Zoti Kryeministër, Pedagogët e Universiteteve duhet të lejohen të punojnë

441
Sigal

 Nga Prof.Dr Alqi Naqellari

Duke filluar nga 10 marsi dhe në vijim mësimi në auditore është ndërprerë dhe çdo gjë i ka kaluar të mësuarit virtual, nëpërmjet classroomeve. Fillimisht pati një konfuzion mbi mënyrën e komunikimit por u zgjidh shpejt, me idenë se kjo situatë pandemie nuk do zgjaste për një kohë të gjatë. Mendimi i të gjithve ishte se ato leksione që i dhamë nëpërmjet këtij komunikimi, ti ribënim të përshpejtuara edhe njëherë, që të mos kishte pengesë dhe mangësi për të vazhduar më tej. Por si po shihet, kjo gjendje, do vazhdojë edhe në muajin maj. Kështu i takon që edhe 4-5 leksione të tjera ti bëjmë në këtë formë, dhe përfundimisht mbetet që ky simestër të mbyllet me këtë mënyrë komunikimi.

Nëse do mbyllet në këtë formë lindin një sërë pyetjesh.

– A mundën pedagogët të japin maksimumin e tyre të mundshëm në leksione dhe seminare, të parashikuara sipas programit?

– A përfituan studentët atë që ishte parashikuar?

– A ka një zgjidhje të mundëshme, duke filluar nga kjo javë të bëhet më mirë?

Po ju përgjigjemi me rradhë.

-Pedagogët, flas për kolegët e mi, bënë dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën, të gjejnë dhe krijojnë çdo mundësi për të dhënë maksimumin e tyre në komunikimin me studentët. Mundësitë për këtë janë të kufizuara, janë objektive dhe subjektive. Për pasojë rezultati nuk ishte ai që do merrej në auditor nëpërmjet komunikimit direkt me studentët. Pse ndodhi kjo?

E para, lëndët mësimore nuk janë me strukturë të njëjtë, ka lëndë si Matematika, Ekonomikset, Statistika, Informatika, Financa, Kontabiliteti, etj që përdorin matematikë, që përdorin modele ekonomike, nuk mund të zhvillohen në mënyrë cilësore pa pasur Tabelë, pa përdorur shkumësin dhe shpjegimin e Pedagogut. Nuk kuptohet një ushtrim nëse studenti nuk e dëgjon pedagogun dhe nëse nuk e shikon me sy rrjedhën e veprimeve. Nuk janë lëndë që mund të shpjegohen thjeshtë me fjalë siç janë disa lëndë të tjera si Sociologjia, Komunikimi, apo përgjithësisht lëndë të shkencave politike.

E dyta, jo të gjithë pedagogët kanë bazën materiale të nevojëshme. Ka zona të Tiranës që janë të pa mbuluara me të gjitha llojet e internetit. Ka pedagogë që ngujimi i ka gjetur larg Tiranës. Ka pedagogë që punojnë në Bibliotekë dhe nuk mbajnë shumë libra në shtëpi, ngujimi ju ndërpret mundësitë e përgatitjes. Ka pedagogë që kanë anëtarët e tjerë të familjes që duhet edhe ata njëkohësisht të komunikojnë. Ka problem me energjinë elektrike, ka problem me abonimet etj, etj.

-A përfituan studentët atë që ne kërkojmë? Përgjigja është pjesërisht.

Pjesërisht sepse, edhe ata, ashtu si pedagogët kanë thuajse të njëjtat arsye për infrastrukturën mësimore. Mungesë kompjuterash, laptopësh, internet, energjie, etj, etj. Nuk e marrin shpjegimin njëkohësisht me zë dhe me figurë por e marrin të cunguar. Ndokush mund të thotë të përdorin cellularët.  Këtë rekomandim do ta quaja jo korekt. Unë e kritikoj në mënyrë të veçantë për përdorimin e tij edhe në fëmijtë e shkollës. Në mënyrë absolute nuk duhej ta përdornin, sepse ata do të bëhen skllevër të tij për një periudhë afatshkurtër. Ata që mendojnë se do tua heqin këtë “ves” e kanë gabim. Unë e quaj ves, sepse, ka studentë që flenë me telefon, dhe pengimin e tij e quajnë si privim të të drejtave të tyre. Në Lindjen e Largët po bëhet një punë  e madhe, nga shteti dhe familjet, që  ti largojnë fëmijët nga celulari. Atë duhet të bëjmë edhe ne.

Çfarë duhet bërë që punë të bëhet më mirë dhe studentët të përfitojnë më shumë?

-Pedagogët nuk duhet të ndalohen të shkojnë në Universitet, të shkojnë në punë. Ata janë thjesht njësoj si punonjësit e Administratës. Ata mund ti regjistrojnë në vidjo të gjitha leksionet e tyre, direkt. Këto leksione, të regjistruara, me zë dhe me figurë të shoqëruara edhe me leksionet në format, të regjistrohen në Adresën e Universitetit,  dhe në lëndën përkatëse. Kjo do jetë më efektive nga sa është sot, sepse ata do kenë një komunikim të dyanshëm me pedagogun. Nëse kanë pyetje atëhere mund ti drejtohen pedagogut në orën që kanë leksion ose seminar dhe të marrin përgjigjet. Më vonë me grupe nga 10 veta të fillojë mësimi në auditore, me masa strikte higjenosanitare, me realizim të njëkohëshëm leksion-seminar. Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me Covidin-19 dhe me Covidet që do vijnë.