Nesip Kaçi
Ish-ambasador në Turqi
Turqia është vendi më i madh ballkanik, që i jep tonin këtij rajoni, por edhe më gjerë. Ajo numëron mbi 80 milion banorë, ka ushtrinë më të madhe dhe ndër më të fortat, më të armatosurat në Europë. Rolin e saj ekujlibrues, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë dhe Lindjen e Mesme, e treguan ngjarjet e dy viteve të fundit në luftën e Rusisë në Ukrahinë si dhe në luftën midis Hamasit dhe Izraelit. Por le t’i kthehemi marrëdhënieve tona me Turqinë.
Në Turqi jetojnë me miliona shqiptarë, që askush nuk është në gjendje të thotë sa janë. Në verën e vitit 1987 isha në Turqi me një delegacion të ministrisë së punëve të jashtme, që e kryesonte zëvendësministri i jashtëm Sokrat Plaka. Në këtë delegacion ishte dhe Vladimir Pulaj dhe një shok tjetër që nuk më kujtohet emëri i tij. Në pritjen që na bëri në Çankaja kryeministri i Turqisë Turgut Ozall, na foli me shumë respekt për shqiptarët që jetojnë në Turqi, të cilët, na tha, janë të shumtë dhe ndërkohë iu drejtua zëvendësministrit Sokrat Plaka dhe e pyeti : Sa shqiptarë mendoni ju se janë në Turqi ? Sokrat Plaka u mendua dhe ktheu sytë nga anëtarët e delegacionit tonë, nga Ladi, nga unë dhe nga shoku tjetër, por askush nuk ishte në gjëndje t’i thosh ndonjë fjalë. Kryeministri turk, Turgut Ozall, që e pa se nuk kishim ndonjë përgjigje, ndërhyri vetë dhe na tha : Në Turqi ka më shumë shqiptarë se sa ka Shqipëria dhe Kosova të mara së bashku. Ozalli na tha mos u çuditni se vetëm në familjen time nga shtatë vëllezër që jemi, dy i kanë gratë shqiptare dhe nëna ime jeton me njerin vëlla që e ka gruan shqiptare. E dini si themi ne turqit, na tha presidenti Turgut Ozall, shqiptarit merrja vajzën por mos ia jep vajzën, se kanë kërkesa shumë.
Unë, që punova rreth pesë vjet në Ankara dhe i rashë Turqisë kryq e tërthor, nga Stambolli deri në Adana, kudo kam gjetur shqiptarë, kam biseduar me ta edhe për numërin e tyre dhe përgjigjia ka qënë se në Turqi jetojnë minimumi mbi dhjetë milion shqiptarë me nënë dhe me baba shqiptar, se po të numërohen edhe ata që kanë shqiptare vetëm nënën ose vetëm babanë, atëhere numëri i tyre në Turqi arrin në mbi 15 milon.
Duhet ta dimë se emigrimi i shqiptarëve në Turqi ka filluar që para Skënderbeut dhe ka vazhduar me ritme të larta deri në ditët tona, pra mbi 600 vjet. Këtu duhet të shtojmë se vetëm nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Herzegovina etj, pra nga ish-Jugosllavia, janë shpërngulur me forcë në Turqi qindra-mijra shqiptarë, të cilët në Turqi kanë krijuan zona dhe fshatra të tëra vetëm me shqiptarë. Kur erdhi në Turqi asambli i Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria në vitin 1990 dhe dha shfaqje edhe në qytetin e Samsunit, pranë Detit të Zi, spektatorët ishin të gjithë kosovarë që këndonin dhe vallëzonin bashkë me artistët të ardhur nga Shqipëria, ata na thanë se në fshatrat tona rreth Samsunit, nga ana e Detit të Zi, flitet shqip.
Në Turqi, gjatë 645 viteve të ekzistencës së Perandorisë Osmane, numërohen rreth 38 sadrazemë (kryeministra) shqiptarë, ose me origjinë shqiptare, të cilët gjatë qeverisjes së tyre merrnin dhe tërhiqnin në Stamboll dhe në krahina të tjera të pabanuara të Turqisë, njerzit e tyre, vëllezër e motra, krushqi, nipër e mbesa, bashkëfshatarë, trima, që u duheshin për mbrojtje dhe i vendosnin t’i kishin pranë. Këta nuk ishin një e dy por ishin shumë, me mijëra, që emigronin për një jetë më të mirë dhe kjo ishte edhe një mënyrë se si shqiptarët emigronin në Turqi dhe në të gjithë perandorinë osmane. Por këtë nuk e praktikonin vetëm sadrazemët (kryeministrat) e mëdhenj shqiptarë ose me origjinë shqiptare por edhe të tjerë me përgjegjësi më të ulta siç ishin vezirët (ministrat), bejlerbejtë, sanxhakbejtë, valinjtë, komandantët e ushtrisë të niveleve të ndryshme etj., etj. Kur punoja në Algjeri me detyrën e ambasadorit në lagjen Kasbah të Algjerit, gjetëm një mëhallë që banohej me shqiptarë dhe kur i pyetëm si keni ardhur në Algjer, ata na thanë se gjatë perandorisë osmane numëri 1 i Algjerit ishte shqiptar dhe ai na tërhoqi në Algjeri dhe mbetëm këtu ku jemi sot dhe në vite jemi shtuar në numër.
Ja dhe një shembull tjetër. Qyprylinjtë, që ishin sadrazemë (kryeministra) me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane, ishin me origjinë nga Berati, ata e drejtuan Perandorinë prej, po thuaj, afro 100 vjetësh, afro një shekull. Historiografët shkruajnë se ata tërhoqën në Turqi nga Berati, po thuaj krejt fshatin e tyre Roshnik por dhe nga zona rreth tij. Shembuj të tillë ka plot, që dëshmojnë për emigrimet e shqiptarëve në Turqi. Mos harrojmë se shqiptarët në Turqi kanë një rritje popullsie të lartë dhe shtohen shumë.
Nga një bisedë dhe në një studim që kemi bërë në Komunën Sefer Hisar, të rrethit të Izmirit, në familjen Kushat, del se kjo familje ka ardhur nga Gjirokastra në Sefer Hisar në vitin 1914 me katër vetë, burrë e grua dhe dy vajza të vogja nën shtatë vjeç dhe në vitin 1984, pas 70 vjetësh, kjo familje numëron 30 veta, pra janë shtuar 26 veta. Duke marrë këtë shembull rritjeje të shqiptarëve në Turqi, duhet të themi se ky rast është një shembull mesatar, se ka dhe familje të tjera të ardhura në Tutqi nga Shqipëria apo Kosova me lindje më të larta. Familjet që kanë ardhur në Turqi nga Kosova kanë natalitet shumë më të lartë nga familja që studiuam në Sefer Hisar, është kjo arësyeja që themi se në Turqi ka mbi 15 milion shqiptarë. Unë këtë shembull e solla për të treguar se sa shumë shtohen shqiptarët dhe të mos na duket i madh numëri i shqiptarëve që jetojnë sot në Turqi. Ky shembull bën fjalë për familjen Kushat në Sefer Hisar pranë Izmirit, që ka në Turqi 70 vjet, por mos harrojmë se ka shqipëtarë që jetojnë në Turqi që prej 600 vjetës, qysh para Skënderbeut. Ata janë shtuar brez pas brezi, janë martuar të rinj dhe pas 600 vjetësh një pjesë dhe mund të jetë asimiluar, por etnogjeneza shqiptare është aty, ajo ndoshta flë, por nuk shuhet. Duhet të theksojmë fort se në Turqi shqiptarët gëzojnë emër shumë të mirë, kudo të flasin me respekt të veçantë për ta dhe është poetja dhe shkrimtarja turke, Adivie Adivar, ithtarja, pasuesja, partizania dhe nxënësja e Mustafa Qemalit, e cila i shkruan kështu një mikut të saj shqiptar : “Në Turqi, po the shqiptar, ke thënë vëlla i turkut”.
Kur i paraqita Letrat Kredenciale presidentit të Turqisë, gjeneralit Kenan Evren, ai më tha: zoti ambasador, ne e shikojmë Shqipërinë, siç ka thënë Mustafa Qemali -Ataturku, shumë të afërt. Me shqiptarët na lidhin shumë gjëra, kemi jetuar të njëjtin fat për pesë shekuj nën të njëjtën çati, kemi qeshur e qarë sëbashku, jemi gëzuar e hidhëruar së toku. Historinë ta shikojmë ashtu sic ka qënë, kemi luftuar e fituar së bashku. Në Turqi po të thuash shqiptar, ke thënë më shumë se mik, ke thënë vëlla, bile unë do të shtoj, theksoi ai, se jemi kushërinj.
Cilat janë arsyet që në Turqi i respektojnë shqiptarët ? Besa shqiptare është një nga arsyet kryesore, shqiptari po të dha fjalën, po të dha besën, nuk e kthen më. Vetë turqit thonë shqip për shqiptarët : besa-besë. Veç kësaj shqiptarët janë të ndershëm, bujarë, të sjellshëm dhe trima. Shqiptarët gjatë perandorisë në vite kanë luftuar krah për krah me turqit. Ata janë lidhur me turqit edhe me krushqi. Me pak fjalë, shqiptarët janë një etni e konsoliduar në Turqi.
Për të vërtetuar numërin e madh të shqiptarëve në Turqi po sjell një shembull tjetër bindës dhe kuptimplotë. Në kuadrin e marrëdhënieve kulturore, në Bursa organizuam një shfaqje filmi shqiptar, ku mora pjesë edhe unë. Në këtë veprimtari kulturore merrte pjesë edhe valiu i Bursës. Njëkohësisht merrte pjesë edhe deputeti i Bursës, Abdelkader Xhengxhiler, që ishte safi kosovar, megjithëse kishte lindur dhe ishte rritur në Turqi. Pas filmit, në pritjen që u dha, valiu, që kishte një humor të veçantë, na tha duke i buzëqeshur Abdelkaderit, se në Bursa ka përqëndrime shqiptarësh, kryesisht kosovarë, aq sa Abdelkaderi, mandatin e deputetit të Mexhlisit të Madh të Turqisë, e merr nga kosovarët në Bursa rahat-rahat. Bursa, tha ai, është një nga qytetet e mëdha të Turqisë. Unë, tha vali beu, jam turk, por duke punuar me vite mes shqiptarëve kosovarë, kam marrë edhe nga zakonet e tyre, të cilat më tërheqin, veçanërisht bujaria. Unë e pyeta Abdelkaderin, sa shqiptarë ka afërsisht në Bursa ? Ai më tha se në qytetin e Bursës dhe në rrethinat e saj duhet të jenë 500 deri 700 mijë shqiptarë, kryesisht kosovarë, që pjesa më e madhe kanë ardhur në kohën e Rankoviçit.
Bisedat me shqiptarët e Turqisë, kur punoja në Ankara, i kam bërë edhe me familje që kanë mbi 350 apo 400 vjet në Stamboll dhe në Turqi, domethënë pas vdekjes së Skënderbeut. Dhe ja një rast. Ishte fundi i muajit nëntor 1988, kur organizonim pritjet e 28 dhe 29 nëntorit dhe ambasada në Ankara ftonte në këtë pritje edhe disa familje shqiptare të vjetra dhe me emër të mirë nga qytete të tjera si nga Stambolli, Izmiri, Eskishehiri, Adanaja, Samsuni, Bursa e të tjera. Të ftuarit jashtë kryeqytetit vinin në Ankara të paktën një ditë më parë dhe ishte bërë zakon i mirë nga Ulvi Lulo dhe Gjylani Shehu, që t’i priste edhe ambasadori dhe unë i prita ata para ditën e 28 nëntorit 1988 në selinë e ambasadës dhe këtu na u hap biseda e numërit të shqiptarëve në Turqi dhe vjetërsia e tyre. Njeri prej tyre, që ishte një intelektual, më tha, zoti ambasador, vjetërsia e familjeve shqiptare në Turqi dhe numëri i shqiptarëve mbeten dy fusha që kërkojnë vëmendje dhe të dhënat të hidhen në letër, që të mbeten në ambasadë. Familja ime, tha ai, është me origjinë nga Dibra dhe jemi shumë të hershëm në Shtamboll dhe këto të dhëna i kemi të dokumentuara me shkrim nga administrata osmane, që në ato vite shkruhej në osmanisht dhe stërgjjyshët dhe gjyshët e mi i kanë trashëguar në vite dhe na i kanë lënë të plota.
Kur unë fillova punën si ambasador në Turqi ishte koha që Shqipëria po hapej ndaj botës, pas një mbylljeje dyzet e pesë vjeçare. Deri në atë kohë shkëmbimet politike me Turqinë ishin në nivel zëvendësministri i punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme dhe nga Tirana asnjë shkëmbim tjetër nuk lejohej. Kjo justifikohej me pretekstin që të ruhej balanci me Greqinë, një gjë kjo fare pa kuptim, por që e vërteta ishte që të mos akuzohej Shqipëria për hapje ndaj Perëndimit. Aty nga viti 1988 në Shqipëri filloi lëvizja pluraliste, që u konkretizua me hapjen e vendit tonë ndaj botës së jashtme dhe hapjet e para filluan me Turqinë, Greqinë dhe Italinë.
Kështu me Republikën e Turqisë filluan shkëmbimet e para parlamentare në nivel të lartë: Nexhmedin Karaduman, Kryetari i Mexhlisit (Parlamentit) të Madh të Turqisë vizitoi Shqipërinë dhe homologu i tij shqiptar Rita Marko, në krye të një delegacioni të madh parlamentar të vendit tonë vizitoi Ankaranë. Kjo ishte hapja e parë në nivel të lartë midis dy vendeve tona, që vazhdoi me një tufë apo breshëri delegacionesh që vizituan reciprokishht Tiranën dhe Ankaranë, si ministri i Jashtëm i Shqipërisë Reiz Malile vizitoi Ankaranë, ndërsa ministri i jashtëm i Turqisë Mesut Jellmaz vizitoi Tiranën. Po kështu, vizituan Turqinë ministrja e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Vito Kapo, ministri i shëndetsisë Ahmet Kamberi dhe deri te kryeministri i Shqipërisë Adil Çarçani dhe presidenti Ramiz Alia, që erdhën për vizita në Turqi. Të gjitha këto shkëmbime i dhanë mundësi rritjes së marrëdhënieve dypalshe në të gjitha fushat, veçanërisht në fushhën tregtare dhe në atë të mbrojtjes.
Dua të nënvizoj se Turqia i ka qëndruar në krah Shqipërisë në raportet e saj të vështira me Greqinë dhe e ka bërë zap këtë të fundit, kur ajo është pregatitur të ndërhyjë ushtarakisht në Kakavije me forca të shumta.
Po tregoj një rast kur unë kam qënë ambasador në Ankara. Ishte korriku i vitit 1991 kur mora një telegram shifër nga Tirana, nuk ishte telegram qarkor por ishte vetëm për ambasadën në Ankara, ku ministri i jashtëm Muhamet Kapllani më informonte mbi gjendjen tepër të rrezikshëme në Kakavije, ku forcat greke kërcënonin për agresion. Në këtë telegram nënvizohej se kemi informuar ambasadorin turk në Tiranë dhe pasnesër do jem në Ankara për të informuar kolegun tim turk. Kam dhe një mesazh nga presidenti Ramiz Alia për presidentin turk Turgut Ozall. Kërko takim urgjent në ministrinë e jashtme turke dhe infomoi sa sipër.
Më datën 29 korrik 1991 ministri i jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani mbriti në Ankara dhe u prit nga ministri i jashtëm turk Safa Girai. Të nesërmen, më 30 korrik, me avionin special “Gurman 15” të presidentit turk Turgut Ozall, dy ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Turqisë, Muhamet Kapllani dhe Safa Girai dhe unë, u nisëm nga Ankaraja për në Marmaricë, ku pushonte presidenti turk, i cili sa dëgjoi zhurmën e avionit doli dhe na përshëndeti me dorë. Pasi u ulëm në tokë, presidenti turk na përqafoi dhe me që ishte vakti i drekës, na ftoi në tavolinën e bukës, duke na thënë se edhe do bisedojmë për hallet tona edhe do hamë drekë. Me t’u vendosur ne në tavolinën e bukës, president Turgut Ozall, po të dëgjoj, i tha ministrit tonë të jashtëm. Muhameti, nxorri nga çanta letrën, Mesazhin e Ramiz Alisë, dhe ia dha presidentit turk, të cilin, ai, pasi e lexoi, tha: More, unë e di si e do greku, po le ta provojë një herë të futet në Shqipëri, dhe na ftoi të fillojmë të hamë drekë. Pasi hangrëm drekë, Presidenti Turgut Ozall mori telefonin dhe në praninë tonë, u lidh me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke, gjeneralin Nexhip Torumtai, të cilit i tha : Kam në shtëpinë time Muhamet Kapllanin, ministrin e jashtëm të Shqipërisë dhe ambasadorin shqiptar. Në një mesazh që më ka dërguar vëllai ynë, presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, informohem se ushtria greke është duke provokuar jugun e Shqipërisë, ku ka përqëndruar forca të mëdha ushtarake. Tani ne duhet të lëvizim pa paralajmërim, se edhe Greqia, pa paralajmërimin tonë provokon Shqipërinë. Fillo vepro dhe më informo se ç’farë do bëjmë në këtë situatë. Unë e dëgjoja bisedën e tyre se e kuptoja mirë turqishten dhe isha shumë afër me presidentin turk. Shefi i Shtabit të ushtrisë turke, që dëgjohej edhe ai shumë qartë, i tha presidentit Turgut Ozall : Nën urdhërat tuaja Komandanti im i Përgjithshëm, do mblidhemi, do vendosim dhe brënda 24 orëve do jemi përballë kufijve grekë, nuk jemi larg tyre. Dhe kështu ndodhi. Ndërkohë lajmet nga Tirana bënë të ditur se ushtria greke po largohej nga kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe situata në Kakavije brenda 24 orëve u qetësua.
Por ky rast, që Turqia i ka dalë në krah Shqipërisë ndaj provokimeve greke, nuk është i vetëm. Disa vite më pas, kur Greqia filloi përsëri me pisllëqe të tilla duke u kapardisur me provokime në kufijtë jugorë të Shqipërisë për gjoja Vorio Epirin, ishte kryeministrja e Turqisë, Tansu Çiller (me origjinë shqiptare nga Maqedonia) që i deklaroi zyrtarisht Greqisë se po e preke Shqipërinë ne do ta mbrojmë atë ushtarakisht, dhe Greqia, pas kësaj deklarate bombastike të kryeministres të Turqisë, e futi bishtin në shalë dhe nuk u ndie më, të paktën deri më sot.
Duhet të themi se, ne shqiptarët i dalim vetë zot atdheut tonë, shembuj për këtë nga historia e kaluar ka shumë, ndërsa nga historia e sotme është Lufta Nacionalçlirimtare, kur Shqipëria u çlirua me forcat e veta. Mirëpo populli ynë ka edhe një shprehje : Trimi i mirë me shokë shumë, që nënteksti i kësaj është se edhe në të ardhmen marrëdhëniet tona me Turqinë t’i kemi në plan të parë.




















