Lutfi Dervishi: Pesimistët dhe optimistët e Shqipërisë

404
Sigal

Ndërkohë që po numëronte turistët e huaj në Sarandë, Kiko po mendonte për pesimistët dhe optimistët e Shqipërisë. Në këtë vend njerëzit shohin bardh e zi! Mungon pjesa gri! Këtu ose duhen për vdekje ose urrehen për vdekje. Mungon pjesa racionale. Si mundet që njerëzit të shohin vetëm zi?! Pse shohin vetëm anët negative? Është e vërtetë se në Shqipëri:
Është ulur numri i lindjeve
Është ulur numri i banorëve
Është ulur numri i nxënësve
Është ulur numri i studentëve
Është ulur numri i shkollave
Është ulur numri i mjekëve
Është ulur çmimi i kg të kanabisit
Është ulur importi i cigareve
Është ulur çmimi i kokainës
Është ulur numri i gjykatave dhe prokurorive
Por duhen parë edhe rritjet dhe arritjet e vendit. Pse nuk shohin edhe këndvështrimin e optimistëve që shohin (a)rritjet e mëdha në Shqipëri?
Është rritur çmimi i apartmenteve
Është rritur çmimi i frutave dhe ushqimeve
Është rritur importi i bananeve
Është rritur numri i burgjeve
Është rritur numri i pensionistëve, që punojnë
Është rritur numri i punonjësve të huaj
Është rritur numri i pjesëmarrësve në kurset e gjermanishtes
Është rritur numri i investitorëve strategjikë.
Janë rritur taksat
Dhe mbi të gjitha… Është rritur rroga e zyrtarëve dhe deputetëve! Është dyfishuar paga e patronazhistëve! Pra vendi ka zhvillim të ekuilibruar diku me ulje e diku me rritje. E tillë është jeta! Një turist që po mbllaçiste banane pyet Kikon për dallimin mes pesimistëve dhe optimistëve në Shqipëri. Pesimistët në Shqipërisë,- iu përgjigj Kiko, thonë se nuk ka ku shkon më keq, por optimistët mendojnë të kundërtën: ata thonë se ka ku shkon edhe më keq!

************

Rama vlerëson me “Yllin e Mirënjohjes” ambasadoren Yuri Kim

som

Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë.

som

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i dha ambasadores amerikane Yuri Kim ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike’. Për kreun e qeverisë Rama, Yuri Kim është ‘më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve’ nga gjithë ambasadorët të SHBA-së në Shqipëri. Duke i dedikuar një fjalë të gjatë largimit të ambasadores amerikane nga Shqipëria, Rama tha se Yuri Kim u largua nga Shqipëria duke lënë pas “miq dhe armiq” që e deshën dhe e urryen. Kryeministri tha: – “Yuri Kim e mbylli misionin e saj në Shqipëri. Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë. Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran në ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur pejzazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura, nga frëngjia e Twitterit, sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore; herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend, sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm. Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e supërfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave. E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores, që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare dhe sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”…Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi. Por ky do të ishte një shkrim i gjatë, për të cilin këtu nuk është asfare vendi. Kështu që në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike’, për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqi që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat, që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla. Prandaj njësoj si këta rreshta mbase diplomatikisht skandalozë – po ja që e vërteta s’është gjithnjë dot diplomatike kur duhet thënë patjetër – mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht, teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë. Thank you for everything dear Yuri and may force be with you all the way! God Bless you and the United States of America!” – tha Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për largimin e ambasadores amerikane pas përfundimit të misionit të përfaqësimit të saj në Shqipëri.