Pajtim Bello / Qeveria transparente me CEZ. Po me shqiptarët?!

525
Sigal

CEZ-i! Me kapadaillëk dhe arrogancë, pushtetarët duan të mbyllin një kapitull dështimi të turpshëm

Kryeministri, në intervistën për një gazetë, ka nxituar të deklarojë se ai dhe qeveria e tij kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë transparent me CEZ-in. Është e drejta e qeverisë dhe e CEZ-it të flasin mbi transparencën në marrëdhëniet midis tyre. Shqiptarëve iu intereson të dinë, sa transparente ka qenë dhe vazhdon të jetë qeveria me qytetarët në të gjithë  gjatësinë e procesit para, gjatë dhe pas privatizim të ish Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH sh.a). Për më shumë, shqiptarët duan të dinë çfarë ata, si konsumatorë, kanë përfituar nga politika e privatizimit të ish OSSH sh.a Në këtë pikë ata duan të dinë se si është gjendja e këtij sektori strategjik dhe kush është fytyra e të ardhmes në këtë sektor. Kërkesave të shqiptarëve qeveria dhe Kryeministri nuk u janë përgjigjur në asnjë fazë të procesit të para dhe pas privatizimit të ish OSSH sh.a Përkundrazi, gjithmonë kemi dëgjuar mburrjet e ministrave dhe të Kryeministrit për një proces të suksesshëm. Përkundër kritikëve për një proces privatizimi tërësisht politik, jo profesional dhe i bërë në kohë të pa përshtatshme, qeveritarët kanë rrahur gjoksin për merita të jashtëzakonshme në reformimin e sektorit elektrik. Kur specialistët paralajmëruan për një privatizim të dështuar dhe me një kosto të lartë, që shqiptarët do të paguajnë në shumë vite pas privatizimit, qeveritarët vrapuan të akuzonin specialistët si ziliqarë, apo kritizerë në vend të uleshin e të diskutonin me ta. Tashmë, kur fatkeqësisht është arritur pragu i dështimit të këtij privatizimi, qeveritarët bëjnë sikur u ka humbur kujtesa për të shkuarën e afërt, tre vite të shkuara. Me kapadaillëk dhe arrogancë, duan të mbyllin një kapitull dështimi të turpshëm dhe shumë të kushtueshëm për të sotmen dhe për të ardhmen e këtij sektori strategjik. Shqiptarët sot kërkojnë transparencë dhe transparenca duhet të fillojë që në nisje të procesit të privatizimit. Shqiptarëve t’iu bëhet e ditur çfarë ka ndodhur me OSSH sha në vitet 2005-2009, kur nga një keqmenaxhim politik e korruptiv gjendja teknike e financiare e kompanisë ishte shumë e keqe, në momentet kur u hap procesi i privatizimit. Ish -OSSH sh.a doli në privatizim në ditët më të këqija dhe motive i shitjes ngjante me heqjen qafe të asaj shoqërie me 800 mijë klientë dhe me një xhiro vjetore rreth 260 milionë euro në vit. Qeveria t’iu tregojë shqiptarëve, përse nxitoi të privatizonte OSSh sh.a, në vend të punohej që kompaninë ta sillnin në kushte normale privatizimi, sepse vetëm kështu mund të sigurohej suksesi në privatizim dhe pas privatizimit. Shqiptarëve duhet t’u thuhet përse tenderi për shitjen e ish OSSh sh.a përfundoi me një blerës të vetëm. Mbi të gjitha qeveria duhet të tregojë përse nxitoi në privatizimin e sektorit të shpërndarjes të energjisë elektrike, pa thyer monopolin në këtë sektor? Kur vallë, qeveria do t’iu tregojë shqiptarëve përse nxitoi të bënte privatizimin e ish OSSh sh.a pa bërë një reformë reale për tarifat dhe çmimet e shitjes së energjisë elektrike me pakicë dhe me shumicë të paktën në një plan afat mesëm? Por qeveria kërkon të fshihet pas Bankës Botërore dhe të përgjegjësitë t’i transferojë tek të tjerët, përfshi edhe CEZ. Për dështimin e privatizimit të ish OSSH sha përgjegjësia është drejtpërdrejt e Kryeministrit, ish ministrit të Ekonomisë në kohën e privatizimit dhe të ministrave pas privatizimit. Ata veç e veç dhe së bashku kanë përgjegjësi politike dhe penale, sepse shqiptarëve iu kanë shkaktuar një dëm ekonomik e pasuror të jashtëzakonshëm, dëm ky që atyre do t’iu rëndojë për vite e vite me radhë. Më keq akoma, situatë e krijuar po trajtohet me mungesë transparence dhe jo profesionalisht. Vlerësimi i situatës bëhet politikisht, me tendenca jo për të bërë vlerësim real, por për të fshehur dështimin e një “suksesi” të bujshëm dhe për të shmangur përgjegjësinë. Ndërkohë, vendimet për të dalë nga kjo gjendje e rëndë merren të nxitur nga njëjtët motive dhe zyrtarisht qeveria nuk ka publikuar asnjë variant apo skenar zgjidhjeje. E pra, transparenca përsëri mungon, por më keq duket se edhe institucionet ecin symbyllur në këtë terr. Zgjidhjet e komentuara nga media e shkruar apo televizive janë deklarime delirante që bëhen në boshllëk. Produkti i këtyre zgjidhjeve të deklaruara, nëse ato bëhen realitet, do të jetë një shkatërrim i madh i sistemit të shpërndarjes të energjisë elektrike dhe në tërësi i gjithë sistemit elektrik prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Në këto momente të vështira vendimmarrja kërkon profesionalizëm, gjakftohtësi, analizë aktuale, parashikim afat gjatë të sektorit të energjisë elektrike dhe jo kokëfortësi, politizim dhe frikë nga përgjegjësitë. Mjafton të themi se në deklaratat e disa zyrtarëve sistemi i shpërndarjes të energjisë elektrike trajtohet si të jetë në pronësi shtetërore. Flitet për marrje nën administrim të shpërndarjes, thua se harrojnë që asetet janë të tjetër kujt dhe ky tjetër kush tashmë do apo s’do qeveria është palë në vendim marrje. Deklaratat të krijojnë shije të hidhur dhe ndjesinë se kemi për të parë vendime e veprime arbitrare që mund të çojnë në një situatë të pakëndshme juridike, administrative, menaxhuese dhe teknike. Rruga më e mirë do të ishte analiza e sinqertë, mbajtja e përgjegjësive për këtë dështim të madh, zgjedhja me kujdes dhe profesionalizëm e rrugë daljeve nga qorrsokaku ku jemi futur. Qeveria, vallë a do ta bëjë këtë? Kam pak besim se do të ndiqet rruga e duhur, rruga e arsyes. Politika do të sundojë gjithçka, ashtu si edhe deri sot. Sjelljet e deri tanishme tregojnë se nga qorrsokaku do të biem në një pus të thellë, prej nga dalja do të jetë shumë e vështirë. Nëse ndodh kjo, shqiptarët duhet ta dinë se gjithçka është bërë dhe po bëhet ka qenë e qëllimshme si pjesë e një skenari shkatërrues.