Vangjush Saro/ Ikja nga ideologjitë

575
Sigal

Drejtuesit politikë në vend vazhdojnë të përdorin kutin e demagogjisë për të treguar çfarë po ndodh, si shkojnë punët në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi. Ata nuk mund të heqin dorë aq lehtë nga e shkuara, me të cilën ishin mbrujtur të parët e tyre, por po baltosen, me sa duket, edhe këta të tanishmit. Në një takim me gra biznesmene, Lulëzim Basha ka deklaruar plot cinizëm: “Një në tre shqiptarë, është zhytur në borxh për konsumin e përditshëm, për bukën e gojës.” Nuk po i kujtojmë atij që pikërisht një e treta e vendit drejtohet nga ai vetë. Por gjithsesi, na duket se është shumë shpejt që kreu i PD-së dhe i bashkisë më të madhe në vend, të harrojë borxhet dhe listat e ushqimeve… të kohës kur ai dhe idhujt e tij ishin në pushtet, borxhe e lista për të cilat u zotuan shumë herë dhe nuk i hoqën dot, për të mos thënë që i shtuan.

Duke pasur gjithë të drejtën për treguar dobësitë e kundërshtarit, qoftë edhe duke harruar kush është dhe ç’kishte mbjellë më parë edhe vetë, drejtuesi i opozitës, dalëngadalë, duhet të vijë në shifra, në fakte, duke e lënë mënjanë euforinë ideologjike. Mirëpo çfarë ndodh realisht? Duke treguar se si mund të përmirësohet gjendja, kreu i opozitës tha midis të tjerave: “Rruga është ajo e uljes së taksave… e barrës së barabartë dhe jo e favorizimit të klientelës politike.”. Sërish është për t’u habitur; përmirësimi i politikave dhe sigurimi i mirëqenies qenkan me të vërtetë një gjë e lehtë, anipse kur ishin vetë në pushtet, nuk vunë në zbatim asnjë nga leksionet që po iu japin sot kundërshtarëve politikë. Sidomos ajo gjysmëfraza për “mosfavorizimin e klientelës politike”, është valutë, një gjetje pothuaj. Sikur nuk ishte po ai dhe idhujt e tij politikë që mbollën këtu farën e favorizimeve politike, që nga emërimet më të thjeshta deri te zgjedhjet e sforcuara në forumet e biznesit e në institucionet e varura e të pavarura, si puna e INSTAT, Dhomave të Tregtisë, etj.; nuk ishin ai dhe drejtuesit e tij shpirtërorë që iu dhanë përparësi miqve dhe farefisit në tendera dhe në kredi, në raportet me biznesin e huaj po ashtu, duke lënë nam në përballjen me partnerët, që herë pas here ngrinin supet.

Ani. Po e marrim të mirëqenë edhe këtë argument. Pasi vazhdoi edhe me disa “gjetje” të tjera këso, kryetari i opozitës përfundoi me gjetjen më të madhe, që është… rruga e protestave. Pra, e fillojmë takimin me një gong ideologjik dhe e përfundojmë po me një thirrje ideologjike (!) Një politikë e tillë, duket e pashpresë. Nuk është normale që dikush të vijë nga një shkollim Perëndimor dhe të sillet si ai më i humburi i parimeve të Lindjes. Doemos që kryetari i opozitës ka të drejtë ta ngrejë zërin për të gjitha sa u thanë më lart; edhe për më shumë se aq. Por së pari, pasi të ketë vështruar në mënyrë kritike rrugën nëpër të cilën partia e tij dhe udhëheqësit e tij shpirtërorë shpërndanë gjithandej varfërinë dhe shpërblimin sipas kontributeve militantiste e në prirje krahinore të patolerueshme. Në një kuptim, edhe pasi të jetë ndarë me mentalitetin e vjetër drejtues, që mbështetej vetëm në ideologji, duke i besuar parullave, që ia kufizonin vështrimin, gjykimin, dhe e zhbënin krejt individin e institucionet, duke ua transformuar e shprishur shifrat dhe faktet nëpër duar.

I themi këto sepse vetëm pak ditë pas ligjëratës së tij “pesimiste”, bëhen të ditura të dhënat e raportit më të fundit (të përvitshëm) nën okelion “Doing Business 2014”, përmes të cilave Banka Botërore rreh të na gëzojë me lajmin se renditja e Shqipërisë (sa i takon termave të kësaj teme,) është përmirësuar me 48 shkallë. Mund të shikohet me qetësi se është fjala për një ndryshim të dukshëm. Shqipëria, sipas këtij raporti, është ngjitur nga vendi i 109-të në botë, ku gjendej vetëm një vit më parë, në vendin e 68-të, duke bërë një kërcim jo të vogël. (Sipas studimit në fjalë të Bankës Botërore, rritja e vlerësimit për Shqipërinë ka ardhur për shkak të një sërë reformave të ndërmarra gjatë këtij viti, ku përfshihet lehtësimi i regjistrimit të bizneseve, ulja e kohës për lejet e ndërtimit, adoptimi i rregullave të reja për ndërtesat dhe informatizimi i procedurave për regjistrimin e pronave.)

Mund të kujtojmë tani – këtë gjë bën edhe raporti në fjalë – se një kapërcim të tillë të shënuar, Shqipëria e pat regjistruar edhe në vitin 2009, (kur vendi u klasifikua ndër dhjetë ekonomitë më reformatore në botë). Kryetari i opozitës mund ta përmendë shumë mirë këtë fakt dhe shumë fakte të tjera – në interes të forcës politike që drejton dhe të vetë Shqipërisë – por duhet të na thotë gjithashtu, pse në vitin 2010, papritur, renditja e Shqipërisë në raportin e biznesit është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e dërguar vendin shumë shkallë më poshtë në renditjen përkatëse(!) Prapë duhet të kujtojmë se në momentin që qeveria e S. Berishës ndryshoi mënyrën e regjistrimit të bizneseve, duke ndërmarrë edhe disa masa të tjera, raporti më i parë “Doing Business…”, i shtoi pikë Shqipërisë. Mandej, abuzimet dhe keqpërdorimi i pushtetit sollën tatëpjetën. Pra, vizatimi i pamjes duhet bërë jo përmes monologëve të mbushura me ideologji, por duke renditur fakte, praktika, duke iu qasur sa më shumë të vërtetës.

Tani, mbase është e zakonshme që ne të përsërisim shfaqjet dhe manitë. E dukshme është që pretendimet për pamjen ekonomike të vendit, po përplasen; dhe ato duan një analizë më të thellë dhe më bindëse se sa një shfrim ideologjik në prani të grave biznesmene, që vijnë të dëgjojnë ndonjë gjë me vlerë e jo sloganet e protestave që ua panë sherrin tash çerek shekulli. Edhe ekonomisti i njohur Milton Friedman, në një nga veprat e tij, shtron pyetjen përvëluese: “Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankeshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë?” (“Kapitalizmi dhe liria”). Por ai dhe gjithë ekonomistët dhe politikanët perëndimorë nuk na këshillojnë të karrikojmë bateritë me ideologji, me demagogji. Kjo do të ishte një kthim prapa, në përplasje e konflikte pa sens, mjegull, praktika që asnjëherë nuk e zëvendësojnë dot polemikën për të vërtetën dhe rindërtimin politik të saj përgjatë një opozite që nuk bërtet, por flet.