mënyrë kapilare. Shoqëria dhe shteti është bërë indiferent, me qëndrime inerte, duke shmangur përgjegjësinë.

Mungesa e mirënjohjes në këto nivele flet për një shoqëri në degradim, që ka humbur sensibilitetin moral. Shumë familje jetojnë në varfëri të tejskajshme, ndihma sociale është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të jetesës, kur një pjesë e shoqërisë janë pasuruar duke abuzuar me pasurinë kombëtare dhe nuk duan të dinë për situatën që kalon shoqëria shqiptare. Mungesa e mirënjohjes, flet për një shoqëri që ka humbur virtytet, nuk vlerëson, s’tregon respekt, ka harruar të mirën dhe nuk di të falënderojë për nderin që dikush i ka bërë. Tirana si metropol, në kohën e monizmit, ka qënë rezervuari ku derdheshin gjithë problemet dhe nevojat e popullatës të rretheve periferike, veçanërisht të zonave rurale, që e kanë frekuentuar si për raste sëmundjesh, që u është dashur të vizitohen te mjek të specializuar, ashtu dhe për çështje arsimore dhe kulturore. Në kohën e monizmit streha e të ardhurve nga rrethet ishin familjet tiranase, se dhe hotelet nuk i përgjigjeshin nevojave të personave që hynin e dilnin në Tiranë. Shumë familje tiranase, ishin bërë hotel jo vetëm për fisin, por dhe për fshatin nga kishin vendorigjinën. Në vitet e demokracisë humbi mirënjohja dhe shumë prej atyre që dje i kishin zgjidhur problemet nëpërmjet të afërmve dhe miqëve që kishin në Tiranë, qoftë dhe në instanca të larta shtetërore, sillen me egoizëm provincial, se është meritë e tyre për çdo arritje që kanë realizuar. Në refleksion të këtyre dukurive, kam botuar te vëllimi poetik “ Diell i Tradhëtuar “, në vitin 2003, poezinë “Mungesë e Mirënjohjes”: “ Për nderin që kam bërë, nuk dua shpërblim, por një mirënjohje e meritoj, mungesa e mirënjohjes o miku im, është një “shpërblim” që s’mund ta duroj. Dashuria dhe urrejtja kanë kufi, Ai që për nderin s’ka mirënjohje, çdo gjë mund të jetë, por kurrë njeri, kyçe kujtesën, sa më shpejt harroje…Mungesa e mirënjohjes sot, është bërë modë, pasi nuk lidhet me ndjenja, por me interesa përfitimi. Seneka e konsideronte mosmirënjohjen si padrejtësi morale, se njeriu përfiton nga të tjerët pa e pranuar këtë.Ai që merr një të mirë duhet ta kujtojë,ai që e bën duhet ta harrojë. Njeriu mosmirënjohës është si toka e thatë, që nuk e pranon shiun e mirësisë. Shumë dijetar dhe shkencëtarë, kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj mungesës së mirënjohjes. Rreshti është i gjatë, por po e nis me korifeun e letrave shqipe Fan. S. Noli. Noli, në shkrimet dhe fjalimet e tij, shpesh herë theksonte se një popull ose një njeri që harron të mirën, rrezikon të humbasë edhe vlerat morale. Fryma e mendimit të tij mund të përmbëlidhet me këto fjalë:” kombi që harron sakrificat dhe të mirat e bijve të vet, varfëron shpirtin e tij”. Mirënjohja e atyre që bëjnë sakrifica sublime për kombin, meritojnë t’i nderojmë e t’i kujtojmë në përjetësi, brezat. Një popull i kulturuar, duhet të nderojë dhe kujtojë ata që punojnë e sakrifikojnë për të mirën e tij. Harresa dhe mungesa e mirënjohjes për ata që kanë bërë sakrifica, është dobësi morale e shoqërisë.Mirënjohja thotë Noli, është pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe qytetare. Filozofi ynë i shquar, mendimtari dhe rilindasi i madh Sami Frashëri,e shihte mirënjohjen si virtyt të qytetarisë. Mirënjohja theksonte Ai, është shënjë e qytetërimit dhe zemrës së ndershme. Ai, e konsideronte mosmirënjohjen, si mungesë kulture dhe morali. Njeriu i ndershëm, nuk e harron kurrë të mirën që i bëhet. Një shoqëri e shëndoshë, ndërtohet mbi respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë. Shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, ka shumë ironi në poezitë dhe shkrimet e tij, për mungesën e mirënjohjes dhe egoizmin njerëzor. Njerëzit thotë Ai, shpesh kujtojnë interesin, por harrojnë mirësinë. Njeriu harrohet shpejt nga njerëzit, por e mira që bën, nuk duhet harruar.

Mosmirënjohja lind nga egoizmi, mëndjemadhësia dhe ambicja personale.Mirënjohja është vlerë, që tregon madhësinë e karakterit thekson Dritëroi i madh. Për mirënjohjen ka shkruar dhe dramaturgu i madh William Shakespeare, që e ka cilësuar si plagë e marrëdhënive njerëzore, që e përshkruan mosmirënjohjen si më të dhimbshme se tradhëtia e armikut, sepse vjen nga njerëzit që kemi ndihmuar. Sa më e mprehtë se dhëmbi i gjarpërit thekson Ai, është të keshë një fëmijë mosmirënjohës. Këtë filozofi, e përligjin më së miri, gjithë ato drama që përjetojmë sot në shoqërinë shqiptare, të sjelljes që tregojnë fëmijët ndaj prindërve. Shumë mendimtarë e kanë cilësuar mungesën e mirënjohjes si ves moral, padrejtësi ndaj së mirës së bërë, shenjë egoizmi dhe harrese. Fabulisti i njohur Jean De La Fontaine, thotë që mosmirënjohja është sëmundje e shpirtit, që harron shpejt të mirën, që kanë bërë të tjerët për ne. Kjo shfaqet te njerëz që nuk kanë karakter të qëndrueshëm dhe moral të shëndoshë. Mosmirënjohja, shfaqet si dobësi shoqërore dhe politike. Niccolo Machiavelli, thotë se njerëzit janë nga natyra mosmirënjohës, të paqëndrueshëm dhe të shtyrë nga interesat. Ai,vëren, se mosmirënjohja shfaqet dukshëm, veçanërisht në politikë, sepse interesat janë koniukturale dhe ndryshojnë shpejt. Politikanët i përdorin rëndomtë këto slogane, për të treguar se mirënjohja në politikë është e përkohëshme dhe se politika nuk ka moral. Ky koncept, është një formë abuzimi. me rolin dhe përgjegjësinë që ka politika në drejtimin e shoqërisë. Përcaktimit të mungesës së mirënjohjes nuk i ka shpëtuar as filozofi kinez, Konfuci, që thotë: “ Kur pimë ujë,mos harrojmë burimin”. Një përcaktim i hollë filozofik, me profil aziatik. Ciceroni ka një definicion mbivlerësues kur thotë se: “ Mirënjohja nuk është vetëm virtyti më i madh, por dhe nëna e të gjitha virtyteve të tjera”. Përcaktimit filozofik të nocionit të virtytit, si kanë shpëtuar dot as liderët e politikës botërore si John F. Kennedy, që e ka formuluar në mënyrë sintetike: “ Ndërsa shprehim mirënjohjen tonë, kurrë nuk duhet të harrojmë se vlerësimi më i madh nuk është ta themi, por ta jetojmë”. Por nuk mungojnë dhe shembujt e mirënjohjes pakufi të disa familjeve në nevojë që janë pastrehë, në kushte të mjerueshme ekonomike dhe disa organizata bamirësie si Fundjava Ndryshe,…..apo biznese, që ju vijnë në ndimë duke ju ndërtuar shtëpi apo lidhur pension të përhershëm. Aty sheh qartë që gëzimi dhe mirënjohja shpërthejnë si një gonxhe e një luleje në pranverë, ku gjithë familja e lumturuar, është në ekstazën e gëzimit, që buzëqeshja e tyre ngjan me një vello nusërie, që ka pushtuar gjithë qënjen e tyre. Gëzimi i tyre shpërndahet si parfum dhe te shikuesit, që ndjejnë kënaqësi që ka njerëz human, që lumturinë e tyre e shohin kur dhurojnë lumturi dhe te njerëzit në nevojë. Mungesën e mirënjohjes e ka prekur dhe filozofia popullore, nëpërmjet fjalëve të urta që ka përcaktuar si refleksion të situatave konkrete, që prekin fenomene të ndryshme. Fjalët e urta janë të shumta, të shpërndara nga jugu në veri, por do rreshtoj disa nga më përfaqësueset e opinionit popullor. “Të mirën hidhe në det, se e gjen prapë”, “ Bukën që ha mos e përbuz “, “ Mos e kafsho dorën që të ushqen”, “ Mirënjohja e zbukuron njeriun”, “E mira nuk harrohet nga zemra e mirë”, “Njeriu i mirë njihet nga mirënjohja”, “Mosmirënjohja harron dhe bukën që ka ngrënë”, “E mira kthehet dhe kur nuk e pret”, “Fjalën faleminderit mos e kurse, se ajo nuk varfëron askënd”, etj. Kritiku i madh rus Bjelinski thotë: që ka dy filozofi që nuk gabojnë: Filozofia e librave dhe filozofia e poppullit, por ajo që nuk gabon kurrë, është filozofia e popullit. Këto sentenca popullore burojnë nga jeta e përditëshme, ndaj kanë një vërtetësi të provuar dhe të jetuar. Filozofia e popullit dhe filozofia e mendimtarëve konvergojnë në një pikë të përbashkët, se mirënjohja është mëma e gjithë virtyteve. Shumica e mendimtarëve e shohin mosmirënjohjen si një shenjë të egoizmit dhe mungesës së karakterit, ndërsa mirënjohjen si virtyt që mban gjallë marrdhëniet njerëzore.



















