“STOP, ZAGARËT DHE ZYRTARËT!”

545
Nga AGIM JAZAJ
*Këto ditë ri-qarkulloi si barsoletë, por rezultoi e vërtetë. 
Shumë nga ata që e dëgjuan, u befasuan, sa dhe u gajasën së qeshuri! E kishin parë me sy njerëz të besueshëm, dëshmitarë okularë, për vërtetësinë e këtyre radhëve, si veprim i rrallë e mjaft domethënës, temë sa e veçantë, me një tingëllim rrëqethës…

Nëpër lokale, apo salla të ndryshme, interneti, lojërash kemi parë shënime të ndryshme: “Ndalohet Duhani”. “Nuk lejohen fëmijët nën moshën”… “Mos u largoni pa marrë kuponin Tatimor”, etj, etj. Mirëpo qytetari Romir Damëni, kishte vrarë shumë mendjen, për të formuluar e vendosur një afishe, sa të rrallë, sarkastike, gudulisëse dhe mjaftë domethënëse në derën e Kafenesë-Lokalit të tij të vogël, në qendër të qytetit të Vlorës, me germa të mëdha, me mbishkrimin: “STOP! Zagarët dhe Zyrtarët!”. 

Kalimtarët mbanin këmbët, teksa e shihnin disa me rrudhje të fytyrës e ngacmim, e disa deri në shpërthim të qeshurash: “Ou! Ku i ka shkuar mëndja njeriut!”

Shumë kalimtarë shihnin dhe kush kish aparatin e fiksonin shënimin e rrallë në kamerën e celularit, duke e xhiruar për ta kaluar më pas edhe në rrjetet sociale. Disa prej tyre, me pak haber e arsyetonin këtë inkursion të lidhur, si ngacmim dhe reagim ndaj gjendjes së krijuar; në marrëdhëniet (kontradiktë) qytetar- zyrtar, shtet. 

Ata që i përkisnin këtij “rasati”, qoftë dhe një anëtar i thjeshtë i “vathës së zgjebosur” të politikës zyrtare, deri dhe militanti i thekur, qorr nga sytë, dhe i verbër nga trutë, ulnin kokën dhe kurrë nuk mund të futen më në këto ambiente, pse jo dhe do të shikojnë në çdo derë, se mos u fanepset dhe ndodhen përballë këtij shënim-shëmtimi, ku shihet e ndalohet shëmtimi i tyre!… 
Kartë dore, me vargje dore…
Vite më parë m’u kujtuan vargjet sarkastike të një mikut tonë të fjalës së shkruar, i cili pas disa takimesh e sorollatjesh me një ish-zyrtar lokal, i kish futur poshtë derës së zyrës një kartë dore, me vargje dore: 
“Lule zoti Opingari,
Dhe ti opingat na grise,
Na thanë ishe për së mbari,
Po ti punë nuk na bitise… ” 
Vargjet morën dhenë, nëpër sokakët e Vlorës e më tutje…
Pas pak kohësh edhe Opingari- më thotë miku im, mbeti pa opingat e zyrtarit, po kishte mbetur edhe pa opingat e qytetarit… Dhe kur i hoqën spaletat e zyrtarit, nuk i hidhte më njëri as sytë!…Spaletat e zyrtarit t’i vendosin të tjerët, ndërsa shiritin e qytetarit e merr e vendos vet. Sepse ndodh sot e këto vite të politikë -rrumpallës: Spaletat e zyrtarit ua vendosin në shumicë atyre të përzgjedhurve nga vatha e politikës, nga sëra, seria e informalëve, për t’u lehtëpërdorur, me kufizim intelekti, të cilët nuk veprojnë me arsye, por me instinkt, u mungon shiriti i qytetarit, ndjesia dhe ndjeshmëria njerëzore! “Ndaj kemi bërë Hair e Prokopi! Hall i madh ky”- më thotë miku im, Xhuljo Maraj. Thonë se parulla të tilla, me mbishkrimin e mësipërm do t’i vendosin edhe të tjerë (si i thonë llafit, shih rrushi rrushin e piqu) nëpër dyer lokalesh, madje edhe në tezgat e rrugëve, deri në dyert e shtëpive… me qëllimin: Për të emancipuar e reaguar shoqëria shqiptare, për t’i përballuar zyrtarët-zgjyrtarët edhe me këtë reagim, me mëkatet e tyre, në ndryshimin sadopak të imazhit të zyrtarit, politikës zyrtare; të grabitqarëve, zullumqarëve, hileqarëve dhe hileqarëve, që përzgjidhen e kanë mbushur administratën shtetërore, kanë shëmtuar keqas racën shqiptare në sytë e botës! Për t’u kthyer qytetarëve politikën e Shërbimit, kulturën e munguar e të merituar! Për të shkulur me rrënjë e rasat: kulturën e Pengimit, Rrëmbimit e Rrënimit!
Gjermanët mbi një shekull më parë…
Tabelat me shënimet privuese të vendosur këto ditë përmbledhur me përkufizimin e rrallë, na kujtojnë kur gati një shekull më parë në lokalet e tyre gjermanët vendosnin tabela me mbishkrimet: ”Ndalohen të hyjnë qentë dhe grekët”! Dhe këtë dhunim, të pa, e të përligjur e kanë vuajtur grekët, prej të cilëve e kam dëgjuar nga vet goja e tyre, në Athinë! Ndoshta i fyente, shumë vit më përpara, por edhe i detyronte të apelonin, për shumë vite më pas… Krahasimi është shumë i largët, madje nga të huajt për të huajt. Është shumë në diskordancë, i largët në kohë dhe në përmbajtje. Gjermanët e vendosnin për të huajt, pra për grekët emigrantë, të cilët ishin bërë “halë” në sy për gjermanët aso kohe, të kthyer në shqetësim edhe për qytetërimin gjerman. 

Ndërsa shqiptari, qoftë dhe si rast i vetëm dhe jo i vetëm, detyrohet të reagojë si pjesë e shoqërisë shqiptare, ndaj pjesëzës shqiptare, të një gjaku, ndaj politikës së korruptuar, e cila ka ngritur në institucion, administratën e kompromentuar, kriminalizuar deri në palcë, me themel e çati, ndaj racës së tyre, për ta ekzaminuar, transformuar atë, për ta përafruar me standardet evropiane, ky synon të bëhet pjesë edhe vendi ynë! Po pse ky inkursion, ndaj zyrtarëve, madje duke i krahasuar e penalizuar me zagarët?- që kanë mbushur rrugët dhe kafshojnë përditë kalimtarët nga këmbët. Të parët, në krahasim kafshojnë çdo ditë orë e çast shqiptarët në shpirt, në trup, për 27 vitet në pangopësi dhe në pafundësi… 
Trego origjinën, të provosh pronën!…
Nga 7 male kaptuar, zbritën, kanë zaptuar e pushtuar hapësirat dhe detin e Vlorës, Karaburunin e Dukatit, Buzëdetin e Radhimës dhe të Orikumit, të Himarës e Qeparoit… Kanë zbarkuar me kuç e me maç, nga të katër anët në Vlorë, madje u punësuan, u graduan në institucionet shtetërore!

Këtej me punë në zyra, andej me tokat, dhentë e dhitë në mera! 
Janë katapultuar në krye të institucioneve të rëndësishme, pa pasur lidhje me Vlorën, tunden dhe shkunden me spaletat e zyrtarit, madje rezultojnë edhe “trashëgimtarë pushtetesh e trojesh”, duke marrë edhe leje për ndërtime pallatesh shumëkatëshe, si Pronar Trojesh! 
Vlonjatët dhe shqiptarët kërkojnë: “Të shtrihet “Vetingu” deri në këto kuota”…
“Më trego origjinën tënde, të të tregoj origjinën e pronës”- thotë një llaf i moçëm! 
Shumë prej tyre, më thotë miku im i hershëm Kiço Peshtanaku: “Biznesmenë pa mend në kokë dhe pa brekë në bythë, janë shndërruar e shtuar në oligarkë, me kabriole dhe bukuroshe përpara, ia bëjnë fët, duke pushtuar, falsifikuar edhe pronat e popullit të Vlorës.
*Tri kolonat Universale të Pronës: “Trashëgimia, Blerja, Dhurimi”, u dhunuan dhe u zëvendësuan me filozofinë e Pushtet-Rrënuesve përgjatë 27 viteve: “Prona nuk i takon atij që e trashëgon, por atij që e pushton. Jo atij që e blen, po atij që gënjen. Jo atij që ia dhuron, por atij që e falsifikon!” 
Çdokush ka të drejtë të lëvizë i lirë, por jo të veprojë sipas qejfit lirisht, duke pushtuar, zaptuar dhe ndërtuar “i lirë!”…

“Koha e Maskarenjve”në vargjet e hershme të poetit vlonjat, Ali Asllani kumbojnë: 
“Dhe u bëtë pasanik,
me pallate, me vetura,
Kurse burrat më fisnikë, 
japin shpirt në tortura”!…
Faqebardhët dhe faqezinjtë…
*Shoqëria civile vlonjate u shfaq solidare me aksionin, inkursionin e ditës nga policisë lokale, drejtuesin e saj, Gentian Shehaj, në zbulimin e krimit makabër, ku barbarët vranë dhe dogjën për të humbur gjurmët: Nënën dhe birin, një muaj më parë! Kryepolici, por edhe krye/qytetari i kësaj fushe, i çmuar nga qytetaria vlonjate, jep modelin e munguar, sa dhe të kërkuar, duke parë, prekur e ndjerë çdo plagë të shkaktuar mbi qytetarët, për t’i ekzaminuar e shëruar ato nga zyrtarët, që paguhen e kanë detyrim e mision: “Shqiptarët për Shqiptarët”! -Në memorien e vlonjatëve, kanë mbetur të skalitur fort në kujtesën njerëzore, pse jo dhe në memorien kombëtare, ata ish-zyrtarë e drejtues; që vuanin duke ndjerë dhimbjen e tjetrit, kur ndihmonin të tjerët, ndryshe nga këta që shkaktojnë dhimbje e plagë në trupin e të tjerëve dhe lumturohen kur pengojnë e rrënojnë të tjerët!… Qytetaria vlonjate për të parët ka vendosur në çdo derë, rrugë e portë, në çdo zemër vlonjate e më tej, tabelat me mbishkrimet: “Mirë se vini, ju faqebardhët e kombit!” 

…Dhe për të dytët shoqëria e emancipuar ka përgatitur e rezervuar tabelat me mbishkrimet; në çdo lokal, rrugë e portë: 
“Mos u afroni, ju faqezinjtë e kombit”! 


Sigal