Frank Shkreli: Presidenti John F. Kennedy, Berlin, 26 qershor 1963: “Ich bin ein Berliner” – “Unë jam qytetar i Berlinit”

215
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Në qershor të vitit 1963, Presidenti John F. Kennedy filloi një turne në Evropën Perëndimore, e cilësuar si një vizitë e vullnetit të mirë dhe si një vizitë me qëllim për të forcuar unitetin në radhët e aleatëve të Amerikës në Evropë. Presidenti Kennedy e filloi turneun e tij evropian në Gjermani, një vend ky që 20 vjet më herët, nën diktaturën hitleriane, donte të pushtonte botën, por pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, vendi u nda ne dy pjese: Gjermania Lindore mbeti nën kontrollin sovjetik dhe Gjermania Perëndimore u bë shtet demokratik. Rrjedhimisht, edhe Berlini, megjithëse gjeografikisht ndodhej në Gjermaninë Lindore, u nda gjithashtu në Berlinin Perëndimor të kontrolluar nga aleatët perëndimorë: amerikanët, britanikët dhe francezët dhe në Berlinin Lindor të kontrolluar nga sovjetikët dhe aleatët e tyre të regjimeve komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore.

Presidenti John F. Kennedy, Berlin 26 Qershor, 1963 –“Unë jam qytetar i Berlinit”

Me 1948, komunistët sovjetikë filluan një blokadë të trenave dhe të rrugëve kryesore automobilistike të Berlinit Perëndimor dhe me 1961 autoritetet komuniste të Gjermanisë Lindore, me ndihmën sovjetike, filluan ndërtimin e një muri me një lartësi më se dy metra dhe me një gjatësi prej më shume se 100 kilometrash, rreth e përqark Berlinit Perëndimor, me qëllim për të ndaluar arratisjen e njerëzve nga vendet komuniste në perëndim.

Presidenti amerikan John Kennedy mbahet mend për shumë gjëra dhe cilësi të mira dhe zotësie, por njihet më së miri si orator i spikatur. Në fjalimin e tij –tanimë të famshëm nga pikëpamja historike – në Berlin me 26 qershor, 1963, Presidenti Kennedy, ashtu siç bëri më vonë edhe Presidenti Ronald Reagan me 1987, theksoi, dallimet rrënjësore ose kontrastet e mëdha midis sistemeve të lira demokratike perëndimore dhe shoqërive, seriozisht shoqërisht dhe politikisht të dëmtuara të botës së atëherëshme komuniste. Presidenti Kennedy, ka theksuar shpresën për liri e demokraci që u ofronte Berlini Perëndimor, atyre që vuanin nën komunizëm, për mungesën e të dyja këtyreve.

Në kulmin e luftës së ftohtë, Presidenti John Kennedy, në fjalimin e tij historik me 26 qershor, 1963 në Berlin, ish-presidenti amerikan ka shprehur solidarizimin e Amerikës me banorët e Berlinit Perëndimor, ndërsa ka lavdëruar karakterin, këmbënguljen dhe durimin e tyre në përpjekjet dhe shpresat e tyre për liri dhe demokraci.

Për qëllime të kujtesës historike, ja disa pjesë nga fjalimi i famshëm i Presidentit Kennedy në Berlin, më 26 qershor të vitit 1963: “Dy mijë vjet më parë ishte mburrje dhe krenari të deklaroje se je qytetar romak (civis Romanus sum). Sot, në botën e lirë, mburrja më krenare është të thuash: Unë jam qytetar i Berlinit, (Ich Bin Ein Berliner).

“Ka shume njerëz në botë që me të vërtetë nuk e kuptojnë ose – të paktën thonë se nuk e kuptojnë – se cili është ndryshimi midis botës së lirë dhe botës komuniste. Le të vijnë ata e të shohin se ç’po ndodh këtu në Berlin.

“Ka disa të tjerë që thonë se ‘komunizmi është e ardhmja e njerëzimit. Le të vijnë ata e të shohin këtu në Berlin! Dhe ka edhe të tjerë në Evropë dhe gjetiu që thonë se është e mundur të bashkëpunosh me komunistët. Le të vijnë e të shohin vet se ç’po ngjan këtu në Berlin!

“Dhe bile ka të tjerë që thonë se, po, është e vërtetë se komunizmi është një sistem shumë i keq, por mundëson përparimin ekonomik.’ (Lass sie nach Berlin commen). Le të vijnë edhe ata e të shohin vetë me sytë e tyre këtu në Berlin”, se çfarë po ndodhë!

“Liria përballet me shumë vështirësi dhe demokracia nuk është një sistem i përsosur. Por, ne nuk jemi detyruar kurrë që të ndërtojmë mure për të mbajtur popullin tonë të rrethuar, për t’i penguar njerëzit tanë që të lëvizin, lirisht.

“Megjithëse muri është prova më e qartë që ve në dukje dështimet dhe të metat e sistemit komunist, të cilat i sheh e gjithë bota, ne nuk kënaqemi nga kjo situatë, sepse ky mur është një ofendim kundër njerëzimit, sepse ka ndarë familjet. Ka ndarë burrat nga bashkëshortet dhe vëllezërit nga motrat, si edhe duke ndarë një popull që dëshiron të jetojë i bashkuar.

“E vërteta e këtij qyteti është e vërteta e Gjermanisë, në fakt: se paqeja e vërtetë në Evropë nuk mund të sigurohet kurrë përderisa njerit prej katër gjermanëve i mohohet e drejta elementare e njeriut të lirë, e që është të ketë mundësi të vendosë vetë fatin e tij.”

“Liria është e pandashme. Nuk mund të ketë disa njerëz të lirë e disa jo të lirë. Kur një person skllavërohet, asnjë njeri nuk është i lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, shpresojmë që të vijë dita që ky qytet të bashkohet si një, ashtu siç shpresojmë që të vijë dita kur edhe Gjermania dhe e gjithë Evropa të bashkohen në një botë në paqë…Kur të vijë kjo ditë dhe kjo ditë do të vijë pa tjetër dhe pa asnjë dyshim, banorët e Berlinit Perëndimor mund të shpalosin kënaqësinë e përmbajtur deri tani për faktin se ata ishin në vijat e frontit…, të luftës për liri e demokraci.

“Te gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojnë, janë qytetarë të Berlinit. Prandaj, si njeri i lirë, unë jam krenar të them se: Ich Bin Ein Berliner. Unë jam qytetar i Berlinit.”


Fatkeqësisht, u deshën 25 vjet pas parashikimit të Presidentit John F. Kennedy, që më në fund të bashkohej Gjermania dhe Berlini, kur u shemb Muri i Berlinit. Ai mur, i cili për 28 vjet, ishte simboli më i keq i ndasisë midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik anti-komunist, si edhe simboli i shtypjeve komuniste i të drejtave themelore të njeriut u shemb në nëntor të vitit 1989, ndërkohë që komunizmi dhe perdja e hekurt ranë anë e mbanë Evropës Lindore, duke shënuar kështu mbarimin e luftës së ftohtë prej pothuaj gjysëm shekulli në Evropë dhe në botë.

Fjalimi i Presidentit John F. Kennedy më 26 qershor, 1963 në Berlin, duke e shpallur veten qytetar të Berlinit të ndarë, në kulmin e luftës së ftohtë, përputhej me zotimin që u kishte premtuar amerikanëve si dhe me paralajmërimin që i kishte bërë botës në fjalimin e inaugurimit të tij president, dy vjet më herët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e tij si president: “Le ta dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do paguajmë çdo çmim, do bartim çdo  mundim e sakrificë do të mbështesim çdo mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën edhe suksesin e lirisë.”

(Ribotim nga 26, qershor, 2010, me disa përditësime)