Kreshnik Osmani: Dy fjalë pa turp, për paktin PS-PD!

858
Për arsye të punëve, angazhimeve dhe udhëtimeve kohëve të fundit nuk kam mundur të jap deri tani një opinion të plotë lidhur me atë marrëveshje ndërmjet PS-PD. Kjo nuk do të thotë se nuk kam ndjekur deri në imtësinë më të vogël atë që ka ndodhur, nëpërmjet miqve të cilët i kam shumë. Pra duke marrë prej tyre informacion që nuk është për shitje në pazar. Sigurisht, që sasia e njerëzve të cilëve u intereson se çfarë mendoj unë nuk është e madhe, gjithsesi për aq sa janë kam dëshirë të theksoj shumë shkurt:

1. Marrëveshja ndërmjet dy partive më të mëdha në vend, është diktuar dhe imponuar nga SHBA-të për nevoja të stabilitetit gjeopolitik në rajon dhe për këtë askush të mos dyshojë. SHBA-të janë investuar shumë në rajon dhe nuk ofrojnë asnjë lloj mundësie a hapësire që dikush ta shpërdorojë atë.

2. Askush të mos dyshojë se këtu ka një lëvizje pragmatiste që ka për synim të zhdukë çdo lloj konkurrenti politik tjetër nga skena, veçanërisht LSI e cila është një barrë e rëndë dhe një ortak sipas tyre i pangopur që i rendon thesit të të dyja palëve. Sigurisht kjo nuk më intereson fare, por e solla shembull LSI-në për të sqaruar atë që po them.

3. Pakti ka për synim të përçojë në opinionin publik shqiptar idenë se çdo përpjekje për t’u organizuar dhe për t’u investuar në politikë duhet të kalojë vetëm nëpërmjet PS-PD dhe se çdokush që përpiqet të dalë jashtë kësaj skeme eliminohet politikisht dhe nëse paraqet një rrezik më të madh e eliminojnë edhe fizikisht.

4. Përfundimisht, e majta dhe e djathta në Shqipëri vulosën mos ekzistencën e tyre programore, dhe i vërtetuan shqiptarëve (atë që ata e dinin prej kohësh) se e vetmja qasje që ata kanë ndaj Shqipërisë është ajo e Korleonezëve dhe e Coza Nostra-s për Siçilinë e asaj kohe. Tavë që duhet ndarë duke i kënaqur të gjithë, përndryshe plas lufta ndërmjet familjeve të mëdha dhe derdhet gjaku lumë.

5. Pakti ndërmjet PS-PD tregoi edhe njëherë se shqiptarët në syrin e tyre janë masë popullore përgjithësisht e manipulueshme, e varfër kulturalisht dhe politikisht, e kalbur në mendësi, epshore në synime, plaçkitëse në vizion, dhe se plaçka e luftës zëvendëson tek mendjet e tyre çdo lloj ideali a ideologjie politike, duke e radhitur popullatën në mënyrë indirekte tek gjinia e shtazës, e cila nuk ka asnjë synim në jetë përveç përmbushjes së epsheve dhe dëshirave të tyre carnale “të mishta”.

6. Pakti ndërmjet dy partive të mëdha i çliroi të gjithë ata që u kishte mbetur një grimcë morali dhe norme prej një barre të madhe. Prej barrës së amoralitetit. Shqiptarët edhe pse e dinë se ata që merren me politikë janë imoralë, të pisët e hajdutë mendojnë shpesh se disa syresh kanë disa norma. Të gjithë shqiptarët (madje dhe ata që e kanë urryer) kanë besuar p.sh se Berisha edhe pse ka bërë shumë para është familjar dhe nuk ka dashnore, dhe se prej farës së zezë komuniste ka njerëz të ndershëm plot, të cilët edhe unë i kam parë vetë korridoreve të së majtës.

7. Pakti ndërmjet dy partive të mëdha, e vesh tani e tutje secilin prej nesh me të drejtën për të bërë pakt edhe me djallin, edhe me të birin, edhe me shpirtin e lig, pa iu detyruar askujt mbi tokë ndjesë për këtë, përveç Zotit. Nuk do të thyej më zemra miqsh demokratë e socialistë për zgjedhjet e mia në të ardhmen. A e kuptoni çfarë lirshmërie është tani?! Nuk do t’i japim më llogari askujt për asgjë, ashtu siç nuk iu dhimbsemi ne që sakrifikojmë për njerëzit, askujt. Madje as njerëzve të mirë nuk u rruhet për ne. Fare, po hiç fare. Nuk do të më dhimbset më askush për asgjë. I vetmi prej të cilit do të kem frikë e droje do të jetë Zoti im, me të cilin kam ndërtuar një marrëdhënie shumë private dhe me të merrem vesh vetë, në ketë botë, në parajsë apo në ferr. Merrem vesh vetë d m th jo ashtu siç shkruajnë mashtruesit në librat e moralit, por ashtu siç di vetë unë.

8. Pakti zbuloi fytyrën e vërtete të kësaj shoqërie, përgjithësisht hipokrite, arrogante, hileqare, tallëse, të pavërtete në shumicën dërrmuese, pragmatiste, e diktuar fillimisht dhe së fundmi nga interesi i momentit, interesi i ngushtë familjar, paraja, posti, vendi i punës dhe interesa të vogla pa pikën e yndyrës. Gjej rastin të falënderoj këtu personazhet që bëjnë përjashtim, parimorët e vërtete dhe gladiatorët e mendimit të lirë, të pavarur dhe të pandikuar nga interesi i momentit. Ata janë shumë dhe ata të mbushin me shpresë, optimizëm e jetë.

9. Pakti vulosi fare pa iu dhimbsur faktin se mundësia që ky vend të bëhet edhe pse ekziston, ajo është e largët shumë. Kjo, nuk është një dëshmi e një të përkëdheluri apo e një pene të trishtuar a romantike, por faktet janë kokëforta. Proceset demokratizuese dhe qytetëruese janë kapërcime kulturore të jashtëzakonshme për të cilat ne nuk jemi ende te përgatitur.

10. Me respektin më të madh për të gjithë miqtë, majtas dhe djathtas, interesat dhe dëshirat e të cilëve i mirëkuptoj, kam dëshire të nënvizoj se ka ardhur koha për një Rimëkëmbje të vërtete Kombëtare, për një Pakt të vërtete dhe historik Kombëtar, nëpërmjet të cilit të gjithë të ndershmit e këtij vendi, majtas, djathtas, të qendrës apo fare pa parti, toske, gege dhe Shqipëri e Mesme të nënshkruajnë një Pakt të Shpëtimit Kombëtar nëpërmjet të cilit të dëshmojnë një vullnet të palëkundur për të mos e dorëzuar kurrë Shqipërinë, pavarësisht krizave, kthesave të vështira historike dhe ditëve të vështira nëpër të cilat fatet e saj do të rrugëtojnë. Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë sepse; Demokracia ka ciklin e saj “menstrual” nëpërmjet të cilit ajo e pastron vetveten. Ditën që kalon ne koma, vdes!

Marrë nga Blogu Populli Al
Sigal