Mitro ÇELA/ Pallë në Parlament?!

655
Sigal

(Ditar i gazetarit, tetor 2003)

E mërkurë, 22 tetor 2003, kam kohë që nuk e “ngjyej bojën” për të shkruar habere. Ka shumë arsye. Po përmend vetëm njërën, si puna e kambanës së priftit: Haberet e mia nuk mund të ngjizen kur u mungon konflikti! Është një gjini që qëndron në sinorin mes tragjikes dhe komikes, ose siç thotë populli: “Gjeninë nga çmendia një fije e ndan!” Tani që politika u bë “majë e thikë”, nisën të më “hanë brirët” për habere… Ta themi mes nesh: kam edhe një arsye që më nxit drejt gjinisë së vjetër. Pesë muaj më parë i jam kthyer jetës parlamentare. Nuk jam futur me vota të sovranit, si 140 deputetët, që mbushin më shumë kafenenë sesa sallën e parlamentit. (Nuk i bëj me faj: I telendisi jallanja politikë!) Por përsëri sovrani më mban mbi zverk. Si këshilltar i jashtëm i Komisionit Ekonomik dhe Financave në parlament paguhem nga taksat që jep sovrani ynë, më shumë i duruar se i nderuar. Nejse! Tani kam të drejtë të hyj e të dal sipas midesë në parlament. Kam rastin të takoj politikanë të dorës së parë. Pa dallim boje. Për të ndenjur rri në lozhë. Sipas parimit të përpunuar leninist: një hap poshtë – dy hapa lart! Kur isha deputet rrija poshtë në sallë. Tani rri në lozhë mbi sallë! E dhimbshme: nuk mund të flas! Komode: shoh e dëgjoj duke këqyrur nga lart. Më krijohet imazhi optik, sikur peshoj më shumë sesa të dërguarit e sovranit! E enjte, 23 tetor 2003. Ora 11.00. Natyra në harmoni me politikën. Perëndia me rrebesh mbyt Durrësin, Krujën. Politika i vë “lakun në qafë” qeverisë. Salla e parlamentit. Deputetet aktivizojnë kartat. Copë: 132. Po kusuri? Ilir Gjoni bën skoli në Amerikë. Taulant Dedja në duart e dhjatrove grekë. Dashamir Shehi në Beograd-NATO bën seminar edhe pse ka krizë qeverie në Shqipëri! Engjëll Bejtja në Greqi. Shpëtim Roqi mungon. Partia e Ballit Kombëtar, Numër Një, nuk ka dijeni. (Tregojnë. Një natë më parë, Roqin e kishte marrë Berisha në telefon… Përgjigjja e deputetit ballist në telefon… Doktor! Më ke në sallë! Do ta hedhim Nanon!” Nuk e vë me faj për mungesën në sallë! Familja qëndron mbi bindjet balliste!) Berisha niset drejt podiumit. Servet Pëllumbi, Kryetar i parlamentit i thotë ktheu. Ai ecën përpara. Mbërrin te mikrofoni: – Zoti Pëllumbi! Ku është deputeti i legalitetit Ethem Fejzullahu? Sot në mëngjes, në rrugë për në Tiranë nga Pogradeci, ka bërë aksident. I ka rënë makinës me makinë! E kanë aksidentuar agjentët e Nanos! Ky është rasti i parë. I dyti rast: Duke dalë nga shtëpia është rrëmbyer deputeti i djathtë Kollçaku… Ilaritet në sallë. Buzëqeshjen nuk e përmban as vetë Doktorin, buzëqeshje që kërkon ta maskojë me një këshillë: “Nuk është koha për të qeshur! Zoti Pëllumbi! Është zhdukur pa lënë gjurmë edhe deputeti i legalitetit Sadedin Balla?!”… Ha…Ha… e…Ku…Ku… Bamir Topi, kryetari grupit parlamentar të PD-së: – Gjysmë ore pushim në emër të grupit! Salla e kafenesë. Fytyra me maska. Surretër pa maska. Në një tavolinë bëhen llogari: Fiton Nano! Në një tjetër rillogari: Humbet! Zabit Brokaj: “Pak rëndësi ka votimi! Nano politikan i keq!” Emin Gjana, shpreson. Besnik Mustafai duke dredhur cigaren, ngre supet. Një pjesë e stafit të parlamentit fërkon duart-llogaritë janë për Nanon. Kështu nuk humbasin vendet e punës. Bie zilja. E rëndë. Acaruese. Deputetët drejt sallës. Opozita korridoreve. Berisha jep udhëzime as brenda e as jashtë sallës. Duhen sa më shumë deputetë opozitarë në sallë! E njëjta ditë, ora 12:30 Servet Pëllumbi duke parë orën: Koha kaloi. Le të nisim seancën! Zotërinj Deputetë! Nga verifikimi që bëri stafi i parlamentit kemi këto informacione. Së pari, deputeti Ethem Fejzullai ka pësuar aksident me makinë. Është shtruar në spital. Së dyti, deputeti Kollçaku ka një problem familjar. Ka një të sëmurë rëndë. Po kështu edhe Sadedin Balla. Nuk qëndrojnë problemet që ngriti zoti Berisha! Le të kalojmë në shqyrtimin e dekreteve të Presidentit! Zoti Ekerem Spahia, kryetar i partisë së legalitetit: “Zoti Pëllumbi! Kërkoj llafin për procedurë! Deputetët e legalitetit janë rrëmbyer. Nuk ka asnjë informacion. Nuk dimë ku janë. Nuk dimë kush i ka rrëmbyer. Ka apo nuk ka shtet?! Deputeti Fejzullai është në Pogradec. I plagosur. Jashtë rrezikut për jetën. Le të niset një helikopter për ta marrë deputetin tonë në Pogradec. Pastaj të nisë seanca! Ky është një turp! Kërkoj gjysmë ore pushim, sa të vejë e të vijë helikopteri” Një zë nga salla: “Ja e nisëm helikopterin. Ja u bënë edhe shpenzime. A je i sigurt, zoti Spahia, që ka qejf deputeti të hipë në helikopter? Po sikur t’i jenë rëndur xhepat?! Gjëra që bëjnë vaki!” E njëjta ditë, ora 13:45 Koha kalon. Salla me vështirësi mbushet. Dritan Priftit dhe Limoz Dizdarit nuk u punon karta. Futet edhe Paskal Milo. Në tabelë: 132 deputetë. Dekreti i parë: Emërimi i zotit Namik Dokle në postin e zëvendëskryeministrit. Numrat ecin. Zoti Nano i qetë. Beson te llogaritë e bëra me opozitën. Bisedon në celular. Tabela shënon numrin 50. Zoti Nano për herë të parë kthehet nga tabela elektronike. Nuk i ndahet një gjysmëbuzëqeshje. Pastaj numri bie në 49. Pëllumbi thotë: 49 vota elektronike plus 15 vota të ministrave. Baras 64. Dekreti nuk kalon. Dekreti i dytë:Shkarkimi i Luan Ramës nga posti i ministrit të Rendit. Tabela shënon numrin 87. Shkarkohet… Dekreti i tretë: Emërimi i Fatmir Xhafës. Tabela shënon numrin 50. Nuk kalon. Ministrat në këmbë. Berisha niset drejt podiumit. Nis të flasë. Pa efekt. Pëllumbi i ka prerë sinjalin. Deputetët braktisin sallën. Përpara parlamentit gazetarët. Të gjithë drejt Berishës: “Ky është fundi i qeverisë së korrupsionit, kontrabandës… Do kemi paradoks. Nano do të qeverisë me zëvendësministra. Do të jetë qeveria e zv/- ve. Për të qarë e për të qeshur?!”