Nasip Naço/ Filozofia e maxhorancës, reformë e gjithanshme

549
Sigal

Debati parlamentar për mocionin  mbi çështjen e integrimit europian

Filozofia e kësaj maxhorance është një reformë e gjithanshme dhe e prekshme në të gjitha fushat për të bërë të munduar realizmin e perspektivës europiane të Shqipërisë: integrimin e plotë të saj. Reformimi, modernizimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten prioritetet tona, ku krahas përmirësimeve legjislative, do të kërkojmë edhe marrjen e masave zbatuese të nevojshme. Marrja e statusit të vendit kandidat kërkon pa dyshim një vullnet politik jo vetëm të qeverisë, por edhe të të gjithë shqiptarëve, për të respektuar me prioritet kryesor Kushtetutën, konventat ndërkombëtare, standardet më të mira europiane, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që, të gjitha së bashku, kërkojnë, ndër të tjera, edhe një bashkëpunim konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës. Pasaporta jonë për në BE janë: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformimi, dixhitalizimi e modernizimi i të gjithë sistemit të drejtësisë. Ky është prioriteti ynë. Në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jemi të vendosur që të kemi një qasje të re. Do të ndërtojmë politika të reja dhe do të dëshmojmë një vullnet të ri për shkuar përpara. Kjo është beteja jonë më e rëndësishme, me synimin për t’u kthyer qytetarëve besimin te sistemi i drejtësisë dhe për të hapur perspektiva të reja për zhvillimin e vendit drejt integrimit në familjen europiane. Konsolidimi i shtetit të së drejtës, i pavarësisë së pushteteve, duke mbajtur në vëmendje parimin “check and balance”, i eficiencës në fushën e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative janë udhërrëfyesi ynë në betejat që na presin. Këto janë prioritetet tona. Reformimi, dixhitalizimi dhe modernizimi i çdo mekanizmi që shteti ka në strukturën e tij, i çdo hallke dhe i çdo shërbimi që ka shteti do të jenë kryefjalë e ndryshimeve ligjore në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Ne duhet të ndërtojmë një sistem efikas dhe transparent, një sistem në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjit, në bazë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit, në bazë të përpjekjes sonë për t’u integruar në familjen europiane. Askush të mos jetë mbi ligjin. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Ajo ka nevojë për kontributin e opozitës, e cila në shumë pikëpamje mund të mos jetë dakord me ne, por integrimi i Shqipërisë është emëruesi i përbashkët që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese për të mirën e vendit dhe të shqiptarëve. Në këtë drejtim, minimalisht ne duhet të marrim shembull nga vendet e rajonit, të cilat, edhe pse debatojnë brenda vendit të tyre, në arenën ndërkombëtare janë të gjithë bashkë, sepse mbrojnë interesat e vendit të tyre.. Vlen të përmendet që është shënuar progres në lidhje me plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, e cila është prioritet kyç, por mbetet ende shumë për të bërë.  Ministria e Drejtësisë, për këtë qëllim, do të mbështetet në një analizë dhe studim të detajuar të performancës së kuadrit ligjor ekzistues me konventat penale dhe civile të KE-së kundër korrupsionit, duke ndërhyrë edhe në aktet e tjera ligjore, që lidhen me këtë qëllim. Do të bëhen: ndryshime në Kodin Civil, për të përshtatur standardet e Konventës Civile të KE-së për parandalimin e korrupsionit, vendosjen e përgjegjësisë civile, që rrjedh nga veprimet korruptive; ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, lejimin e provës me dëshmitarë për veprime korruptive, përcaktimin e përgjegjësisë së administratës shtetërore për shkak të veprimeve korruptive; ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, shtimin e përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit për veprat penale korruptive; ndryshime në Kodin e Procedurës Administrative, përgjegjësinë e administratës publike dhe të punonjësve të saj për dëmet që u shkaktojnë personave privatë nëpërmjet veprimeve korruptive; ndryshime në Kodin Penal etj. Nëpërmjet strategjisë antikorrupsion në fushën e drejtësisë do të intensifikohet ndjeshëm lufta kundër korrupsionit, duke shembur murin e pandëshkueshmërisë. Realizimi i këtij qëllimi do të përqendrohet në katër drejtime kryesore:

– Në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të shoqërisë civile.

– Në parandalimin me reformat dixhitale dhe modernizimin e administratës.

– Në miratimin e paketës antikorrupsion.

– Në zbatimin e ligjit.

Të nderuar kolegë deputetë,

Ne jemi të vetëdijshëm se konsolidimi i shtetit të së drejtës, nëpërmjet luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformimit, dixhitalizimit dhe modernizimit të sistemit gjyqësor, do të jetë pasaporta jonë drejt integrimit në BE. Këto janë sfidat tona të përbashkëta për të adresuar në rrugën e duhur qëllimin e përbashkët, për të vënë në qendër të çdo reforme qytetarin shqiptar, i cili na ka besuar realizimin e qëllimit të tij për të qenë pjesë e një shoqërie europiane.