Pasi plaçkiti 8 -vjet me “Rilindasit”, Rama kujtohet për socialistët

249

Engjell Musai
Drejtor i Gazetes Telegraf

Ethet e fushatës së 25 prillit 2021 dhe sondazhet që paralajmërojnë humbjen e thellë, detyrojnë kryerilindasin Rama, të kërkojë mbështetjen e socialistëve tradicionalë, të cilët prej 8- vitesh i denigroi, i flaku në rrugë dhe i përzuri nga shtëpia e tyre, duke i zëvendësuar me sektin mavi, oligarkët dhe trafikantët. Emërimet 6 -mujore që filluan nga dje, me të cilësuarit si bejlerë, në krye të “Albpetrolit”, apo bashkëjetesa midis fajtorit dhe viktimës, nuk mund ta shpëtojnë Ramën nga humbja e thellë.

Kryetari i të vetquajturës  “Rilindje”  erdhi në krye të kupolës socialiste në vitin 2005, pasi sabotoi qeverinë Nano, duke bërë fushatë kundër saj  në Tiranë me  Ahmetajn, Kodhelin dhe vetë Rama në Pezë. PS-ja  humbi tre mandate në zonat bastione të së Majtës, çka e detyruan Nanon të jepte dorëheqje. Menjëherë pas dorëheqjes, Rama kandidoi për kreun e PS-së,  përballë Prof. Mejdanit, ku Rama “humbi në darkë, por u shpall fitues në mëngjes”. Nga 2005-2013, kohë kur ishte në opozitë,  shkatërroi struktuarat e Partisë Socialiste duke ringritur sektin mavi të “Rilindjes” dhe  menjëherë pas ardhjes në pushtet i dha shkelmin e fundit figurave kryesore të socialistëve,  duke i zëvendësuar si në parti, edhe në qeveri, me të bindurit dhe ushtarët e sektit sorosian. Dhe “Rilindja” si një pakicë jo legjitime mori peng të majtën shqiptare, i shkriu partitë e majta, me qëllimin final për të mbretëruar e vetme me sektin e saj. Por kjo pakicë përveç tragjedisë që i solli të majtës, mori peng edhe demokracinë në Shqipëri. Sepse Ramës i intereson fasada dhe jo përmbajtja. Filozofia e kryeministrit është: Fytyra dhe trupi i bukur i femrës dhe në prag zgjedhjesh, kapja e votave të socialistëve të aneksuar dhe nëpërkëmbur. Dhe në këto kushte kësaj “Rilindjeje” i shkon për shtat shprehja e famshme e Kadaresë se: “Hajdutët e furriqeve nuk vjedhin vetëm pulat, por edhe vezët”. Edhe “Rilindja” nuk lë gjë të bjerë në tokë dhe bashkë me kokrrat e pemëve, preu edhe drurët, por mori edhe gjethet, duke i lënë shqiptarët pa punë, pa bukë dhe me sytë nga emigrimi. Krimi po bënë kërdinë dhe Shqipëria e rilindasve të sotëm i ngjan  SHBA-ve në kohën e AL Kapones.

Ndaj “Rilindasit” konsiderohen sot si “Milionerët e Korrupsionit”.  Ata pasi ju sulën bankave, hipotekave, pronave shtetërore dhe private në qytetet kryesore, bregdet, male dhe fusha, gllabëruan minierat, naftën dhe mbi të gjitha thyen rekordin në historinë e Kombit duke shpyllëzuar tokën dhe duke e mbjellë me hashash, nga i cili vetëm për vitin 2017 të ardhurat jo zyrtare, flitet se arritën shifrat e 5 miliardë eurove, ose e barabartë me buxhetin vjetor të vendit. Largimi i të rinjve dhe kërkimi i azilit në vendet Europiane varfëruan vendin dhe vranë shpresën  tek qytetarët. Shqipërisë me këtë ritëm nëse ‘Rilindja” do të vazhdonte edhe 1 mandat, do ti mbetej vetëm emri Shqipëri, pasi popullsia do ishte kurde, sirianë dhe refugjatë nga vendet e Azisë dhe Lindja e Mesme. U kap drejtësia, policia, arsimi, u shkatërruan gjykatat, madje jemi i vetmi vend në botë pa Gjykatë të Lartë, Kushtetuese dhe shumë shpejt edhe gjykatë Apeli. Të gjithë të emëruarit janë krushqia dhe familjarë të deputetëve dhe ministrave të  “Rilindjes”. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është kunati i Mimi Kodhelit, ai i Gjyqësorit i Eglantina Gjermenit, Prokuroria dhe KLSH nga Tepelena, e kështu me radhë lista vazhdon dhe që “Telegraf” shumë shpejt do ua bëjë prezent jo vetëm nepotizmin në sistemin e drejtësisë, por edhe lidhjet e ministrave me drejtorët, deputetët, ambasadorët dhe faktin që vetëm një fis, pjesë e klanit të “Rilindjes”, sot, ka në qeveri 2 deputetë,1 ministër, 2 kryetarë bashkie, 1 drejtues të lartë të institucioneve  të pavarura  dhe 6 drejtorë të përgjithshëm, dhe dhjetra drejtues të nivelit të dytë e të tretë. Me këto “arritje dhe suksese” “rilindjes”  po i afrohen ditët e fundit të pashallëkut dhe pas sondazheve që e nxjerin me 55 deri në 57 deputetë, kërkon ndihmën e socialistëve, të cilët i denigroi në këto 8 vite dhe një pjesë të tyre i futi edhe në burg. Dje Petro Koçi u katapultua në krye të Partisë Socialiste – “Rilindjes” në Fier, ku do të jetë së bashku me kryebashkiakun në krye të fushatës “rilindase”. Opozitarë por vëllezër… ishte një shprehje e vitit 1992 e thënë nga Berisha. E theksuam këtë fakt për të treguar se pikërisht, kryebashkiaku i sotëm i Fierit një rilindas që nuk ngjiti kurrë tek socialistët, në vitin 1996, ishte në kupolën e qarkut të Fierit si PD-ist i tërbuar, ku bashkë me shokët e SHIKU-t,  masakruan socialistin Petro Koçi. Petron e përzunë nga PS-ja me ardhjen e Ramës në krye të socialistëve dhe u ofrua kryebashkiaku aktual i Fierit. Qëllimi i ofrimit dihet, duhen votat e socialistëve dhe Rama ka treguar se për interesat e tij, bën marrëveshje edhe me djallin. Po ashtu është rehabilituar edhe ish-kryebashkiaku i Fierit,  Baftjar Zeqo,  cili u “degjenerua” nga Rama duke e konsideruar në atë kohë  në takimin e Llogarasë, si “Beu i Fierit ”. Dhe pikërisht “Beu i Fierit” është emëruar si Drejtor i “Albpetrolit”. Kuptohet po joshet Baftjari që të shuajë zemëratën e naftëtarve që kanë nga 20 rroga pa marrë, shtëpitë e shkatërruara, statusin e minatorit pa zbatuar, e shumë e shumë gjynahe të tjera të Rama-“Rilindjes”. Emërimet kanë filluar edhe në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera ku Rama do ofrojë pushtet për socialistët, për të zbutur sadopak humbjen e thellë të 25 prillit 2021. Pritet që këtë javë të promovohen edhe 40 figura të tjera ish-socialistë të denigruar gjatë 8 viteve të qeverisjes së Ramës, për t’i treguar socialistëve  se “ai  që të rreh edhe të do.” Por Rama ka probleme edhe me veteranët që i mashtroi për pensionet, me ushtarakët që i mashtroi me “Statusin”, me familjet e dëshmorëve pasi poshtëroi LANÇ-in  dhe u ngriti memorial kolaboracionistëve dhe tradhëtarëve. Por Rama dhe disa servilë të Ramës në radhët e veteraneve të luftës, harrojnë se:  “Gjaku i dëshmorëve nuk bëhet ujë, dhe po u bë ujë, atë nuk do ta lejojmë që të pihet për dolli” nga “Rilindja” dhe disa kuislingë në radhët e familjeve të veteranve të LANÇ-it.  Prandaj “Rilindja” ta harrojë se mund të mashtrojë  të majtën dhe socialistët e vërtetë duke u marrë votën me djallëzi dhe mashtrime.