Sigal

Edhe këtë radhë, si dhe herë tjetër, përpara, gjatë dhe pas Samitit të vendeve të G20 që zhvilloi punimet në OSAKA të Japonisë, vëmendja e drejtuesve dhe liderëve politikë, mediave, analistëve, opinionit publik dhe komunitetit akademik ka qenë dhe është e fokusuar jo vetëm në takimet bilaterale me mjaft interes ndërmjet liderëve gjatë ditëve të Samitit, por edhe në diskutimet për çështje me rëndësi ndërkombëtare e gjeopolitike dhe sigurisht, në deklaratën përfundimtare që shoqëron çdo përfundim të punimeve të këtij Samiti.

Është fakt që me kalimin e viteve pritshmëritë për veprime konkrete (përtej deklaratave politike) janë gjithmonë e më shumë modeste. Arritjet në vendime të përbashkëta në fund të Samiteve të kësaj natyre, vitet e fundit kanë qenë sfiduese. Kjo sepse vitet e vështira të krizës financiare globale pas viteve 2008, ndryshimet e ndodhura në skenën politike ndërkombëtare që pasuan këtë krizë si dhe vendosja gjithmonë e më shumë në dyshim e një pjese të parimeve mbi të cilat rendi ekonomik ndërkombëtar ishte ndërtuar dhe të cilat deri përpara disa vitesh konsideroheshin si të shenjta, e “tabu”, e kanë bërë arritjen e qëllimeve të përbashkëta jo fort të lehtë. Të njëjtat pritshmëri mund të themi se ishin edhe përpara këtij Samiti. Deklarata përfundimtare e këtij Samiti, e cila në disa pika duket shumë e ngjashme me deklaratën që pasoi Samitin e Buenos Airesit të zhvilluar në fund të vitit të kaluar, duket se nuk i zhgënjeu skeptikët. Sidoqoftë mund të themi se edhe ky Samit shënoi disa elemente pozitive. Dakordësia për të vazhduar bisedimet për marrëveshje tregtare ndërmjet SHBA dhe Kinës dhe deklarata e Presidentit të SHBA-Trump, për të mos vendosur ende tarifa të reja mbi produktet kineze, duket se shënoi një rezultat me kahe pozitive. Megjithatë, mund të themi se edhe gjatë kësaj fundjave arritja e një deklarate të përbashkët nuk ishte një gjë e lehtë, duke nxjerrë edhe një herë në pah sfidat me të cilat përballet sistemi ekonomik dhe politik ndërkombëtar si dhe vështirësitë që ekzistojnë në arritjen e konsensusit të përgjithshëm mbi tema të ndryshme.

Deklarata përfundimtare e këtij Samiti, dëshmoi se përsëri në qendër të punimeve të tij, fokusi ishte zhvillimi ekonomik global dhe social. Prandaj mes çështjeve më të rëndësishme që u diskutuan gjatë punimeve, ishin mbështetja e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë globale nëpërmjet tregtisë, investimeve, inovacionit dhe ekonomisë digjitale, e ardhmja e financave globale, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj pabarazisë, më shumë drejtësi sociale, përmirësimi i politikave që synojnë barazi gjinore, si dhe çështja e shumëdiskutuar e ndryshimeve klimaterike.

Për sa i përket rritjes së ekonomisë globale, liderët e G20 pranojnë që megjithëse kushtet janë përmirësuar dhe rritja duket se është stabilizuar dhe pritet të vazhdojë edhe në vitin 2020, kjo rritje vazhdon të mbetet në nivele të ulëta, por edhe e rrezikuar nga tensionet tregtare dhe gjeopolitike. Për këtë arsye, theksi vendoset te koordinimi i politikave fiskale më elastike dhe të orientuara drejt rritjes ekonomike si dhe politikave monetare në mbështetje të aktivitetit ekonomik.

Rritja ekonomike vështirë se mund të arrihet në mungesë të kushteve që garantojnë një tregti të lirë, aq më shumë në një periudhë të tillë, kur dy ekonomitë më të mëdha në botë gjenden në një situatë të komplikuar për sa i përket marrëdhënieve të tyre tregtare. Kjo është edhe arsyeja që në deklaratën përfundimtare, një rëndësi e veçantë iu kushtua nevojës për një ambient tregtar të lirë, të drejtë, jo diskriminues dhe transparent. Ashtu siç u theksua edhe në Samitin e kaluar të G20 në Buenos Aires, edhe kjo deklaratë përfundimtare përmbante referenca që lidhen me nevojën për një funksionim më të mirë të sistemit tregtar ndërkombëtar si dhe për një reformim të nevojshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë e cila sipas deklaratës përfundimtare ka nevojë për të përmirësuar funksionimin e saj.

Sfidat me të cilat po përballen rajone të ndryshme të globit por edhe sistemi ekonomik ndërkombëtar në tërësi lidhen me ndikimet që sjellin teknologjitë e reja si dhe digjitalizimi i sektorëve tradicionale të ekonomisë. Nevoja për një bashkëpunim më të afërt dhe më të ngushtë si dhe një siguri më të madhe për sa i përket shkëmbimit të informacionit dhe të ideve ishte një nga pikat kryesore mbi të cilat u diskutua gjatë dy ditëve të Samitit dhe një gjë e tillë u vu re edhe nga përmendja e kësaj nevojë në deklaratën përfundimtare.

Deklarata përfundimtare vendos theksin të angazhimi për të promovuar rritjen e punësimit nëpërmjet zbatimit të politikave si dhe aksesit në një arsim cilësor, faktorë këta që do të përmirësojnë kushtet e punës për të gjithë të punësuarit, pa diskriminuar personat në bazë të gjinisë apo të aftësive të veçanta në një treg pune gjithmonë e më dinamik. Një angazhim tjetër i vendeve të G20-ës ka të bëjë me nevojën për të promovuar barazinë gjinore dhe rolin e gruas në shoqëri, përmirësimin dhe rritjen e cilësisë në sektorin e turizmit dhe agrikulturës, si dhe përmirësimin e kushteve të shëndetit publik duke inkurajuar veprimtarinë e Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë.

Çështja e ndërtimit të një sistemi financiar global elastik, ajo e arkitekturës financiare ndërkombëtare dhe nevoja për institucione globale financiare dhe ekonomike që të forcojnë rritjen ekonomike të qëndrueshme zunë një vend të veçantë në diskutimet por edhe në deklaratën përfundimtare. U theksua përsëri angazhimi për të kontribuar në drejtim të krijimit të një sistemi ndërkombëtar tatimor modern dhe globalisht të drejtë si dhe për luftën ndaj korrupsionit në nivel global. Në deklaratë nuk mungon referenca që lidhet me rëndësinë e ndryshimeve klimaterike si dhe angazhimin për të respektuar Marrëveshjen e Parisit, me përjashtim të SHBA, të cilat i përmbahen vendimit të tyre për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje. Në këtë pikë deklarata përfundimtare i përmbahet të njëjtit qëndrim të deklaratës së Samitit të kaluar, atij të Buenos Airesit.

Samiti G20 në përfundim nxori në pah faktin se sistemi politik dhe ekonomik ndërkombëtar ka nevojë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë. Dhe u kërkua që ky bashkëpunim të zhvillohet përtej kuadrit të deklaratave duke kaluar në vendimmarrje dhe aksione konkrete. Zhvillimi i ekonomisë digjitale, impakti i saj në punësim, rreziqet që i kanosen rajoneve të tëra nga konfliktet dhe nga varfëria, rreziku i shfaqjes së krizave si ajo e 2008 dhe impakti global që mund të ketë janë çështje të cilat nuk mund të zgjidhen dhe as të parandalohen në asnjë mënyrë tjetër përveçse bashkërisht. Në këtë kontekst, megjithëse Samite të tilla vështirë se mund të prodhojnë vendimmarrje konkrete ato janë të një rëndësie të veçantë për vendosjen e piketave mbi të cilat debati politik në nivel ndërkombëtar mund të zhvillohet. Le të mbajmë këto elemente pozitive të këtij Samiti dhe të besojmë për rezultate konkrete që do të rrjedhin nga vendimtarja dhe Deklarata e Tij në të ardhmen.