Nesip Kaçi/ Në marrëdhëniet me Serbinë të shikojmë nga e ardhmja!

652
Sigal

Ngjarjet që ndodhën më 14 tetor në stadiumin “Partizani” të Beogradit nuk janë as të reja dhe as të papritura për ne shqiptarët. Ato janë një shpërthim i ri i ndjenjave ogurzeza të nacionalizmit serbomadh kundër shqiptarëve. Por këtë radhë në këto ngjarje nuk u aktivizuan vetëm huliganët dhe të rinjtë e çoroditur nacionalistë, llumpeni (mbeturinë), por në ‘to mori pjesë edhe elita nacionaliste dhe politikanët e rangut më të lartë partiak dhe shtetëror serb si Presidenti Tomislav Nikoliç, Kryeministri  Aleksandër Vuçiç, ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç dhe të tjerë, që opinioni  ballkanik dhe europian  i njeh mirë si pasardhës të Vasa Cubrillovicit, Sllobodan Millosheviçit dhe Naçertanies famëkeqe. Më e keqja është se gjithë ky det urrejtjeje kundër shqiptarëve, që shpërtheu në stadiumin “Partizani” në qendër  të Beogradit, para, gjatë  dhe pas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri  në kuadrin e “Kampionatit Europian 2016”, që zgjatën  disa orë me thirrjet “vdekje shqiptarëve”, “vrisni shqiptarët”,“nënat shqiptarëve” dhe u pasqyrua nga  të gjitha gazetat dhe kanalet më prestigjioze televizive të Europës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botës  etj., apo hedhjet e sendeve të forta në fushë, shisheve, tymin e bardhë që mbuloi fushën e të tjera “nuk i panë” disa drejtues të Europës si zëdhënësja e Baroneshës  Ketrin Ashton, Maria Kocijançiç, e cila i quajti ndërhyrjen brutale kundër futbollistëve shqiptarë  si dhe sharjet dhe ofendimet  në stadium te tifozëve serbë ndaj shqiptarëve  “Profesionalizëm të policisë serbe”. Këto skandale nuk i pa as Platinia, as Blatter, që janë në krye të Federatës Botërore të Futbollit, nuk i panë as anëtarët e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s. E tmerrshme, cinizëm dhe mashtrim të marra së bashku. Kjo që ndodhi më 14 tetor në Beograd nuk ishte e rastit, ajo është vetëm maja e ajsbergut të një prapaskene, që tymin do t’ia shohim më vonë. Por kush ndjell erën, korr furtunën. Le t’i kthehemi për një moment të kaluarës jo të largët. Një muaj pas vdekjes se Titos, kur punoja në Rumani me detyrën e ambasadorit, ishim në pritjen e Festës Kombëtare të Çekosllovakisë  me ambasadorin e Finlandës, Suedisë dhe Italisë. Ambasadori  i Jugosllavisë, Nikoliç,  të cilin e kisha përballë, më tha me një ton aspak diplomatik: ju shqiptarët përziheni në punët tona  të brendshme, duke i fryrë iridentizmit shqiptar në Kosovë dhe përpiqeni të mbillni në të ndjenjat nacionaliste shqiptaro-madhe. Unë e dëgjova deri në fund dhe i qetë e me mirësjellje i thashë: zoti ambasador,  nuk po kuptoj përse e keni  fjalën, ne të dy para tre ditësh kemi biseduar një orë në rezidencën time, nuk m’i keni  thënë këto, kush t’i ka dhënë këto informacione, apo ashtu të ka udhëzuar Beogradi. Ai më tha se, informacione marrim për ditë, por puna është që ju duhet ta dini se ku i  keni kufijtë, të dini një gjë se shqiptarët ne Kosovë dhe në tokat e tjera të Jugosllavisë janë të ardhur, kanë zbritur nga malet e Shqipërisë dhe i kanë shtyrë serbët në thellësi, duke marrë toka dhe territore serbe. “Këto që thoni Ju zoti Nikoliç,- e kundërshtova duke ngritur tonin- nuk qëndrojnë aspak ndaj argumenteve bindëse që jep historia”. “Cila histori”,- më tha ai. “Historia e popullimit të Ballkanit”,- ia ktheva dhe Enciklopedia Europiane, e cila flet ndryshe nga ato që thoni Ju dhe shtova-Ilirët-paraardhësit tanë, helenët- grekët e sotëm dhe dakët-rumunët e sotëm datojnë në trojet e sotme në Ballkan që në shekujt e hershëm para Erës së Re, para Krishtit, kurse serbët, sllavët, janë shfaqur në Ballkan në shekullin e pestë të erës së re, të Erës Sonë, domethënë datojnë  në Ballkan nga viti 500 i epokës sonë dhe pak nga pak me pushtime dhe luftëra të përgjakshme i kanë shtyrë dhe spostuar shqiptarët në brendësi të tokave shqiptare. Tani, lidhur me atë që më the pak më parë që ne shqiptarët të dimë se, ku i kemi kufijtë, tani dëgjo dhe mëso ku i kemi kufijtë: Kufiri i tokave shqiptare në Jugosllavi është në Kragujevac, atje, ku shqiptarët kanë luftuar trup me trup me pushtuesit serbë, ku janë kacafytur dhe përleshur nga leshtë e kokës me serbët  për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare. Pas këtij incidenti provokues të ambasadorit serbo-jugosllav Nikoliç dhe pas kësaj përplasjeje, njoftova Tiranën dhe qeveria jonë, nëpërmjet zëvendësministrit të Punëve të Jashtme Ksenofon Nushi, thirri në takim në ministri ambasadorin jugosllav në Tiranë dhe protestoi ashpër për këto shpifje të këtij diplomati jugosllav, duke i kërkuar që të mos përsëriten më këto provokime dashakeqëse që tronditin marrëdhëniet midis dy vendeve tona, edhe ashtu të brishta. Unë nuk e di  në se presidenti i sotëm i Serbisë Nikoliç, ka të bëjë me ish-ambasadorin Jugosllav Nikoliç në Bukuresht (1978), por këta dy Nikoliçë i bashkon anti-shqiptarizmi i tërbuar. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç luan sot një rol tepër negativ në përkeqësimin e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, ai i hodhi  benzinë zjarrit, që shpërtheu në stadiumin “Partizani” të Beogradit, duke na anatemuar ne shqiptarëve si “nacionalistë të pandreqshëm edhe për një shekull”. Ai në mënyrën më brutale nga kolltuku i Presidentit të Serbisë na akuzoi se, ishim ne shqiptarët organizatorë të gjithë asaj katrahure nacionaliste që ndodhi në shtëpinë e tyre më 14 tetor. Mirëpo gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Ajo që ndodhi në Beograd ditën e ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri ishte përgatitur me kohë  nga vetë ithtarët e Nikoliçit në prag të vizitës së presidentit rus, Putin, në Beograd, për t’i thënë Putinit se ne jemi gati t’i sulemi Kosovës siç vepruat ju me Krimenë dhe Ukrainën Lindore. Nikoliçin e rren mendja se Serbia do kthehet përsëri në Kosovë. Harroje këtë marrëzi, zoti Nikoliç dhe mos shiko ëndrra me sy hapur, mos e fut Serbinë në aventura të reja si ato të paraardhësit tënd Sllobodan Millosheviç, se do përfundosh në Hagë, ti dhe gjithë ata që kërkojnë luftëra të reja në Ballkan, nuk vutë mend dhe nuk  nxorët mësime nga viti 1999? Ne jemi fqinjë me Ju dhe i përmbahemi asaj se fqinjin, të pëlqen apo nuk të pëlqen, nuk e ndërron dot, me të përpiqu të bashkëjetosh dhe të kesh  marrëdhënie normale, të cilat fillojnë duke respektuar të drejtat e tij themelore. Ne, shqiptarët, nuk i biem kujt në qafë, por as nuk lejojmë njeri të na bjerë në qafë. Deklaratat e “trimërisë tuaj”: “vrisni shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” dhe aq më keq  “nënat shqiptarëve” (turp të keni), që lëshuat në stadiumin “Partizani” në Beograd më 14 tetor, dilni na i thoni në sheshin e burrave mos i lëshoni si burracakë në mungesën tonë dhe atëherë do të shikoni sa “trima” jeni, megjithëse, ua njohim edhe trimërinë, mos u lëvdoni aq shumë, ju pamë në luftën e Kosovës sa trima ishit, të vrasësh gra, fëmijë e pleq nuk është trimëri, por zhburrnim, kriminalitet. Ju bëheni trima kur ju mbështet Rusia, kur keni pas rusin, por dhe Rusia  tani nuk ju mbështet më. Gjatë luftës në Kosovë, kur aviacioni i NATO-s po bombardonte Serbinë, ambasadori i Serbisë  në Moskë, Viktor Millosheviç, i kërkoi në mesnatë takim Presidentit të Federatës së Rusisë, Boris Jellcin dhe i tha: Ç’prisni, pse nuk ndërhyni ushtarakisht për të mbrojtur Serbinë. Boris Jellcin i dha këtë përgjigje: “Ç’më këshillon, zoti ambasador, t’i hapim luftë gjithë botës, jo nuk futemi në këtë luftë,  pak vuajti populli rus në Luftën e Dytë Botërore, gjurmët e asaj lufte po i vuajmë akoma dhe sot”. Serbët kanë shpresuar gjithnjë në ndihmën ushtarake të Rusisë, por Rusia nuk mund të sakrifikojë aq shumë sa  të futet në një konflikt ushtarak me NATO-n për interesat e Serbisë.  Kur punoja në ambasadën tonë në Algjer dhe në Kosovë, si përgjigje për heqjen e të drejtës  së saj të krahinës autonome, heqjes  së të drejtës të përdorimit të flamurit shqiptar dhe mbylljes së shkollave shqip e të tjera, populli shqiptar atje u ngre në revolta masive, sidomos studentët e universitetit të Prishtinës. Në atë kohë Shqipëria u ngre vendosmërisht në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të  Kosovës, jo vetëm në OKB, por në të gjitha instancat dhe organizatat ndërkombëtare, ku aderonte dhe demaskoi përpjekjet e Jugosllavisë për shkombëtarizimin e Kosovës. Edhe unë si përfaqësues i Shqipërisë në Algjeri, gjatë një interviste  dhënë agjencisë APS (Algerie Press Service) mbrojta të drejtat e mohuara dhe të munguara kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe shpërndamë  materialet tona në të gjitha gazetat dhe revistat që botoheshin në Algjeri  dhe në 12 vendet e tjera afrikane, ku ishim të akredituar si dhe në 89 ambasadat e akredituara në Algjer. Pas kësaj në pritjen e festës kombëtare të Ambasadës së Hungarisë më takoi ambasadori jugosllav në Algjer, Viktor Millosheviç, vëllai i Sllobodan Millosheviçit dhe më tha: Dëgjova intervistën tënde në APS dhe lexova njoftimet tuaja në shtypin algjerian, por në ‘to ka shumë deformime të së vërtetës. Po mirë, -i thashë, -po të jetë kështu, i kundërshtoni dhe thoni cila nuk është e vërtetë: suprimimi i krahinës autonome, heqja e flamurit shqiptar apo  mbyllja e shkollave shqip?  “Jo,- tha ai,- shkollat nuk janë mbyllur, ato funksionojnë, por në gjuhën zyrtare, në gjuhën serbe, ndërsa autonomia nuk i takon Kosovës se është pjesë përbërëse dhe e pandarë e Serbisë, përsa i takon flamurit shqiptar ai tha se, Serbia ka simbol të krenarisë kombëtare flamurin serb, nuk mund të kemi dy simbole kombëtare. Viktor Milloshevici, ky nacionalist radikal serb ishte  një ithtar i thekur i Çubrilloviçit, ashtu si vëllai i tij Sllobodani.  Ai ngjante si dy pika uji me ambasadorin jugosllav Nikoliç në Bukuresht më 1978-n.

Gjatë shërbimit tim diplomatik  prej 16 vjetësh, kam patur shumë kontakte me ambasadorët e Jugosllavisë, ata që ishin të nacionalitetit jo serb si Petar Todik, kroat,  apo Faik Dizdarevic, boshnjak, i vëllai i ish- Presidentit të Jugosllavisë, Raif Dizdarevic, Trajan Petrovki, maqedonas, e të tjerë ishin më fleksibël, më të kuptueshëm, ndërsa ata që ishin të nacionalitetit serb, si Nikoliç në Bukuresht, Millosheviç në Algjer dhe Vlladisllav Jovanoviç në Ankara, (Gjatë luftës në Kosovë,  Jovanoviç shërbeu si ministër i Jashtëm i Serbisë dhe shumë miq, më kanë rrëfyer se është sjellë shumë keq me kosovarët) më janë dukur tepër antishqiptar, me të cilët jemi përplasur kryesisht për problemin e Kosovës. Në ambasadat jugosllave mbizotëronte elementi serb, të cilët ishin dinakë  dhe për Kosovën jepnin argumente qesharake, me qëllime të errëta dhe të mbrapshta. Ata përpiqeshin për ta futur edhe Shqipërinë në sqetullën e tyre, por këtë nuk e arritën kurrë. Edhe sot, serbët harrojnë se ka vetëm një Shqipëri, as të madhe dhe as të vogël. Ne jemi  një Komb, një vend dhe tokë shqiptare, që banohet nga njerëz të të njëjtit gjak, të së njëjtës gjuhë, të së njëjtës kulturë, të së njëjtës histori dhe të së njëjtit formim psikik e kombëtar. Shqipëri e madhe apo e vogël, janë vetëm manipulime antishqiptare. Ambasadorët jugosllavë ishin diplomatë  të përgatitur, të zotë dhe shumë të aftë. Ata ishin shumë dinakë ndaj çështjeve shqiptare. Duke qenë të formuar mirë për situatën në Ballkan,  por dhe në Europë, bënin analiza të ngjarjeve dhe situatave me ta shkëmbenim informacione me interes reciprok, por kur vinte puna e Kosovës, ndesheshim me ta, ziheshim, por prapë pajtoheshim, e shkëmbenim  informacione. Ata ndaj Shqipërisë tregonin interes të veçantë se ishim vende fqinjë, sepse si e mira dhe e keqja nga fqinji të vjen. Ata kishin dyshime se mos lidhej Shqipëria me Moskën. Dua të theksoj se për punën e Kosovës nuk pajtoheshim kurrë, ajo bëhej “molla e sherrit”, ata në atë kohë për Kosovën ishin kaluar, kurse sot jemi ne kaluar, sepse ia arritëm qëllimit. Kosova u bë e lirë dhe e pavarur. Ne ndaj provokimeve nacionaliste serbe, duhet të reagojmë, natyrisht nuk do qëndrojmë duarlidhur, por në mënyrë të matur, në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare, ku Serbia ka aderuar zyrtarisht, për t’i lënë vetes hapësira të volitshme të pranueshme nga aleatët tanë: SHBA dhe Europa. Sot, në Serbi, nacionalizmi  dhe antishqiptarizmi  besoj se, në një masë të madhe vjen se serbët nuk e gëlltisin dot, nuk e honepsin  dhe nuk e tresin dot  Pavarësinë e Kosovës, por me kalimin e kohës do mësohen. Ne shqiptarët  të ardhmen në Ballkan e shikojmë me optimizëm në kuadrin europian, pa paragjykime nacionaliste, që popujt e vendeve tona të jetojnë në paqe dhe miqësi, të mos shikojmë nga e kaluara por vetëm nga e ardhmja. Me shpresë se me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Beograd më 10 nëntor do ndryshojnë shumë gjëra për mirë, kemi shumë punë dhe projekte për të konkretizuar me Serbinë, që nga ndërtimi i rrugëve tokësore e detare, zhvillimi i turizmit reciprok  veror dhe dimëror midis dy vendeve. Dosja që do marrë me vete Edi Rama në Beograd është plot me projekte bashkëpunimi  midis Shqipërisë dhe Serbisë në fushën ekonomike për ta shndërruar Ballkanin Perëndimor në  Europë, sepse vetëm paqja dhe bashkëpunimi janë sot në të mirën e dy popujve tanë fqinjë. Le të mbetemi me shikim nga e ardhmja.

*   Ish-ambasador