Populli dhe intelektualët (“Formula të neo-shqiptarizmës”)

938
Branko Merxhani 
“Detyra e intelektualëve është të sjellin formulat morale, politike e shoqërore, që konkretizojnë dëshirat e pacaktuara të turmave. Shtyrjet popullore bëhen si me aventurë, ku një inteligjencë drejtuese s’e ka caktuar fare udhën që duhet ndjekur. Po të lëshojnë në qarkullim një ide të drejtë, kjo do të ndjekë udhën e saj”.
H.G.Wells
Një nga mësimet e para dhe më të shënuara të sociologjisë është edhe ky: “GJENIA ndodhet sidomos në popull”. Një artist s’bën gjë tjetër përveç se të shfaqë shijen estetike të popullit të tij. Dhe në qoftë se gjer sot s’kemi artistë të mëdhenj, poetë të vërtetë dhe udhëheqës të inspiruar, shkaku është se poeti dhe intelektualët tonë s’janë mësuar akoma të marrin shijet e tyre estetike dhe shtytjet dinamike të mendimtarëve të tyre nga muzeu u gjallë i ndjenjës popullore dhe i dhembjes popullore.
Pra ne duam të nisim të bëjmë kulturën tonë, se s’kemi veç se të marrim një drejtim të caktuar: Udhën që shpie te populli!
Ç’do të thotë të marrim udhën që na shpie te populli? Cilët janë ata që duhet të marrin këtë udhë? Një popull sado i ri, sado i vogël, sado i varfër që të jetë, s’mund veç se të ketë një numër të caktuar të ditur intelektualë, që formojnë “Elitën”. Kur popujt formojnë një grumbull shtetëror dhe fitojnë independencën e tyre politike dhe shtien themelet e një organizmi shoqëror të ri, numri i këtyre njerëzve shtohet dita ditës. Mirë po “Elita”, d.m.th klasa e mësuar e një populli, pikërisht nga shkaku i kulturës së saj dhe i mësimit të saj më të lartë, largohet dalë-nga-dalë nga populli. Pra, kjo është edhe klasa që duhet të marri udhën që shpie te populli. Mirëpo cili do të jetë qëllimi i udhëtimi? Këtu na del një problem shumë i hollë. Ne s’jemi aspak në një mendje me ata që pandehin se duhet të marrin udhën që na shpie te populli me qëllim që t’i shpiem kulturën. Jo! Një kulturë s‘mund të gjendet brenda një ASGJË. Kulturën e ka vetë populli. Detyra jonë është që të përpiqemi të zbulojmë ketë kulturë nga thellësia e shpirtit të popullit, ta shfaqim e t’i japim formë e fryme.
Mirë po të diturit tonë se njohin fare. Askush nga ne jo vetëm që s’e di po as që është qasur në këtë thesar. Kulturën e ka populli. Të diturit kanë vetëm Qytetërimin. Metodën dhe vullnetin. Pra qëllimi i udhëtimit për te populli duhet të jetë ky:
1. Do të marrim udhën që na shpi te populli që të marrim prej tij një edukatë kulturale.
2. Do të marrim udhën për te populli që ti mësojmë Qytetërimin. 
Udhëtimi i të diturve për te populli s’mund të ketë tjetër qëllim. Kulturën vetëm te populli mund ta gjejmë. Gjëkundi gjetkë. Sa udhëtojnë për te populli, udhëtojnë për te kultura. Sepse populli është muzeu i Kulturës Kombëtare. As ndonjë nga brezi i sotëm nuk mori gjëkundi edukatë dhe kulturë kombëtare në moshën e djalërisë. Shkollat e para për gjithë neve s’kanë qenë Shkolla Kombëtare. Bie fjala, unë arsimin dhe edukatën e parë e mora në një shkollë të Priftërie Gjermane. Te gjithë ne u rritëm në rrethe të huaja. U rritëm pa gjurmën më të vogël të kulturës kombëtare dhe krejt antikombëtarisht. Duhet që të përpiqemi që ti mbushim këto të meta. Dhe për këtë duhet të hymë brenda në popull dhe të rrojmë bashkë më popullin. Të vëmë re frazat që përdor dhe frazat që bën. Të dëgjojmë fjalët e urta dhe kallëzimet e traditave të tij. Të ndjekim mënyrën e mendimit dhe ritmin e ndjenjave të tij. Të dëgjojmë këngën e tij, muzikën e tij, dhe të shohim vallet e tij. Të hyjmë brenda në kuptimin e jetës së tij fetare dhe të marrim vesh ndjenjat e morali të tij. Të studiojmë veshjet e tij, dhe mobiliet e tij të thjeshta e të varfra, që stolisin koliben fshatarake. Një e tillë Shkollë e madhe, pa fund e krye, universitet i tërë dhe i gjallë, është jeta e çdo populli. Vetëm brenda në këtë Shkollë ne, që kemi mbetur pas dhe jemi edukuar ne shkolla të huaja, do mund të ndjejmë në shpirt dhe në zemrën tonë zgjuarjen e dhembshur dhe krijuese të nostalgjisë neo-shqiptare. Kështu u bë poet i madh i rusëve Pushkini. Nga kjo shkollë e jetës popullore dolën të gjithë gjenitë e historisë.
Do të vemi të populli që t’i mësojmë Qytetërimin. Populli s’ka Qytetërim. Kyçet e tij janë në duar të popullit. Po ç’qytetërim do t’i japim popullit? Cilin tjetër përveç Qytetërimit oksidental? Ky Qytetërim tani ka hyrë ndër ne. Thellësisht edhe ne jemi pjesëtarët të tij. E sollëm gjer në portën tonë dhe do të çelim vendin në vendin tonë- vetë ne. Influencat transitive të Azisë, që na la në vendin tonë zaptuesi i tmerrshëm i baltës dhe i shpirtit sonë, gjithnjë po zhduken, shuhen, shkrijnë. Të mbeturat e prishjes dhe mjerimit të tij do t’i mbytim- vetë në. Dhe Qytetërimin Oksidental duhet ta marrim jo pjesërisht, jo të rreckosur, po të tërë dhe të pacenuar. Çdo qytetërim ka vendin e tij gjeografik dhe brenda në kufijtë të caktuara. Kufijtë e Qytetërimit Oksidental sot arrijnë gjer ne fund të Kinës. Çdo Qytetërim është edhe një sistem i veçantë. Ka një logjikë të tij. Një estetikë të tij dhe një kuptim të tij të jetës. Për këtë Qytetërimet nuk trazohen në mes të tyre. Për këtë ata që s’marrin një Qytetërim, me të tërë sistemin e tij nuk arrin dot asnjë pjesë të tij. Dhe në qoftë se e marrin kështu, të copëtuar dhe pjesë pjesë, s’mund kurrë as ta tretin as ta përfaqësojnë mirë-mirë. Qytetërimi është si fe: Do më parë besim dhe devocion shpirtëror!…
II
Është e vërtetë se e shkuara jonë historike u zhvillua brenda në qarkun e Qytetërimit Oriental. Shfaqet e jetës sonë shoqërore sjellin akoma dhe sot një vulë të mjaft të madhe të këtij qytetërimi. Të gjithë popujt ballkanikë, të krishterë e muhamedanë, pësuan po thua një fakt. Po, sikur ta shikojmë punën thellë-thellë, do të shohim se kjo gjë që quhet Qytetërim Oriental, në parim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë farë dogmë fetare. Qytetërimi është një gjë e veçantë nga feja. Bie fjala, Izraelitë dhe Japonezë. Përveç kësaj gënjehen fort ata që janë mësuar ta quajnë “Islamik” Qytetërimin Oriental. E vërteta është se nuk ka as qytetërim të Krishterë as Qytetërim islamik. Burimet, si të qytetërimit Oriental ashtu edhe të Qytetërimit Oksidental, nuk ndodhen as te Islamizmi, as në Kristianizëm. Orienti, shumë kohë para se të shfaqeshin këto dy fe, ka qenë sheshi i qytetërimit të madh e të ndritur. Në këtë qytetërim kanë bashkëpunuar Egjiptianët e vjetër, Sumerët, Hititët, Asyrianët, Fenikasit dhe popuj të tjerë. Ky qytetërim, pasi shkroi periodën e lavdisë në periudhën e Greqisë së Vjetër, ra në duar të Romakëve. Dhe Romakët pasi shartuan me këtë qytetërim popujt e ndryshëm që mundën dhe sunduan, e ndanë perandorinë e tyre në dy copë. Në Romën Orientale dhe në Romën Oksidentale. Ky copëtim nuk kufizua vetëm në sheshin politik, po shkaktoi edhe ndarjen e Qytetërimit Mediteran në dy qytetërime: në Qytetërim Oriental dhe në Qytetërim Oksidental. Evropianët si trashëgimtarë të Romës Oksidentale, muarën Qytetërimin Oksidental dhe e shpunë përpara. Nga Roma Oksidentale u krijua edhe Qytetërimi Oksidental i sotëm. Kurse Arabët myslimanë, si trashëgimtarë të Romës Orientale u bënë edhe posesorët dhe vazhduesit e këtij Qytetërimi. Dhe kur qytetërimi i Romës Orientale ra në duart e Myslimanëve, mori emrin “Qytetërim Oriental”. Në kohën e mesme këto dy qytetërime u zhvilluan po thua paralelisht dhe pa ndonjë përçarje të madhe. Sikurse feja Myslimane nuk bëri ndonjë ndryshim radikal Qytetërimit Oriental, ashtu edhe Kisha e Krishterë në Evropë nuk solli ndonjë ndryshim dhe zhvillim të shënuar Qytetërimit që trashëgoi nga Roma Oksidentale- të paktën në tërë kohën e mesme. Mirëpo bota oksidentale ka shekuj që e kaloi kohën e mesme. Rilindja, Reforma, përgatitja filozofike, rryma morale, fetare e shkencore dhe estetika si Romantizmi, i dhanë fund jetës së mesme në Evropë. Bota orientale ka vetëm pak vjet që po tundet për të bërë Rilindjen e saj. Një pjesë e madhe e saj, një pjesë kompakte sipas Islamizmit, nuk është zgjuar akoma nga gjumi i kohës së mesme. Cili është vallë shkaku i kësaj përçarje në mes të Orientit dhe Oksidentit edhe bile pas kaq shekuj jetë të përbashkët edhe origjinë të tillë? Përgjigjet e gjurmimit shkencor në këtë pyetje janë të ndryshme. Po ne do të mjaftohemi vetëm me përgjigjen e Sociologjisë. “Shtimi i dendësisë shoqërore në qytetet e mëdha të Evropës solli si përfundim ndarjen e punëve shoqërore, krijoi zanate të veçanta të ndryshme dhe specialistët. Po bashkë me specialitetin njerëzit fituan edhe një personalitet individual. Bazat themelore të shpirtrave ndryshuan. Ky ndryshim radikal edhe njerëz të rinj me shpirt të ri, me logjikë të re dhe me ideale të ra. Jeta e re, që lindi në shpirtrat e këtyre njerëzve, nuk nxinte dot më në kornizat e vjetra. Format e vjetra u thyen de u bene copë-copë. Jeta e re, që çlirua nga rrethet e kufizuara dhe të ngushta, u hodh me hov jashtë, si ndonjë fuqi krijuese gjigante. Dhe beri industrinë e Madhe, trade-market e Qytetërimit të sotëm ”
Në Orient nuk ngjau asgjë nga këto gjëra . Qytete shumë të populluara nuk po thua asgjëkund në orient. Po edhe ato qytete shumë të mëdha që që janë, përveç që nuk kanë popullsi homogjene po dhe nga shkaku i një kontakti më të ngushtë në mes tyre, nuk e plotësojnë konditën e një dendësimi moral. Të gjitha këto shkaktuan qe në Orient të mos krijohej as ndarja e punës shoqërore, as specialiteti, as personaliteti individuales dhe Industria e madhe. Një jetë e re s’mund të shfaqet pa një shpirt të ri, orienti mbeti shekuj me radhë i mbyllur i patundur në kuvlinë e erët të kohës së tij të mesme. Sepse sipas ligjit së shkak pasoje
një “gjendje s’mund të ndryshojë pa asnjë shkak”. Intelektualët tonë duhet që më parë nga të gjitha të kuptojmë mirë-mirë se ky është Qytetërimi, që e kemi për detyrë ta sjellim në vendin tonë. Unë do ta quaj:”Qytetërim të dendësimit moral e material”. Sa për sistemim që lypset për të goditur këtë qëllim, kemi përpara neve dy shembuj të ndritura: Pietrin e Math dhe Mustafa Qemalin. Këta dy ekonomiste të shquar nuk kanë qenë as Sundimtarë, por as edhe Kryetarë e aq. Kanë qenë MËSUES të popujve të tyre dhe KRIJUES TË NJË EPOKE TË RE. 
Krijues i vërtetë i Finladës së sotme, që është vendi më i lumtur dhe intelektualist më i larti në Evropën e sotme, Snelman-i u thoshte të rinjve të Atdheut të tij: “Intelektual nuk do të thotë të veshësh rroba të modës, kapele të kohës dhe kollare që shkëlqen. Grupi intelektual është si truri i një populli. Kombi nuk iu mësoi që të merrni një rrogë të majme dhe të dëfreni mbrëmjeve nëpër kafenetë, duke luajtur karta dhe domino. Të gjithë të diturit e kanë për detyrë të përpiqen për lartësimin e arsimit kombëtar dhe për të forcuar vullnetin kombëtar. Mësohuni fshatarëve, punëtorëve dhe klasave të varfra të qyteteve një mënyrë më të mirë për të jetuar! ”. Jemi edhe ne një popull i vogël si finlandezët dhe s’kemi tjetre mjet për të mbrojtur veten përveç sa ta çlirojmë popullin tonë nga skllavëria dhe errësira e paditurisë . vetëm një kulturë kombëtare dhe një qytetërim, më i lartë nga ai që kanë fqinjët tonë, do të mundin të sigurojnë të ardhmen tonë!.
Demokratia, 23 Korrik 1932. 
Sigal