Nga Av. Myftar Rusta: Ashpërsimi i Politikës Penale në Shqipëri, si nxitës i korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit

 

Policia e Shtetit është prezenca konkrete e shtetit ligjor në Shqipëri. Por, realiteti i sotëm tregon se kjo polici shpesh nuk është në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, por në shërbim të qeverisë. Për policinë, “ligji nuk është i barabartë për të gjithë”: rrallë shohim që t’u vihen prangat në publik funksionarëve të shtetit apo patronazhistëve partiakë, ndërsa qytetarët e thjeshtë prangosen para fëmijëve të tyre, madje edhe për kundërvajtje administrative.

Sigal

Shkelje të tilla si lidhja e energjisë elektrike, uji i pijshëm, ndërtimi i një banese në tokën e vet, prodhimi i rakisë në shtëpi apo edhe konsumimi i një gote alkool gjatë drejtimit të automjetit – që në vendet e zhvilluara trajtohen si shkelje administrative me gjoba, pezullim patente ose detyrime administrative – në Shqipëri janë kriminalizuar dhe trajtohen me masa ekstreme, deri në arrestim publik. Një gotë alkool për shoferin kthehet në arsye për pranga dhe publikim në media, ndërkohë që krimet e pushtetarëve me pasoja të mëdha ekonomike e shoqërore mbeten të pandëshkuara. Kjo nuk është drejtësi; është terror psikologjik dhe diskriminim social.

Ky fenomen nuk parandalon krimin, përkundrazi, nxit korrupsionin. Punonjësit e policisë, shpesh me formim profesional nën nivelin mesatar, ndodhen mes presionit të shefave dhe qytetarëve. Shefat u kërkojnë “numra”: më shumë gjoba, më shumë arrestime, më shumë “ngjarje”. Nëse nuk i realizojnë, rrezikojnë vendin e punës. Kështu, policët përfundojnë duke provokuar shkelje, duke mbushur paraburgimet me qytetarë pa rrezikshmëri shoqërore dhe duke ushtruar presion mbi të pafuqishmit, ndërsa ndaj të pushtetshmëve tregohen të pafuqishëm.

Në sektorë si Qarkullimi Rrugor, Krimi Ekonomik apo Anti-droga, korrupsioni është kthyer në normë. Punonjësit shpesh paguajnë për t’u emëruar dhe më pas kanë detyrime ndaj shefave. Rrjedhimisht, policia nuk është më në funksion të ligjit, por të interesit personal dhe të hierarkisë së korruptuar.

Arresti, sipas parimeve të së drejtës, duhet të jetë masa e fundit, vetëm kur çdo alternativë tjetër është e papërshtatshme, dhe vetëm për krime të rënda kundër jetës e pronës, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vendet e zhvilluara, krimi trajtohet si akt i qëllimshëm me pasoja konkrete. Në Shqipëri, përkundrazi, ashpërsimi i ligjit ka kthyer shkeljet administrative në “krime”, duke ushqyer korrupsionin policor dhe duke cënuar dinjitetin e qytetarit.

Në kuadër të draftit për Kodin e Ri Penal, vihet re një tjetër problem: niveli i përcaktimit të krimeve. Sot, çdo vepër penale me marzh dënimi mbi dy vjet quhet krim. Për veprat si energjia, uji, ndërtimet apo prodhimi i pijes, marzhi i dënimit është vendosur deri në 3 vjet – jo pa qëllim – që të krijohet mundësia e arrestimeve dhe e paraburgimeve. Ndërkohë, për deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët, arrestimi parashikohet vetëm kur vepra penale ka marzh mbi 5 vjet. Ky është një shembull flagrant i asaj që quhet “ligji i barabartë për të gjithë”, por që në praktikë zbatohet vetëm për qytetarin e thjeshtë.

Ky është një fenomen i rrezikshëm, me rrënjë në trashëgiminë e sistemit të vjetër socialist. Demokracia shqiptare u ngrit mbi të njëjtat struktura, thjesht me fasadë të ndryshuar. Pasojat i vuajnë qytetarët e thjeshtë, ndërsa pushteti përdor ligjin si mjet presioni e frike, jo si instrument barazie.