Maksim Myftiu: Vrasësit e pensionistëve

606
Të paktën 400000 prej afro 650000 pensionistëve e invalidëve janë sot të diskriminuar, madje në një farë mënyre, të dënuar me vdekje të ngadaltë, të shkaktuar nga keq-ushqimi dhe pamundësia për t’u mjekuar. Këta shqiptarë që për vite me radhë kanë paguar sigurimet shoqërore, sot po trajtohen më keq se lypësit. Është sa cinike aq edhe idiote të dëgjosh sot zyrtarë të lartë, deputetë e madje edhe ekonomistë e të ashtuquajtur opinionistë, të deklarojnë, se kjo gjendje e pensioneve të ulëta është rezultat i papunësisë, i pamjaftueshmërisë që me kontributet e sotme të mbulohen pensionet. Por paratë që duhen për pensionet e tyre, këta burra e gra i kanë derdhur në arkat e sigurimeve, pra, të Shtetit dhe këto para të buxhetit janë borxh që shoqëria duhet t’ua u kthejë atyre sot, që janë të paaftë për punë, para se të paguajë deputetet apo zyrtarët e lartë të Shtetit. Për pagat dhe privilegjet e deputetëve dhe qeveritarëve paska para, ndonëse këta vetëm zullume bëjnë dhe deri më sot nuk kanë sjellë asnjë dobi, ndërsa për ata që kanë lënë kockat për ndërtimin e vendit, nuk paska para. Këtë qasje të deputetëve e qeveritarëve, pa as më të voglën ndrojtje, do ta quaja krim, një krim të mirëfilltë ndaj njerëzve të dobët fizikisht, një burracakëri totale prej njeriu të ulët e faqezi. Të jetosh në luks e të vërdallosesh nëpër botë me paratë e bukës, medikamenteve të pensionistëve dhe invalidëve do të thotë: Të jesh maskara e shkuar maskarait, sado bukur të flasësh, sado bukur të vishesh e sado servilë, grabitqarë apo parazitë të frymëzosh dhe të ushqesh me paratë e grabitura, që nëse vërtet ka një zot për të varfrit, një zot të drejtë… Një pensionist apo invalid nuk duhet të paguhet as me të ashtuquajturin minimum jetik, por me një pension dinjitoz, që të paktën në vitet e fundit të jetës të mos ndjejë braktisjen. Kjo qasje, ky diskriminim, po krijon gjithashtu një edukatë mosmirënjohëse e indiferente tek brezi i ri, i cili në vend që të luftojë me forcë për dinjitetin e baballarëve dhe gjyshërve që kanë sakrifikuar jo pak për ta, u shkojnë shpesh nga pas dhe brohorasin, servilosen për t’i hyrë në sy shefit që ky t’i hedhë ndonjë kockë apo ta bëjë pjesëtar të bandës së parazitëve e grabitqarëve, vrasësve të pensionistëve.