Vilson Haxhiraj: Nga KPD-ja e bukur e PS tek Gebelsi i “Rilindjes”

341
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Etimologjia e fjalës intelektual  ka ndryshuar gjatë viteve. Sot, të tillë konsiderohen, jo thjesht  persona, që merren me punë mendore, por, që janë edhe kontribues aktivë në jetën shoqërore. Intelektuali i sotëm, përgjithësisht, është i angazhuar. Fillesa e këtij transformimi është viti 1892, me protagonist shkrimtarin Emil Zola. Letra e tij  “Unë Akuzoj,”drejtuar presidentit të Francës, akuzonte shtetin francez për antisemitizëm, në “gjyqin e shekullit” të kapitenit hebre, Drejfys, dënuar për spiunazh në favor të gjermanëve.
Përpjekjet dhe peripecitë disa vjeçare të Zolas, për mbrojtjen e të drejtës së ligjshme të një individi, jashtë çdo interesi personal , tërhoqën vëmendjen e botës mbarë. Pas fitores së çështjes, intelektuali Zola u quajt “ndërgjegja e shoqërisë” dhe letra e tij   “Unë Akuzoj,” vlerësohet ende,  pamfleti më i shquar në botë.
Do të ishte Zhan Pol Sartri, që do të konturonte emërtimin “intelektual” përmes tri cilësive bazë:  Autoritet i lartë në fushën e tij; gjenerues idesh; antikonformist i përheshëm. Antikonformizmi i Sartrit ishte pjesë organike e veprimtarisë së tij intelektuale.Ai  përkrahu luftën e algjerianëve për pavarësi nga Franca dhe dënoi luftën e SHBA në Vietnam; refuzoi dekoratën  “Legjioni i Nderit” akorduar nga qeveria franceze, por edhe çmimin Nobel. Mbështeti dhe mori pjesë aktivisht në lëvizjen studentore të vitit 1968, për largimin e presidentit De Gol.

Evoluimi i mëtejshëm i opinionit për rolin e intelektualit në shoqëri , ka përforcuar  pikpamjen e Sartrit  për rolin opozitar të tij, në dobi të interesit publiK, përmes përballjes me pushtetin, si  dhunuesi  kryesor i lirive dhe të drejtave të shtetasve, por edhe si  burimi më i madh i korrupsionit , me anë të shpërdorimit të pushtetit publik.
Manifestimi  më i fundit i rolit përcaktues  të  ntelektualit, u shpalos madhërisht, gjatë viteve të presidencës Tramp, politikat e të cilit cënuan rëndë interesat  e SHBA dhe njerëzimit mbarë. Të tilla ishin, tëheqja nga Marrëveshja me Iranin, për kufizimin e pasurimit të uraniumit; ajo e Parisit për Klimën;  vendosja e njëanshme e barrierave doganore dhe largimi nga OBSH. Arbitrariteti dhe paligjshmëria e veprimeve të Tramp, ndeshën në kundërshtimin e vendosur të  mediave në përgjithësi dhe gjigandit mediatik ,CNN, në veçanti; të  komunitetit të artistëve dhe figurave të shquara të tij,s i Meril Strip. Prokurorë me integritet, deri  dhe anëtarë të stafit të presidentit, u bënë barrikadë e veprimeve të një lideri atipik, pa u trembur nga  pasojat, që sillte  përballja me të. Së bashku me opozitën demokrate, ata mundësuan largimin e Tramp dhe kthimin në  normalitet në qeverisjen e SHBA. Asgjë e re dhe e veçantë. Kjo ndodh normalisht në çdo vend demokratik të botës, por jo në Shqipëri, ku mund të fitosh edhe kur qeveris keq dhe shumë keq. Qeverisja Rama është ilustrim tipik, i një rasti të tillë.
E vlerësuar negativisht  në të gjithë treguesit e  veprimtarisë shtetërore, prej perceptimit publik dhe organizmave ndërkombëtarë, që matin shkencërisht performancën qeverisëse kudo në botë ; me skandale qeveritare të përhershme, që nisin me projektin politik të kanabizimit të Shqipërisë, në vitin 2015, deri te gjoba Bechetti dhe vjedhja e të dhënave personale të shtetasve. Ditëve të fundit, qeverisja Rama, ka hyrë në historinë politike të Shqipërisë, si qeveri e dështimit  dhe e skandaleve. Por tej konstatimit, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Si  mundi një njeri i vetëm të prodhojë një ralitet të tillë kaq negativ?


Në morinë e shkaqeve dhe arsyeve, mendoj, se dy janë shkaqet madhorë të këtij fenomeni. Degradimi i PS nga z.Rama, nga një parti me prirje të qartë drejt socialdemokracisë europiane , në një parti të atrofizuar, në shërbim të ambicjes të një njeriu, është shkaku i parë madhor, por edhe një ndër humbjet më të mëdha të këtyre 30 viteve, të një aseti  të çmuar të shoqërisë dhe kombit tonë, Partisë Socialiste të  Shqipërisë. Mekanizmi, ishte largimi i intelektualëve dhe shmangia e normave statutore. Dikur, Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i PS, i jepte leksione demokracie  dhe qytetarie politikës dhe shoqërisë shqiptare, me mbledhjet e hapura, kritikat parimore dhe vendimet kolegjiale për çështjet e rëndësishme. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Grupi  parlamentar i PS kish në radhët e tij  intelektualë me klas , ndoshta më shumë edhe nga Universiteti i Tiranës. Profesorët me integritet të lartë, Rexhep Meidani, Sherif  Bundo, Elmaz Sherifi,  Arben Malaj, Kastriot Islami, Etem Ruka, Servet Pëllumbi, i larguan dhe i zëvendësuan brenda dy mandatesh, me modelin servil, Taulant Balla & Co. Intelektualizmi  dhe qytetaria e z. Ermelinda Meksi, Mimoza Hafizi, Arta Dade, u tjetërsua në modelin, Spiropali, qesharak,  por i dëmshëm dhe i rrezikshëm  për jetën shoqërore dhe politike, si vlerësim i antivlerave dhe ngritje e tyre në nivele  vendimmarrëse. Largimi i publicistëve Namik Dokle dhe Ben Blushi, shënuan shuarjen  e zërave të fundit, antikonformistë dhe kurajozë , prania e të cilëve është domosdoshmëri  për çdo parti serioze. Kohët shpresëdhënëse të KPD mbetën kujtim i largët dhe i trishtë i një periudhe të bukur, kur “na ishte njëherë KPD-ja i PS-së.”                                                                                                                                    Shkaku i dytë madhor, është ngritja dhe vënia në efiçencë  e një rrjeti të gjerë mediash pranë pushtetit, që bëjnë  në mënyrë “të pavarur”, opozitën e opozitës. Gazeta dhe televizione, portale gjobvënëse dhe dizinformuese, gazetarë dhe gazetarucë, figura publike të artit dhe gazetarisë, analistë të pavarur dhe të varur, me dhe pa pseudonime informatorësh; nostalgjikë të regjimit të shkuar, reformuar me një tis demokracie, të gjithë shitur dhe blerë nga pushteti, me anë  përfitimesh financiare, janë hedhur në sulm kundër opozitës. Thënia e  fashistit Gebels, “shpif, shpif, se diçka do të mbetet,” ilustrohet me tepri në veprimtarinë e kësaj “opozite të opozitës.”

“Ç’bën kështu o apostull i kamzhikut dhe injorancës, o mbrojtës i zakoneve tartare”?

Është një rresht i të famshmes, “Letër Gogolit,”shkruar prej kritikut të madh rus, Bjelinski, drejtuar kolosit të letrave ruse, Gogol ,kundërshtar i rreptë i autokracisë ruse, kur ky, i lodhur nga pritja dhe mungesa e shpresës për ndryshim, kish nisur t’i përulej regjimit. Letra daton vitin e largët 1847, por si çdo shkrim gjenial, është aktuale për të gjithë  puthadorët e pushtetit, të çdo kohe dhe rendi social, pra, edhe për opozitarët, e opozitës shqiptare, këta “apostuj  të mjerimit dhe emigracionit të përjetshëm” të shqiptarëve. Asgjë të përbashkët nuk kanë këta mjeranë të historisë, me modelin  e intelektualit të Sartrit, Zolasë, Bjelinskit ,CNN, Meril Strip.

Po ne? Pas rënies së murit të Berlinit, kjo pyetje ,do të shkruhej në  pllakatet dhe banderolat e opozitës : Muri i Berlinit ra. Kohët po ndryshojnë. PO NE?  Kjo pyetje është sot, po aq aktuale sa 30 vite më parë. Të përpiqemi  t’i japim përgjigjen e duhur më 25 prill, përmes ndryshimit.