Nis lëvizja “T’ia mbathim nga Shqipëria”, për këto 10 motive

821
Përparim HALILI
Largimi lidhet me humbjen e shpresës për ndryshim të situatës së krijuar prej politikës dhe qeverisjeve. Që të kesh të drejta në Shqipëri, duhet të jesh i lidhur me interesa direkt ose në grup me “nomeklaturën e rilindur” të politikës dhe pushtetit majtas-djathtas apo të familjarëve, ortakëve, klaneve e oligarkive të tyre të mpleksura fuqishëm me njëra-tjetrën 

Në rrjetet sociale, kanë nisur thirrjet publike drejtuar shqiptarëve, për t’u larguar urgjent nga Shqipëria! Sipas atyre që bëjnë këtë thirrje, largimi nga Shqipëria lidhet me humbjen e shpresës për ndryshim të situatës së krijuar prej politikës dhe qeverisjeve, krerët e të cilave kanë zënë kolltukët e çdo pushteti dhe i përdorin ato për interesat e tyre. Kjo situatë po rëndohet përditë e më tepër, duke krijuar një “fushë të minuar” social-ekonomike, ku është i detyruar të shkelë vetëm populli, i cili edhe e pëson përherë nga “shpërthimet” që ndodhin. Thirrja “T’ia mbathim nga Shqipëria!” i është bërë prezent edhe kryeministrit Rama, në komunikimet që ai ka bërë në “FB” me qytetarët, duke i deklaruar emergjencën e largimit nga Shqipëria, sidomos të brezit të ri, që ëndërron ndryshim, por nuk bëhet, që kërkon angazhimin ta sjellë vetë ndryshimin, por nuk lejohet e nuk pranohet. Madje kush guxon të nisë lëvizjet për ndryshim, “kryqëzohet” e nxirret jashtë çdo angazhimi. Që të kesh të drejta në Shqipëri, duhet të jesh i lidhur me interesa direkt ose në grup me “nomeklaturën e rilindur” të politikës dhe pushtetit majtas-djathtas apo të familjarëve, ortakëve, klaneve e oligarkive të tyre të mpleksura fuqishëm me njëra-tjetrën. Mjafton të lexosh vetëm të dhënat e pasurive, që kanë vetë-deklaruar shtetarët dhe shikon një “klasë” njerëzish me pushtet edhe të 4 viteve të fundit, që i kanë nisur funksionet shtetërore si deputetë e ministra me bordero page mesatare dhe tashmë kanë nga 5-6 apartamente, vila, femijë në shkollim jashtë shtetit në universitete ku shkojnë fëmijë “sheikësh”. Nga familje që jetonin si gjithë të tjerët, pas Gradimit me poste shtetërore dhe marrjes me politikë, kanë venë pasuri; troje, toka, ullishte, ferma bagëtish, hotele, linja prodhimi, automjete luksoze e lloj-lloj pasurish të tundshme e të patundshme të regjistruara në emrat e tyre, të bashkëshortëve, fëmijëve, dhëndurëve, nuseve e gjysheve! Mjafton të shikosh një listë nëpunësish në një institucion shtetëror dhe gjen të punësuar nga 3-4 pjesëtarë të një familjeje! Në çdo ministri, drejtori, bashki apo shërbim publik të çdo niveli, shtetarët dhe politikanët kanë punësuar familjarët e njeri-tjetrit. Kush denoncon këto fakte, “ha” dajak, ikën nga puna ose lihet pa punë, i shkatërrohet biznesi me taksa, me lloj-lloj gjobash e, pse jo, edhe me bllokim nga policia e deri me dinamit maskash! Kjo situatë, krijohet dhe vepron lirshëm vetëm në vende ku sundojnë klikat politike-shtetërore të lidhura me mafien. Në Shqipëri është e plotë kjo “fytyrë” sundimi mbi qytetarët, të cilët pushteti po bën sikur i pyet “për hallet që kanë”, sa për të përligjur dhe maskuar korrupsionin, dhunën psikologjike, frikën nga shteti dhe sundimin që kanë vendosur e aplikojnë. Prova e këtij modeli janë (gjoja) dëgjesat që ka nisur kryeministri me popullin nëpër zona, duke u vetë-prezantuar si “Zoti” që do t’i shpëtojë nga “kolera qeveritare” që vetë ai dhe para-ardhësit e tij e kanë instaluar barbarisht mbi këtë popull e në këtë vend! Duke dëgjuar dëgjesat, në fakt dëgjon rëndesat që kanë pasur qytetarët në 4 vite nën pushtetin e “Rilindjes”. Dhe kryeministri, përsëri del e flet para popullit që “i ka punuar qindin” në 4 vite. Del me “pizhama” në takime me popullin dhe sillet e jep urdhra, sikur është pronari i popullit, sikur Shqipëria është “ferma” e tij, sikur ai është “Haxhi Qamili” dhe administrata është “ushtria” e tij. Kryeministri që mendon se e duan shqiptarët, tamam si “kapiten” i një anijeje pirate të viteve 1400, ka nisur t’i trajtojë nëpunësit dhe drejtuesit e shtetit si skllevër në përdorim e në shitje, duke i urdhëruar: “Dil këto para popullit dhe jep llogari”! Po sillet si “sulltan” i administratës, duke i hequr e vendosur “spaletat” çdo nëpunësi e drejtuesi të shtetit edhe në kafene, në mitingje, në rrugë e nëpër lëndina, siç veproi me drejtorin e ALIUZNI-t në Berat, siç kërcënoi drejtorin tatimeve në Lezhë! Përballë realitetit, që klika në pushtet e në politikë majtas dhe djathtas, po e trajtojnë këtë vend e këtë popull si “leckë”, tek shumë prindër ka nxitur përpjekjet maksimale, për të larguar urgjentisht fëmijët nga Shqipëria, qofshin edhe në “moshë djepi”. Përballë faktit që të rinjtë, të cilët nuk janë pjesë familjare apo nepotike e klanore e shtetarëve dhe politikanëve të lartë, ka krijuar tek ata, bindjen definitive për të ikur sa më parë nga Shqipëria! Në çdo bisedë me njerëz jashtë “oborrit shtetëror”, dëgjon vetëm një temë: Ikjen urgjent nga Shqipëria familjarisht ose largimin e fëmijëve! Fakti është ky: Në 3 vitet e fundit, nga Shqipëria janë larguar 250 mijë persona, 40% e të cilëve familjarisht dhe 70% e të cilëve të rinj të moshës aktive për punë 18-30 vjeç! Janë larguar 97 mijë specialistë me arsim të lartë të çdo fushe të ekonomisë dhe shërbimeve. Sipas një informacioni nga ministria e Shëndetësisë, në 4 vitet e fundit janë larguar e janë punësuar jashtë shtetit mbi 1300 mjekë, stomatologë, infermierë, laborantë, masazheristë, 500 prej të cilëve mjekë specialistë në kardiologji, okulistikë, neurologji, urologji, ortopedi, gjenekologji dhe, në muajt qershor-korrik 2017, tek “Urdhri i Mjekut” janë paraqitur edhe 300 kërkesa të tjera për të marrrë “CV”(vlerësim pune) për largim nga Shqipëria! Përse duhet të qëndrojnë mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, akademikët, inxhinierët, gjeologët, artistët, specialaistët në zyrat e shtetit, që t’i heqë e t’i vendosë kryeministri kur të dojë? Apo, që t’i nxjerr para popullit nëpër sheshe e lagje fshtarash e t’i denigrojë, siç vepronin në vitin ’45 “komisarët partizanë” me avokatët, financierët, profesorët dhe inxhinierët e arsmuar në perëndim! Përse duhet të kthehen në Shqipëri, të diplomarit jashtë shtetit apo që të komandohen e denigrohen nga analfabetët militantë partie e familjarë dallkaukë e injorantë me diploma false?! Po përse po ikin dhe kanë nisur e do vazhdojnë “t’ia mbathin” shqiptarët, nëpër botë? Lëvizja “T’ia mbathim nga Shqipëria”, ka publikuar 10 arsye. 
1. Nuk ka asnjë mundësi punësimi në administratë, për njerëzit e aftë! 
2. Që të punësohesh në administratën publike, duhet të jesh familjar ose i afërt, mik shok apo klan e krahinor i lidhur me interesa me ministrin, deputetin, kryetarin e partisë në qendër e në zonë. 
3. Shëndetësia shtetërore është një mjedis mizerabël si kushte higjenike, si mangësi pajisjesh dhe si korrupsion shërbimesh e ilaçesh, të cilat duhet t’i paguash privatisht!
4. Konkurset në administratën publike, janë një farsë që legjitimojnë rekrutimet e paracaktuara nepotike e të urdhëruara nga shefat e lartë të pushtetit dhe politikës!
5. Nuk ka asnjë program konkret dhe as projekte të pritshme investimesh për zgjerimin dhe stabilitetin e punësimit në sektorin privat.
6. Nuk ka një polici shteti, që t’i shërbejë komunitetit, por vetëm interesave të shtetarëve, politikanëve dhe botës së krimit.
7. Nuk ka siguri publike as për banesën, as për biznesin e as për… çantën e dorës!
8. Në zyrat e shtetit, për shkak të familjaritetit, urdhrave politikë dhe korrupsionit, nuk ka drejtësi për asnjë shërbim personal e familjar që kërkon, ose për shqetësime që të krijojnë palët e tjera, sidomos kur ke përballë shtetin.
9. Qeverisja nuk pranon asnjë alternativë nga grupet e interesit, duke hartuar ligje e vendime për interesat e veta private.
10. Në dogana e tatime të rrjepin lëkurën, ka shtetarë që të shkatërrojnë bizneset, po nuk i pagove haraç mujor, ka polici rrugore që të gjobit edhe kur makinën nuk e nxjerr 1 muaj në rrugë, ka treg ushqimor që të sëmur e të vret, por ka edhe ujësjellës që nuk të sjellin as ujë… për t’u larë!
Sigal