13 deputetë të PS dhe 14 të PD nuk e meritojnë të futen në parlament

387
Sigal

Analizë nga Gëzim Zilja: Po të kishim një Gjykatë Kushtetuese të pa ndikuar politikisht dhe të guximshme, Vendimi i saj për : Parimin e barazisë së votës, E drejta për tu zgjedhur dhe Barazia para ligjit, duhej të hynte në fuqi menjiherë. Ky vendim absurd dhe antidemokratik ishte marrë nga pozita dhe opozita në akord të plotë, që në listat e hartuara nga kryetarët të fitonin miqtë, krushqit, “kushurinjtë” dhe “kushërirat’’ dhe jo më të votuarit e sovranit. Kjo tregon mjerimin e madh, të mungesës së mendimit ndryshe në partitë shqiptare.

 

 13 deputetë të PS-së dhe 14 deputetë të PD-së nuk meritojnë të futen në parlament

Gëzim Zilja

 

Në listat e hartuara nga kryetarët e partive të fitonin miqtë, krushqit, “kushurinjtë” dhe “kushërirat’’ sipas listave dhe numrave rendorë

Pesëmbëdhjetë ditë para se të hapet parlamenti Najada Çomo dorëzoi kartonin e deputetit pa bërë ndonjë deklaratë publike serioze. E kam njohur kur u shtrova në spitalin infektiv një vit më parë. Përkushtimi, dituria, thjeshtësia, komunikimi me vartësit dhe të sëmurët më bënë përshtypje dhe shkrova një artikull me titull: “Doktoreshë Najada dhe engjëjt e saj.” Sipas gjykimit të Edi Ramës kjo mjeke e shkëlqyer me rolin e saj si shefe e spitalit infektiv në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë, duhej të kthehej në një hambar votash për PS-në. Por nuk ndodhi aspak kështu. Si kandidate e PS-së në rrethin e Tiranës, doktoresha shumë e njohur mori një rezultat tepër zhgënjyes. Mendoj se Gjeneral Çomo ( kështu e kam quajtur në atë shkrim) duke parë lojën e pisët politike midis socialistëve, atë midis forcave politike gjatë fushatës zgjedhore dhe sidomos numrin e votave të fituara, kuptoi që ky karton deputeti nuk vlente. Partia (domethënë kryetari) vendosi rradhën në listën e kandidatëve sipas qarqeve, listë që pati fuqi absolute. Numrat sipas renditjes fitonin kartonin e deputetit edhe pse me votat e fituara mund të ishe i fundit. Për çudi asnjë kandidat nuk u ngrit para 25 qershorit të denonconte këtë ligj, që cënonte thellësisht parimin e barazisë së votës. Kjo tregon mjerimin e madh, të mungesës së mendimit ndryshe në partitë shqiptare. Gjatë fushatës së partive nën zë kërkohej, që kandidatët të mos bënin fushatë për veten por vetëm për partinë, duke nënkuptuar se fituesit janë vendosur. Numri prej më shumë se 10.000 votash që duhet të merrte kandidati i pafavorizuar nga lista ishte sikur të kapërxeje ylberin. Le të sjellim nga dy shëmbuj për PS-në dhe për PD-në, që të kuptohet qartë se çfarë ligji hartuan pozita dhe opozita, që e pranoi e miratoi KQZ-ja dhe pse ky ligj  u anullua më vonë nga Gjykata Kushtetuese.

Në qarkun e Tiranës tetë kandidatë kanë më shumë vota se doktoresha (1583) nga Fidel Ylli me 1727 vota deri te Pandeli Majko me 8785 vota. Po kartoni u fitua nga doktoresha. Në Korçë kandidati i PS-së Arjan Jaupllari me nr. rendor (11) merr 5764 vota po kartonin e deputetit e merr Enslemevera Zake (1) me 3080 vota.

Në qarkun e Fierit kandidati i PD-së Agron Kapllanaj me numrin rendor shtatë (7) mori 9274 vota, dhe doli në krye të listës. Po ky nuk fitoi dot kartonin e deputetit sipas ligjit idiot me shumëzime e pjestime absurde, (Ky absurd ndodhi dhe në Durrës me kandidatët Igli Cara(7) me 6952 vota dhe Manjola Luku(9)  me 6108 vota) që kërkonte mbi 10.000 vota. I dyti me numër votash pas tij vjen Luan Baçi (4) me 5325 vota. Eralda Bano (2) mori 1295 vota dhe doli deputete. Mbi Eraldën janë tetë kandidatë  nga Ferdinand Çela (10) me 1318 vota te deri Jakup Beqiri (18) me 2453 vota. Në Korçë Andrea Mano (7) me 5496 vota, nuk fiton. Sorina Kote (2) me  1622 vota merr kartonin e deputetit edhe  janë tre kandidatë mbi Sorinën veç Andrea Manes. Ky vendim absurd dhe antidemokratikk ishte marrë nga pozita dhe opozita shqiptare në akord të plotë, që në listat e hartuara nga kryetarët e partive të fitonin miqtë, krushqit, “kushurinjtë” dhe “kushërirat’’ sipas listave dhe numrave rendorë.

Kjo do të thotë që deputetët e ardhshëm në shumicën e tyre, të jenë të bindur, ndaj kryetarëve për dhuratën, e pamerituar që u kanë bërë. Duke shqyrtuar rast pas rasti të gjitha qarqet dhe duke iu referuar Vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 13.07. 2021, mbi shfuqizimin e pikës 3, neni 163, nr 10.019 të Kodit Zgjedhor, si të papërshtatshëm me kushtetutën, 13 deputetë të PS-së dhe 14 deputetë të PD-së nuk meritojnë të futen në parlament.  Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thekson se janë shkelur:

Parimi i barazisë së votës

E drejta për t’u zgjedhur

Barazia para ligjit

Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese të pa ndikuar politikisht dhe të guximshme, Vendimi duhet të hynte në fuqi edhe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit e jo për zgjedhjet e ardhëshme të vitit 2025. Po nëse do të kishim dhe kandidatë (tashmë deputetë) që respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese  të datës 13.07.2021, plot 28 të tillë, duhet të dorëzonin kartonat dhe të ishin të larë me ndërgjegjen e tyre dhe sigurisht me parimin e barazisë së votës. Ndryshe ai karton do t’u rëndojë në ndërgjegje gjithë kohën dhe ka gjasa t’u kthehet në një gur të Sizifit.