Mark Rica: 165 vjet Itali e bashkuar dhe gjurmët shqiptare në historinë e saj

Kujtesë historike

“Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët ‘të adoptuar në italianë’ janë dy anët e një medalje të çmuar…” – Sergio Mattarella, Presidenti i Republikës së Italisë.

  1. Parafjalë
Sigal

Më 17 Mars, rreth 60 milionë italianë dhe afro një milion shqiptarë që jetojnë e punojnë në Apenine kujtuan 165-vjetorin e Ditës së “Unitetit Kombëtar, Kushtetutës, Himnit dhe Flamurit”; e njohur zyrtarisht si “Giornata dell’Unità Nazionale, della Costituzione, dell’Inno e della Bandiera”.

Ky përvjetor nuk është vetëm një ngjarje historike për italianët, por edhe një kujtesë për kontributin e shumë popujve që morën pjesë në atë proces të madh politik dhe shoqëror. Mes tyre janë edhe shqiptarët dhe arbëreshët,  pasardhësit e shqiptarëve të vendosur në Italinë e Jugut që nga koha e Gjergj Kastrioti -Skanderbeg. Ata u rreshtuan në krah të revolucionarëve të udhëhequr nga Giuseppe Garibaldi, duke dhënë një kontribut të çmuar në epopenë historike të “Italian Unification”;  (Italia e bashkuar). Në vitin 1861, pas një periudhe të gjatë luftërash dhe përpjekjesh që zgjati afro gjysmë shekulli, u realizua bashkimi i Italisë. Më 17 mars të atij viti, në Torino, u shpall, siç njihet në mbarë botën, “Proclamation of the Kingdom of Italy”, Shpallja e Mbretërisë së Italisë; dhe Victor Emmanuel II u shpall mbreti i parë i Italisë së bashkuar. Ky moment konsiderohet si lindja e shtetit italian modern. Ndryshe nga mënyra se si shpesh përdoren politikisht festat kombëtare në Shqipëri e disa vende të tjera, në Itali kjo ditë përkujtohet me një frymë qytetare dhe institucionale. Organizohen ceremoni simbolike, ndër të cilat spikat ceremonia shtetërore në Altare della Patria, ku vendoset kurorë në Varrezën e Ushtarit të Panjohur nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu zhvillohen aktivitete kulturore në shkolla, universitete dhe bashki, si dhe konferenca historike mbi “Italian Unification”. Pse shqiptarët që jetojnë në Itali e kujtojnë këtë përvjetor me respekt të veçantë? -Sepse historikisht është e vështirë të gjesh një vend tjetër që e ka mbështetur aq shumë popullin shqiptar sa Italia. Nga veriu në jug të këtij vendi; (në 20 rajone,109 provinca dhe 8 101 komuna) nuk ka rajon, provincë e Komunë ku të mos ketë shqiptarë dhe ku të mos ketë një vepër arti;  (një monument, një emërtim rruge e sheshi a ndonje mbishkrim shqip, si dhe  kujtime të tjera historike, që mbajnë gjallë këtë lidhje. Nga ana tjetër, edhe shqiptarët kanë dhënë kontribute të rëndësishme në jetën ekonomike dhe shoqërore të Italisë. Sipas të dhënave të Unioncamere dhe Fondazione Leone Moressa, si dhe bazuar në rregjistrat e Dhomave të Tregtisë, në Itali operojnë mbi 62 mijë biznese të drejtuara nga sipërmarrës shqiptarë, duke përbërë rreth 10% të sipërmarrjes së huaj në vend. Këto biznese gjenerojnë një qarkullim ekonomik prej mbi 11 miliardë euro në vit, shifër kjo sa 35 % e PPB në Shqipëri në vitin 2025. Ndërkohë, Italia po përgatitet për një tjetër përvjetor të rëndësishëm: Më 2 qershor 2026 do të shënohet 80-vjetori i Festës së Republikës, që përkujton referendumin e vitit 1946 kur Italia u bë Republikë.

  1. Shqiptarët dhe Garibaldi në luftën për bashkimin e Italisë.

Historia e Risorgimentos italian nuk është vetëm historia e italianëve. Në të rrahin edhe zemrat e arbëreshëve, pasardhësve të shqiptarëve të vendosur në Italinë e Jugut që nga koha e Gjergj Kastrioti Skanderbeg. Në fillim të shekullit XIX, Italia ishte e ndarë në tetë mbretëri dhe dukate të vogla, shumë prej të cilave ndodheshin nën ndikimin e Perandorisë Austriake. Bashkimi i saj në një shtet të vetëm ishte rezultat i një lufte politike dhe ushtarake që zgjati pothuajse pesë dekada.

Në këtë proces historik, figura qendrore ishte Giuseppe Garibaldi, një nga udhëheqësit më të mëdhenj të lëvizjes për bashkimin e Italisë dhe një mik i madh i shqiptarëve. Garibaldi, i lindur në Nicë më 1807 dhe i ndarë nga jeta në ishullin Caprera më 1882, konsiderohet simbol i luftës për liri dhe bashkim kombëtar.  Lidhjet e tij me komunitetet arbëreshe të Italisë ishin të hershme dhe të forta. Gjatë marshimit të tij nga Sicilia drejt veriut, ai gjeti mbështetje të madhe në zonat arbëreshe. Shumë arbëreshë iu bashkuan radhëve të vullnetarëve të tij, duke marrë pjesë në betejat që çuan në bashkimin e Italisë. Në kryengritjen e vitit 1860 në Palermo, ndër luftëtarët, që morën pjesë përmenden edhe shumë arbëreshë nga Sicilia. Po ashtu, gjatë hyrjes triumfale të Garibaldit në Napoli, në radhët e komandantëve të tij ndodheshin edhe luftëtarë arbëreshë. Në qeverinë që Garibaldi formoi gjatë fushatës së tij revolucionare, u përfshinë edhe disa figura me origjinë shqiptare. Ndër më të njohurit ishte Francesco Crispi, i cili më vonë u bë kryeministër i Italisë.

Lidhjet midis shqiptarëve dhe familjes Garibaldi nuk u ndërprenë as më pas. Duhet nënvizuar se në kohën e Garibaldit, figurë e shquar e Italisë i cilësuar si hero kombëtar i saj, lidhjet mes dy popujve që ndahen nga një det (Itali – Shqiperi), u forcuan shumë pasi ato i bashkonte përqafimi i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë së popujve ballkanikë kundër Turqisë.

Për Garibaldin, i cili luftonte për lirinë e popujve, jo vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Italisë, ai kishte moton: “Çdo njeri që vuante ishte vëlla, çdo komb i shtypur ishte atdhe.”

I biri i Garibaldit, Riçiotti, që ishte përfshirë në kryengritjet shqiptare, në vitin 1900, i  shkruante Dora d’Istria, se: “Çështja e Shqiptarëve është çështja e ime”….

Garibaldi, e më pas i biri i tij Riçiotti kurr nuk ia harruan shqiptarëve ndihmën e tyre në Revolucionin për bashkimin e Italisë. Është e dokumentuar se Gjeneralët Peppino dhe Riçiotti Garibaldi, “Për nderë të veprës së dobishme të Atit të tyre lavdiplotë,( Garibaldit) kanë zhvilluar një bashkëpunim të gjatë për shpalljen e pamvarsisë së Shqipërisë, veprimtari ,e cila  nisi që nga 1899-ta deri në 1912”.  Riçiotti Garibaldi, mbështeti përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë. Ai bashkëpunoi me patriotë shqiptarë dhe përkrahu idenë e pavarësisë së vendit. Në këtë kuadër, në vitin 1911 patrioti Terenc Toçi u përpoq të organizonte një qeveri të përkohshme në Mirditë, në atë që njihet si “Qeveria e Kimzës”, një përpjekje që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

  1. Një lidhje historike që vazhdon

Emigrantët shqiptarë që jetojnë sot në Itali janë bërë pjesë integrale e shoqërisë italiane. Shumë prej tyre kontribuojnë në ekonomi, kulturë dhe jetën publike të vendit. Pikërisht këtë realitet e ka përshkruar edhe Presidenti i Italisë Sergio Mattarella, kur ka theksuar: “Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët e adoptuar në Itali janë dy anët e një medalje të çmuar, që përfaqëson kontributin e jashtëzakonshëm që Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë pesë shekujve në zhvillimin social, civil dhe ekonomik të Italisë.”

  1. Mbyllje

Si një emigrant që e do vendin e tij të origjinës, por edhe popullin italian që e ka mirëpritur, i uroj Italisë 165-vjetorin e bashkimit kombëtar dhe njëkohësisht 80-vjetorin e Republikës.

Përvjetor si ky nuk janë vetëm festa kombëtare për Italinë, por edhe një kujtesë e bukur për kontributin dhe bashkëjetesën e dy popujve tanë. Duke nderuar këtë histori të përbashkët, ne nderojmë edhe idealet e lirisë dhe solidaritetit që i bashkuan dikur luftëtarët e Garibaldit dhe që vazhdojnë të na lidhin edhe sot. Këto përvjetorë janë një kujtesë se: -Historia e dy popujve tanë nuk është e ndarë, por shpesh e ndërthurur në idealet e përbashkëta të lirisë, dinjitetit dhe përparimit.