Uria është e pashmangshme në shumë vende të botës…Sot në Gazën veriore rreth 1.1 milion njerëz janë të uritur; se konflikti i vazhdueshëm në Sudan e ka zhytur vendin në një nga makthet më të këqija humanitare në historinë e fundit dhe mund të shkaktojë krizën më të keqe të urisë në botë, se lufta në Ukrainë vazhdon prej më shumë se dy vite
Parafjalë.
Jam menduar gjatë nëse duhej publikuar diçka nga një studim i imi për rrezikun e një krize buke në Shqipëri. Disa miq më sugjeruan se: “Deri sa vetëm në Tiranë funksionojnë 1.200 furra buke dhe çmimi është më i lirë se në Evrope, do të thonë se ‘po ja fut kot plako’. Nuk ka mundësi që Shqipëria të përfshihet nga ndonjë zi buke edhe pse ne prodhojmë më pak se 6 muaj bukë…po ja… kemi Serbinë, Ukrainën, Rusinë…etj., që kanë grurë sa të duash, bile edhe nga ai i para 10 viteve dhe me çmime më të ulta se kostoja, që e prodhojnë fermerët shqiptar.”
Pasi lexova një relacion të fundit të OKB-së, ku shkruhet se: “Uria është e pashmangshme në shumë vende të botës…Sot në Gazën veriore rreth 1.1 milion njerëz (gjysma e popullsië ) janë të uritur; se konflikti i vazhdueshëm në Sudan e ka zhytur vendin në një nga makthet më të këqija humanitare në historinë e fundit dhe mund të shkaktojë krizën më të keqe të urisë në botë, se lufta në Ukrainë vazhdon prej më shumë se dy vite… etj.,” vendosa të shkruaj diçka. Po kështu, sipas ËFP (Programi Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara), gati 18 milionë njerëz në Sudan po përballen me mungesa akute të ushqimit, si rezultat i luftës civile. që shpërtheu në prillin e vitit 2023. Sipas grupit humanitar “Action Against Hunger”; sot edhe disa vende të tjera kanë nivele mjaft shqetësuese të urisë. Këtu përfshihen Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, rajoni i Tigray të Etiopisë, Pakistani, Somalia, Siria Jemeni etj.
Uria në Shqipëri është ndjerë në periudha të ndryshme, sidomos në zonat malore, ku përmenden edhe raste ku ka pasur të vdekur nga uria. Zia e bukës në Shqipëri përmendet në shumë relacione kishtare, por edhe në shtypin e shkruar nga albanologë e gazetar të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë.
Sipas R.Sh. Vatikani: “Numërohen ende 820 milionë njerëz, që vuajnë nga uria në botë…”
Po kështu gjendje të acaruara ekzistojnë edhe në mes të Kinës dhe Tajvanit. Koreja e Veriut është përsëri një rrezik potencial në Lindje! Përveç Ukrainës, Rusia po kërcënon shtetet e Europës, e sidomos ato të Ballkanit.
Në këto kushte, krizat politike padyshim, që do të reflektojnë edhe në krijimin e krizave ekonomike dhe ajo më e rënda do të jetë kriza ushqimore (sidomos ajo e bukës).
Në këto kushte, a duhet të vazhdojmë që vetëm të bëjmë sehir, kur tokat tona janë djerrë dhe i ka mbuluar ferra???
- Memorie historike për urinë e bukës në Shqipëri.
Të dhënat gojore për urine e bukës në Shqipëri janë të dhimbshme, por unë do të shkruaj, bazuar në të dhëna të dokumentuara historike. Uria në Shqipëri është ndjerë në periudha të ndryshme, sidomos në zonat malore, ku përmenden edhe raste ku ka pasur të vdekur nga uria. Zia e bukës në Shqipëri përmendet në shumë relacione kishtare, por edhe në shtypin e shkruar nga albanologë e gazetar të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, si në kohën e Perandorisë Osmane, (-sidomos zia e vitit 1888), -zia në kohën pas Shpalljes së Pamvarësisë, (në vitet 1912-1914), – zia në kohën e Nemces (1915-1918), – zia në kohën e Mbretnisë (1933-1936), -zia në vitet e pushtimit fashist (1941-1942) – e sidomos zia në vitet pas çlirimit (1945-1953).
Po citoj vetëm disa të dhëna të publikuara:
- Në një studim të publikuar nga Eurostat, shkruhet se: “Midis viteve 1845 – 1852, disa shtete të Europës u goditën nga uria. Kjo periudhë njihet si periudha e “Urisë së Madhe”. Flitet për miliona të vdekur. (Vetëm në Irlandë thuhet se kanë vdekur mbi 1 milion njerëz). Edhe në disa Kaza të Shqipërisë, zia e bukës ka bërë kërdinë.
- Pas një interviste me Kryeministrin Shqiptar Ismail Bej Vlora në Romë, Gazeta ‘Il Giornale d’Italia” e datës 2 Prill 1913, e fillon kështu artikullin: “Pas 20 ditësh Vlora, por edhe qytete të tjera në Shqipëri, do të jetë në uri të plotë”.
- Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 Mars 1914. Në prezantimin e parë, atë e njoftojnë se vendi ishte në pragun e urisë për bukë. Në një njoftim publik të Prillit 1914, shkruhet se “ Princ Vidi vizitoi shqiptarët e uritur në Vlorë. Ai erdhi për t’u njohur me situatën në të cilën ndodheshin rreth 5 mijë shqiptarë të Shqipërisë së Jugut, që jetonin në kushte të vështira jetese, e në mjerim të plotë… Ai dhuroi dhe një shumë modeste të hollash, prej 1000 napolona flori”
- Të dhëna të shumta historike të dokumentuara flasin edhe për disa protesta e demostrata kundër qeverive që ndrroheshin në çdo tre-katër muaj, në kohën e zisë së bukës. Ja disa të dhëna nga Gazeta “Politika”: “-Në Vlorë vdesin njerëz nga uria. Në 6 Prill të vitit 1916, popullsia fshatare zbriti pothuajse e gjitha në qytetin e Vlorës, në kërkim të drithit për bukë. Buka kishte kohë që u mungonte dhe uria ka pllakosur vendin. Shumë njerëz filluan të vrisnin veten për shkak të urisë dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Në pasditen e datës 20 Mars, demonstruesit sulmuan magazinat dhe furrat, thyen dyert e depove dhe me forcë, e pashpërblim morën misër e bukë. Ata nuk u tërhoqën edhe pas ndërhyrjes me forcë të xhandarmërisë.” Po kjo gazetë, me datën 22 Mars 1923 shkruan: “…Ngjarjet e pardjeshme, treguan se uria është një superforcë, e se njeriu, sado i bindur të jetë, në këtë rast, preferon të përdor çdo mjet për t’i bërë ballë vdekjes. Prefektura nuk mori asnjë masë për të zbutur sadopak urinë e bukës, të krijuar masivisht në popullatë. Në të tilla kushte, ditën e hënë, 19 Mars 1923, shpërtheu në qytetin e Vlorës, demonstrata e bukës..”
- Situata e rënduar ekonomike, shtrenjtimi i jetesës dhe rritje e çmimeve të artikujve jetik, ku përfshihej edhe buka, ishin disa nga shkaqet e demonstratës së Korçës, që është njohur në histori si “Demonstrata e bukës”. Demonstrata për bukën u zhvilluan në vitin 1936, edhe në shumë qytete të vendit si në Shkodër, Durrës, Elbasan, Berat, Fier e të tjera.
Poeti i madh Migjeni, për situatën e zisë së bukës, shkroi “Legjendën e Misrit “ ku ndër të tjera shprehet: “…Ushtojnë luginat e maleve nga fjalët e malësorve t’unshëm, që varg, njeni mbas tjetrit, ecin të ngarkuem me ka një gjysmë thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi kurriz të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndinë’. Perëndi e vërtetë-misër i dëshiruem…..”
- Janë të pa besueshme disa të dhëna të zisë bukës në kohën e pushtimit të Italisë Fashiste, në vitet 1941-1943. Po e shkruaj ashtu siç e kam gjetur urdhëresën me titull: “Disiplinimi i mbarështrimit të ngrënieve ndër restorante”…“-Kush ha më shumë se 100 gramë bukë në drekë ose në darkë, dënohet me gjobë nga 100 deri në 2000 franga, ose me burgim deri në 1 vit…” Po kështu, në një dokument të A.Q.Sh. (fondi 282, 9 mars 1942) shkruhet: “Ndihej nevoja e bukës, ndërkohë që në disa zona arriti deri tek zija e bukës. Çmimi i misrit arriti deri në 9-10 napolona kuintali. Çmimi i grurit nga 120 franga kuintali, në dhjetor 1941, arriti në 170 franga, duke u rritur edhe më shumë në muajin shkurt të vitit 1942…”
- Një periudhë e jashtëzakonshme urie për bukë është ajo e viteve 1945-1953, kur u vendos edhe “Sistemi i grumbullimeve të detyruara”. Në këtë kohë filloi këmbimi i produkteve industriale me produktet bujqësore dhe furnizimi i punonjësve të qytetit me artikujt më të domosdoshëm. Sistemi stalinist i grumbullimit të detyruar të drithërave dhe shkëmbimit reciprok, u mbështet nga një legjislacion me dispozita civile dhe penale të ashpra. Për një periudhë të shkurtër kohe u dënuan qindra fshatarë për pamundësi të shlyerjes së detyrimeve në drithëra. Nga frika e burgut, fshatarët dorëzonin të gjithë drithin. Në vitin 1947, fshatarit i mbetej 216 kg drithë buke për frymë, në vitin 1948 i mbeteshin 209 kg, në 1949 i mbetën 186 kg për frymë dhe në 1950 i mbetën vetëm 136 kg për frymë…
Po përmend edhe një fakt, i anashkaluar nga propoganda komuniste:
“Organizata ndërkombëtare UNRRA, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Rehabilitimin dhe Ndihmën), e ka ndihmuar Shqipërinë me drithë e produkte ushqimore nga gushti i vitit 1945, deri kur u përzunë nga qeveria në vitin 1947. Statistikat flasin se u sollën 30.916 ton ushqime, kryesisht grurë e miell dhe 1.471 ton veshje si dhe 1.810 ton farë gruri nga SHBA, për mbjelljet e ardhshme.”
Që nga shtatori i vitit 1946 deri në vitin 1957 në Shqipëri ka funksionuar Sistemi i Triskëtimit. Ishin tre lloje triskash, a-Triskë buke, b- Triskë ushqimi dhe c-Triskë veshmbathje.
Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, vendi aplikoi politika ekonomike, që çuan në varfërim të thellë. Prodhimet bujqësore, për përdorim nga popullata u pakësuan shumë, si rrjedhojë e kolektivizimit, pakësimit të oborrit familjar, tufëzimit të bagëtive. Kjo ishte arsyeja që solli rivendosjen e “Rracionimit të ushqimeve”. Pak a shumë, për këtë kategori furnizimi, nuk thuhej emërtesa, “Sistem Triskëtimi”, por u vendosën “Tollonat për çdo familje”, që shpërndaheshin nga këshillat popullore. Në këtë periudhë ndodhi një fenomen i çuditshëm. Numri i familjeve u rrit 40 % , pasi u ndane fëmijët nga prindërit, e deri burri me gruan, për të përfituar një Tollonë më tepër. Tolloni u hoq nga përdorimi në vitin 1991, kur ndryshoi sistemi politik. Duhet thënë se pas vitit 1981, varfërimi ekonomik e tronditi shumë sistemin politik, “Ndërtimin e Socializmit në Shqipëri.”
Sa citova më sipër, në 150 vitet e fundit populli shqiptar është përballur disa herë me urinë e bukës, deri edhe me vdekje, e kjo nuk duhet harruar…
III. Të dhëna statistikore tronditëse.
Nga libri “Historia e Bujqësisë dhe Agroindustrisë Shqiptare” i autorit Ek. Ag. Shkëlqim Agolli, (bot. i Fondacionit KEA, viti 2003), po publikoi siperfaqet e mbjella me grurë dhe prodhimet për disa vite: (Të dhënat për vitin 2023 janë sipas INSTAT-it.)
Viti Sipërfaqe Ha Prodhimi Ton.
1938 55.100 39.000
1950 88.000 85.000
1970 147.000 227.000
1990 203.000 613.000
2000 112.000 341.100
2023 53.946 233.000
Analize e shkurtër.
1- Në vitin 2023, sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 53.9 mijë hektarë, nga 88 mijë ha që mbilleshin në vitin 1950. Në vitin 1990 sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 203 mijë ha. Ndërsa në vitin 2023 u mbollën 53.9 mijë ha grurë, ose 1.100 ha më pak se në vitin 1950, apo 4 herë më pak se në vitin 1990, popullsia që banon në Shqiperi është rritur dy herë.
- Bazuar në nevojat për bukë të popullsisë që jetojnë në Shqipëri (afër 2.5 milion banorë), me normë 184 kg për frymë, nevojat janë 460 mijë ton. Në vitin 2023 u prodhuan vetëm 233 mijë ton, ose 54% e nevojave, e mjaftueshme vetëm për 6 muaj bukë.
- Në mungesë të prodhimit vendas, nevojat janë plotësuar nga importi i 221 mijë ton grurë, kryesisht nga Serbia, Ukraina dhe Rusia. (Theksoi këtu se Kosova që ka 38 % të sipërfaqes së Shqipërisë, për vitin 2023 mbolli 70 mijë ha ose 16.100 ha më shumë se vendi ynë.) Nëse do të ndodhemi në një siuatë të jashtzakonshme, kuptohet se importi do të ndërpritet. Atëherë vendin do ta përfshijë kaosi.
- IV. Shqipëria duhet të prodhojë bukën në vend.
Prodhimi i bukës në vend është plotësisht i mundur, nëse hartohen politika ekonomike të veçanta nga Qeveria për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
Bota po mendon se si të shfrytëzojë shkretëtirën për mbjelljen e bimëve bujqësore, si të shfrytëzojë, lumin, liqenin, detin në shërbim të plotësimit të nevojave me bukë, perime, fruta e të tjerë, pasi jeta njerëzore, në vështrim të parë ka bujqësinë dhe blegtorinë.
Pikërisht tani duhet të fillojë fushata e mbjelljes së grurit dhe thekrës. Që të realizohet kjo, shteti duhet t’i stimulojë fermerët për të mbjellë grurë. Si specialist i vjetër, që gjysmën e jetës ja kam kushtuar bujqësisë, propozoj që: – Ministria e Bujqësisë, dhe Qeveria duhet të nxjerrin në plan të parë, domosdoshmërinë e sigurimit të bukës në vend. Për çdo rreth, të planizohen sipërfaqet për t’u mbjellë me grurë. Duhen lidhur kontrata me fermerët dhe t’u rimbursohen shpenzimet për mbjelljet, (duke filluar nga nafta e fara falas). Vetëm kështu bëhen të interesuar ata për të kultivuar grurin. Krahas kësaj duhet që Shteti të marri përsipër grumbullimin e grurit, me çmime të paracaktuara, për t’u prerë rrugën spekulantëve që kërkojnë ta blejnë grurin, nën koston që fermeri e prodhon.


















