Prefekti i Korçës, Spirollari: Jemi pranë emigrantëve të karantinuar në Korçë e Pogradec

795
Sigal

Nga Vepror Hasani

Rreth 160 emigrantë shqiptarë të ardhur nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera fqinje, aktualisht gjenden të akomoduar në 3 hotele të qytetit të Korçës dhe në një hotel të qytetit të Pogradecit. Pritet të sigurohet edhe një hotel i pestë pasi shtetasit shqiptarë të ndodhur jashtë vendit për punë, shërbime shëndetësore dhe arsye të tjera, vijojnë të vijnë. Për shkak të pandemisë që ka përfshirë shumë vende të botës, edhe emigrantët shqiptarë të ardhur gjatë ditëve të para të prillit dhe në vijim, ndihen të stresuar, dikush prej tye ka marrë gjobë për thyerje afateve të vizës “Shengen”, shumëkush nuk ka mundur të sigurojë të ardhura të mjaftueshme, gjithashtu nuk mund të shkojnë në shtëpi pa çuar asnjë qindarkë për familjet e tyre. Kthimi sa më parë pranë familjeve është një shqetësim tjetër i tyre, pasi nuk dinë nëse familjarë apo të afërm të tyre janë prekur nga Covid-19 ose jo.
Prefekti Spirollari: Jemi pranë tyre
Në lidhje me shtetasit shqiptarë të karantinuar në hotelet e Korçës dhe të Pogradecit, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, tha: “Jam i njohur me problemet dhe shqetësimet e tyre, pasi kam qenë pranë tyre që në ditët e para të akomodimit, kam folur nga afër me ta, (sigurisht pa thyer rregullat e karantinimit), njoh kushtet e akomodimit, të ushqimit, të gjendejs shëndetësore të tyre dhe gjithë shqetësimet e tjera që ata kanë. Shërbimi shendetësor nuk u ka munguar dhe nuk do t’u mungojë. Të gjitha masat janë marrë në bazë të vendimit të nxjerrë nga qeveria. Numri i të akomoduarve aktualisht është rreth 160, por ndërkohë janë duke mbërritur të tjerë. Ne do të bëjmë gjithçka mundemi nga nga ana jonë, madje do t’u qëndrojmë pranë deri te shtetasi i fundit që do dalë nga karantina, por rregullat e karantinimit duhen zbatuar, sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e gjithsecilit, ndaj kemi kërkuar edhe mirëkuptimin e tyre. Që në ditët e para të krijimit të kësaj situate, kemi qenë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës, dhe me institucionet e tjera të qeverisjes vendore”.
Të ndihen si në shtëpinë e tyre
“Gjithashtu, – tha Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, – dëshirojmë që të akomoduarit në qytetin e Korçës dhe të Pogradecit, 14 ditët e karantinimit t’i kalojnë sa më lehtë. Është e vërtetë, që edhe shqetësime ka patur, por jemi përpjekur që gjithçka ta zgjidhim në kohë që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre. Kemi marrë të gjitha masat që t’u ofrohet ushqim në hotel, pasi po na ofrohet ndihmë nga donacionet, bizneset e Korçës dhe të Pogradecit, nga Bshkia e Maliqit dhe Bashkia e Pogradecit etj. Besojmë se edhe këtë situatë do ta kalojmë së bashku me sukses. I mirëpritur është ofrimi i kontributi të gjithsecilit.” Nga të parat që iu përgjigj kësaj situate ishte Bashkia e Maliqit, duke ofruar prodhime bujqësore etj, shpresohet që shembullin e saj ta ndjekin edhe bashkitë e tjera të qarkut Korçë, pasi numri i emigrantëve të ardhur nga vendet fqinjë ka gjasa të rritet. Mesatarisht, nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut vijnë herë pas herë deri në 30 emigrantë; mbase do të duhet edhe ndonjë hotel tjetër, gjë që kërkon kontributin e gjithsecilit që me gjithçka që mund të ndihmojë për emigrantët shqiptarë.