Nga Gudi Kassel: Kush banon në shtëpinë e qelqtë…?

527
Sigal

Unë jam gjermane dhe mysafire në Shqipëri. Shpesh ndodhem para pyetjeve, të cilat me preokupojnë përditë me radhë. P.sh. kam takuar njerëz që më thonë: ti dhe nëna jote jeni kaq paqësore, si ka mundësi që aty u shfaq Hitleri dhe ju gjermanët shkuat pas tij? Para pyetjeve të tilla dhe të tjera si këto,unë habitem. Çfarë mendojnë shqiptarët për gjermanët, mos vallë i mendojnë të gjithë përbindësha të tipit hitlerian?

Por shqiptari ka jetuar vetë në diktaturë për 50 vjet dhe unë habitem që më bëjnë pyetje të tilla. Në ndërrimin e sistemeve, në fillim janë mediokrit e të pashpresët ata që binden verbërisht sistemit. Janë ata, kontribuuesit e zellshëm për ndërtimin e diktaturës. Pastaj vijnë bashkëvrapuesit dhe ata që përshtaten me regjimin, për të mbijetuar. Ka më tej, kundërshtarë të regjimit, të cilët vriten ose burgosen nga regjimi, si armiq të popullit. Kështu ndodhi tek ne në kohën e Hitlerit, kështu ndodhi tek ju në kohën e diktaturës. Ju kishit fat se udhëheqësi juaj e rrethoi popullin dhe vendin e vet me tela me gjemba dhe nuk i shkoi mendja që të pushtonte vendet dhe popujt e tjerë. Ashtu siç beri Hitleri. Nena ime ishte vetëm 14 vjeçe kur Hitleri ndezi motorët e luftës kundër gjithë botës. Sot ajo është 82 vjeçe dhe megjithatë, shpesh nuk guxon të fle natën pasi ka frikë se do t’i shfaqen në ëndërr SS me kapardinat e tyre të zeza. Babai im, në moshën e fëmijërisë, u detyrua t’i thoshte lamtumirë lodrave dhe të rreshtohej në forcat që do të shkatërronin botën. Xhaxhai dhe tezja ime kundërshtuan ta bëjnë këtë dhe u dënuan të dy me vdekje dhe u varën në Ploetzensee. Unë them se dhe ju shqiptarët duhet ta mbani mënd nga vini, ashtu si dhe ne, vetëm duke e kujtuar këtë do të shikoni se sa larg jeni asaj që ju e quani demokraci.

Dëshiroj t’ju bëj një pyetje: “Përse, njerëz shumë të njohur, të cilët i mundon padrejtësia, nuk guxojnë të shkruajnë dhe të flasin kundër pushtetarëve apo të korruptuar? Përse njerëzit nuk guxojnë të mendojnë se atë që ndjejnë duhet ta shprehin pa frikë, të guxojnë të thonë mendimin e tyre pa u frikësuar se do ta dënojnë? Kam parë në disa emisione në TV që mësueset dhe nëpunësit e tjerë mundohen t’ju shmangen kamerave te gazetarëve të guximshëm kur është fjala për të drejtat e tyre? Përgjigjja është vetëm një: “Thjesht frikë”. Frika i tjetërson njerëzit. I bën hipokritë, servilë, zvarranikë, gënjeshtarë, tradhtare, kriminelë, të pamoralshëm. Kështu ishte tek ne në kohën e Hitlerit. Ne gabuam rëndë, por ne mësuam nga ajo kohë. Dhe shqiptarët duhet të mësojnë. Sepse kush qëndron në shtëpinë e qelqtë duke shpresuar se ndjehet mirë gabon rëndë. Muret e qelqta thyhen shpejt dhe fundi është i ditur tashmë. Nuk mendoj se dyfytyrësia i shkon për shtat karakterit të shqiptarit. Guximi po. Ndaj mendoj se, para se të më pyesni si e lejuat Hitlerin them se duhet të pyesni: a e thoni vërtetë atë që mendoni dhe a veproni sikundër e dëshironi të ardhmen tuaj?