-Qytetarët e varfër pre e skenarëve policorë. Bashkëpunëtorë të organeve të rendit janë parë të nxisin, joshin dhe mashtrojnë qytetarë që nuk kanë asnjë lidhje me botën e krimit.
-Me premtimin për një pagesë të vogël shpesh vetëm disa mijë lekë këta qytetarë futen në skenarë të kurdisur, ndaj Shqipëria është në krizë morali juridik.
Avokat Ndue Pjetra
Në historinë moderne të shtetit shqiptar, pak fenomene janë më të rrezikshme dhe më tronditëse sesa infiltrimi i strukturuar i individëve që, në vend që të ndihmojnë organet ligjzbatuese për të kapur kriminelët, përfundojnë duke ngritur kurthe për qytetarët e varfër dhe të pafajshëm. Ky fenomen është kthyer në një plagë të heshtur dhe shumë raste të fundit tregojnë një model shqetësues: infiltruarit jo vetëm që nuk zbulojnë kriminelë, por shpesh i mbrojnë ata, ndërsa prodhojnë artificialisht “kriminelë” të rinj nga radhët e popullit të thjeshtë. Qytetarët e varfër si pre e skenarëve policorë në disa ngjarje të dokumentuara, individë që supozohet të jenë bashkëpunëtorë të organeve të rendit janë parë të nxisin, joshin dhe mashtrojnë qytetarë, që nuk kanë asnjë lidhje me botën e krimit. Me premtimin për një pagesë të vogël shpesh vetëm disa mijë lekë këta qytetarë futen në skenarë të kurdisur, të regjistruar dhe më pas të përdorur si “suksese policore”. Disa prej këtyre rasteve kanë çuar në arrestimin e qindra qytetarëve, shumë prej të cilëve kanë qenë absolutisht të pafajshëm dhe të pavetëdijshëm për kurthin ku po futeshin.
Rasti tronditës i Vlorës kur krimi nxit kurthin për të pafajshmin. Rasti më absurd, dhe njëkohësisht më i rrezikshmi, mbetet ai i regjistruar kohët e fundit në Vlorë. Një i infiltruar i strukturave të rendit kontakton një qytetar të thjeshtë, punëtor skelash, një njeri që punon me djersë dhe pa asnjë histori kriminale. Ai i propozon t’i çojë një pako të mbështjellë. Qytetari, i shtyrë nga varfëria dhe joshur nga pagesa, pranon. Ajo që ndodh më pas është alarmante: Pakoja rezulton të përmbajë sende të paligjshme. Skema ishte ndërtuar që ky njeri të binte në grackë. Por pyetja më e rëndë ngrihet vetvetiu: Cili është qëllimi real i infiltruarit? Pse i drejtohet një qytetari të rastësishëm që nuk ka lidhje me trafikun? Kush mbrohet në prapaskenë? Duket se infiltruari punonte jo për të kapur kriminelët, por për t’i mbrojtur ata, duke devijuar vëmendjen e organit të hetimit nga rrjeti real kriminal dhe duke krijuar një “sukses” të rremë me një qytetar të pafajshëm. Mashtrimi si metodë e policëve të inkriminuar. Kjo metodë krijimi artificial i krimit është një shkelje e rëndë e ligjit, e etikës dhe e parimit themelor të drejtësisë: askush nuk mund të dënohet pa faj.
Por fatkeqësisht, në disa zyrat e rendit, janë pikërisht elementë të inkriminuar që:
• mbrojnë trafikantët e vërtetë,
- krijojnë arrestime false për statistika
- çojnë në burg qytetarë të mashtruar
- ndërtojnë suksese fiktive për të mbuluar dështimet e tyre reale.
Ky është një fenomen i rrezikshëm që minon besimin te shteti, drejtësia dhe ligji.
Prokuroria koha për vigjilencë maksimale
Prokuroria duhet të jetë e kujdesshme, sidomos kur shihen qartë skemëzime të tilla:
• persona të papërfshirë më parë në krim - mungesë motivi
- mungesë lidhjesh me grupet kriminale
- rol minimal dhe i motivuar nga mashtrimi, jo nga vullneti kriminal
- infiltruar me precedent të dyshimtë, të përdorur selektivisht.
Në këto raste, Prokuroria duhet të hetojë jo qytetarin e mashtruar, por infiltruarin që ka fabrikuar veprën penale, si dhe çdo polic apo zyrtar që ka bashkëpunuar në një skenar të tillë.Sepse dhe ligji, dhe etika profesionale, thonë qartë:nuk mund të ndërtohet drejtësia mbi mashtrim.
Fundi i pandëshkueshmërisë
Historia ka treguar se askush që abuzon me pushtetin nuk mbetet i pandëshkuar. Edhe këto struktura të inkriminuara, që përdorin qytetarët e varfër si “material statistikor” për arrestime të rreme, do të përballen herët a vonë me drejtësinë.Askush nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë, sidomos kur dëmet që u shkaktohen qytetarëve janë të pariparueshme: burgime të padrejta, jetë të shkatërruara, stigma ndaj familjeve dhe komuniteteve të tëra.Drejtësia nuk është lojë. Dhe njerëzit e pafajshëm nuk janë objekt eksperimentesh.
Por ndodh dhe kështu:
Në Shqipëri po ndodh një absurditet që sfidon çdo logjikë shteti ligjor: gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga Vettingu për korrupsion, pasuri të pajustifikueshme dhe lidhje të errëta, sot rikthehen me të njëjtën fytyrë në skenën publike jo për të dhënë llogari, por për të dhënë mësime morali. Të përzënë nga sistemi i drejtësisë për shkelje të rënda, sot ulen në studio televizive si “ekspertë”, japin opinione për reformën në drejtësi, tregojnë se si luftohet korrupsioni dhe u shpjegojnë qytetarëve si funksionon ligji. Ky është turpi më i madh institucional në 30 vite. A po na mësojnë korrupsionin ata që e praktikuan? Ironia është aq e madhe sa bëhet fyerje për çdo qytetar që paguan taksa, beson në drejtësi dhe pret një sistem të pastër. Pyetja lind natyrshëm: Si ka mundësi që njerëzit e shkarkuar për korrupsion sot bëjnë analiza politike e juridike? Çfarë u mësojnë qytetarëve teknikat e korrupsionit apo metodat si ta shmangin drejtësinë? Reforma në drejtësi kishte një objektiv të qartë: pastrimin e sistemit nga individë të korruptuar. Por ndërsa ata u larguan nga sistemi, askush nuk vendosi kufi që të mos rikthehen në publik si autoritete morale.
Nga të shkarkuar, në opinionistë të paguar
Shumë prej tyre shfaqen në studiot televizive si “ekspertë”, “juristë të pavarur”, “ish-prokurorë me përvojë”, ndërkohë që:
- Janë shkarkuar për pasuri të pajustifikueshme
• Janë kapur me gënjeshtra në deklarime noteriale dhe tatimore - Kanë fshehur lidhje me krimin e organizuar
- Kanë kryer procedura të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës
- Apo kanë shfaqur papërshtatshmëri të thellë profesionale.
Në çdo vend normal, një individ i shkarkuar për shkelje të rënda NUK do të kishte më asnjë hapësirë publike jo më të kthehej në tribunë televizive si “udhërrëfyes” i reformës. As si avokat nuk duhet të ishin. Ligji duhet të ishte i qartë: kush shkarkohet për korrupsion duhet të jetë automatikisht i papërshtatshëm për çdo funksion brenda sistemit të drejtësisë, përfshirë ushtrimin e profesionit të avokatit. Por në Shqipëri, paradoksalisht, disa prej tyre hapin zyra ligjore dhe përpiqen sërish të ndikojnë në proçese gjyqësore, duke krijuar rrezik të drejtëpërdrejtë për integritetin e drejtësisë.
Ndërkohë qytetari pyet: Kush i mbron interesat e tij?
Sistemi pretendohet i reformuar, por personazhet që e kanë çuar drejtësinë në kolaps sot:
- Flasin për moral
- Kritikojnë SPAK-un
- Bëhen krah politik
- Komentojnë vendime gjyqësore
- Justifikojnë kolegët e tyre të rrëzuar dhe të gjitha këto e bëjnë me një vetëbesim të pabesueshëm, sikur vetë nuk kanë qenë kurrë pjesë e kalbëzimit.
Ky është realiteti: Shqipëria është në krizë morali juridik!




















