Mos luani me durimin e popullit!

554
Nga Gjon BRUÇI
Nuk besoj se në historinë e popullit tonë të ketë ndonjë rast apo periudhë, që “x” regjim, pushtet apo politikan, të jetë tallur me qytetarin shqiptar, pra me popullin, aq sa është tallur e po tallet kasta drejtuese e politikanëve dhe pushtetarëve aktualë. Një tallje e përditshme njëzet e tetë vjeçare, aq sa është dhe mosha e tranzicionit të pambarimtë të demokracisë kallpe që po aplikojmë. Nëse do të rikthejmë kujtesën në fillimet e të ashtuquajturës “demokraci”, dhe me sytë e mendjes do të ri-përcillnim vitet gjer në ditët e sotme, në ekranin e memories sonë do të regjistronim një telenovelë tallëse (realisht një dramë, apo më saktë një tragjikomedi) me shuma akte, e cila vijon të luhet pa pushim në kurriz të popullit. Është rasti të shënojmë këtu një fenomen sa interesant, aq dhe i konsumuar gjer në tepri: Në pragun e zgjedhjeve për karrigen e pushtetit, politikanët i lëpihen popullit, duke i bërë elozhe me frazën e madhe të “sovranit”. Pastaj kur vijnë në pushtet, “sovranit” i japin munxët, ose fillojnë tallavanë me të. Ndërsa opozitarët, që duan të kthehen në pushtet se u janë mbaruar “zahiretë”, kur nuk gjejnë mbështetje në popull, apo kur populli nuk reagon siç dëshirojnë ata ndaj “padrejtësive”, i ngjisin bishta, duke e quajtur “turmë”, “shoqëri delesh”, një “popull i pa civilizuar”, “që meriton qeverinë që ka” etj, etj. Duke harruar se kur ishin në qeverisje, vepruan njësoj si adashët e tyre në pushtet. Nga ana tjetër, kur populli nga padurimi i padrejtësive apo dhe nga nxitja e smirëzinjve, kuturis të dalë në rrugë, ku doemos nuk mund të shmangen edhe shfaqjet e dhunës, atëherë pushtetarët e radhës, nga nxitës të djeshëm, bëhen akuzues të sotëm të popullit, apo të një pjese të tij “të inkriminuar”!!! Për konkretizim, po sjellim ngjarjen më të fundit, atë të doganës në Kukës, ku demonstrimi i nisur me plot arsye dhe paqësisht i banorëve të zonës, përfundoi në djegie e shkatërrime, e u përcoll me përleshje e arrestime. Me të drejtë qeveritarët me në krye Kryeqeveritarin dhe eskortën politike, apologjike e analitike qe e shoqëron, demonstratën e banorëve të Kukësit për taksën e Rrugës së Kombit, e quajtën dhunë kundër shtetit, policisë dhe pasurisë publike e private. Dhe kjo dhunë, thanë ata me të drejtë, do të ndëshkohet shumë ashpër. Duke dëgjuar këtë prononcim të pushtetarëve, vetvetiu të lind pyetja simotër: Po dhunën e pushtetit dhe të shtetit kush do ta dënojë? Dhuna e popullit, një pjese të popullit apo qoftë edhe të një grupi të manipuluar, mund të shfaqet një herë, e shumta dy herë në vit. Ndërsa dhuna e shtetit tonë aktual shfaqet çdo ditë. Nëse do të regjistrojmë rregullisht dhunën që ushtron shteti tek qytetarët, në fund të vitit sasia dhe madhësia e kësaj dhune do të na dalë njëqind fish më e madhe dhe më e rrezikshme e dëmprurëse se dhuna e pardjeshme e banorëve të Kukësit. Kur themi dhuna e shtetit dhe e pushtetit, nuk kemi parasysh shkopin e policit, i cili në situata të caktuara nuk mund të shmanget, por e kemi fjalën për atë dhunë, e cila është shumë më e fortë se shkopi i policit. Këtë dhunë pa “shkop” qytetari e has çdo ditë në zyrat e pushtetit e të shtetit, i cili, megjithëse e ka detyrë, megjithëse paguhet me taksën e qytetarit, e sjell vërdallë këtë të fundit pa ia zgjidhur problemin. Ndiqni prononcimet e qytetarëve shqiptarë në emisionet televizive të mëngjesit, të shikoni se në gjirin e popullit janë më qindra e mijëra vetë, që përplasen çdo ditë më pushtetarë apo shtetarë, pa gjetur zgjidhje për ankesat e tyre të drejta dhe legjitime. Shihni emisionet investigative; “Fiksin”, “Stopin”, “Boomb” etj, që na tregojnë, jo vetëm raste flagrante të dhunës verbale e ligjore të shtetit ndaj qytetarit, por edhe sjellje të paimagjinueshme të nëpunësit të shtetit ndaj popullit të thjeshtë. Dhe mos kujtoni se dhuna e pushtetit është vetëm në nivelin e ulët të administratës. Kjo dhunë verbale, ligjore apo si mund të quhet ndryshe, nis që nga qeveria qendrore, që nga Kryeministri, i cili dhunën e tij verbale dhe jo vetëm, e shoqëron dhe me batutën e famshme “S’keni parë gjë akoma!” Për të mos folur për Parlamentin, i cili na jep çdo të enjte shfaqjen më interesante të dhunës verbale e madje edhe fizike. Por dhuna më e madhe e pushtetit dhe shtetit ndaj qytetarëve është mos dënimi i krimit dhe korrupsionit të pushtetarëve. Si mund t’i kërkosh banorëve të Kukësit apo dhe qytetarëve të tjerë të vendit, të paguajnë taksën e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, kur jo vetëm rruga në fjalë nuk ka përfunduar, por për më tepër hajdutët e saj, një vjedhje prej 230 milionë dollarësh, jo vetëm nuk janë dënuar, jo vetëm nuk kanë kthyer plaçkën e vjedhur, por edhe na nxisin ne qytetarëve të dalim në protestë, e të djegim edhe atë gjysmë rrugë që është bërë! Po pse, nuk është dhunë sjellja aktuale e Kryeministrit, i cili firmos e nënshkruan kontrata me privatin, pa u konsultuar me “sovranin”, qoftë dhe me një banor të zonës, ku kalon Rruga famshme, konsultë që na thotë se do ta bëjë tani pas pilafit, kur “kontratës” së tij i doli flaka?Njëzet e tetë vjet oferta, premtime, driblime, mashtrime… Populli i keqpërdorur nga politikano-pushtetarët, po kalon një fazë vlerësimi. Vlerësim për veten dhe për “kasnecët” e borgjezisë. Sa mund të zgjasë kjo? Atë e din populli! Por një gjë është e sigurt. Populli do të zgjohet, dhe kur zgjohet populli, atëherë . .!Dhe në pritje të këtij zgjimi, që nuk do të vonojë, për të qetësuar dy kuajt e betejës pluraliste të pozitë-opozitës, të cilët herë e shajnë popullin që nuk reagon, e herë tjetër e mallkojnë atë se tregohet i dhunshëm, unë po sjell për lexuesin fabulën e një ngjarje të vërtetë: “Disa studentë shqiptarë në një vend perëndimor, në fundjavë vendosën të vizitojnë kopshtin zoologjik të qytetit ku studionin. Njëri prej tyre, që nuk e kishte për herë të parë këtë punë, bleu në super-market disa lloje frutash si mollë, banane, portokalle etj. Pyetjes së shokëve se çfarë i donte gjithë këta lloj frutash, ai iu përgjigj se do t’jua tregonte kur të shkonin tek kopshti në fjalë. Mbërritën tek kopshti zoologjik dhe nisën vizitën. Kur u ndodhën para kafazit të Shimpanzesë, studenti në fjalë nxori një kokërr mollë dhe ia zgjati shimpanzesë midis hekurave të kafazit. Shimpanzeja u ngrit nga vendi dhe duke u ngërdheshur (mënyra e qeshjes së majmunit), u afrua të merrte mollën. Por studenti tërhoqi dorën dhe kafsha e gjorë ndaloi ngërdheshjen e u kthye në vendin e saj. Studenti nxori nga pakoja një banane dhe bëri të njëjtin veprim si me mollën. Shimpanzeja u ngrit përsëri, dhe me të njëjtat gjeste, si herën e parë, u afrua të merrte dhuratën. Por studenti i shkathët tërhoqi dorën, duke u zgërdhirë, gati si shimpanzeja, veçse me sens të kundërt. E shkreta kafshë, u tërhoq përsëri në strofkën e saj tepër e mërzitur. Këtë veprim, studenti ynë e bëri disa herë, ndërsa shkrihej në gaz përpara shokëve për rrengun që po i punonte shimpanzesë, “stërgjyshit” të tij të vjetër. Edhe shokët e tjerë studentë po kënaqeshin me këtë lojë interesante. Por ajo që nuk pritesh, në ciklin e dhjetë apo dymbëdhjetë të lojës me fruta, shimpanzeja e ndryshoi sjelljen. Kur në herën e dhjetë apo dymbëdhjetë, studenti ofroi frutin e radhës, ajo nuk e zgjati më dorën përpara, si herët e tjera, por e kaloi prapa prapanicës, e mbushi me “material të freskët” dhe ia flaku në fytyrë studentit, duke ia taposur me të pëgërë gazin dhe lojën e përsëritur të talljes”. Fabula e ngjarjes besoj është e qartë. Politikanët e pushtetarët borgjezë, e konsiderojnë popullin shimpanze, kurrizo, qeros, si personazhet e përrallave të dimrit. Ndryshe nuk do të vijonin të luanin e ta tallnin atë kaq gjatë e kaq hapur. Siç duket, pinjollët e rinj të borgjezisë së vjetër e të re shqiptare, nuk e njohin historinë e popujve. Populli ka durim dhe mund të mos mërzitet edhe shumë nga krahasimet e vlerësimet, por mërzitet, e madje edhe shpërthen nga veprimet, kur këto të fundit bëhen mullar mbi kurrizin e tij. Populli është i madh e i gjerë sa deti. Ai nuk është një përrua malor, që zemërohet e hidhet përpjetë, sapo derdhet në të një rrëke shiu. Populli, ashtu si dhe deti, fryhet e lëviz ngadalë, dhe kur i vjen ora, apo kur i soset durimi, shpërthen me dallgë të hatashme që përlan gjithçka i del përpara. Mjerë kush i del para kësaj dallge! Populli, do të nxjerrë nga gjiri i tij liderët e vërtetë dhe do të ngrihet e do të shpërthejë! Mjerë ju politikanë e pushtetarë perversë që jeni tallur me popullin! Ndaj kujdes zotërinj me “shimpazenë”. Po vijuat të luani e të talleni me të, do ta pësoni si ai studenti në kopshtin zoologjik. Madje edhe më keq!