Kohën e bashkimit e vendos komuniteti i ushtarakëve

669
Sigal

Në prill të vitit 2012, përsëri ju jam drejtuar me disa ide dhe mendime, zotërinjve K. Cako, M. Pogace, B. Mane dhe Z. Kroj. Kanë kaluar 5 muaj dhe nuk ka patur asnjë reagim. Duket se dhe këto mendime kanë pësuar fatin e platformës të bashkimit të vitit të kaluar, megjithëse, ka patur tentativa dhe premtime për takim dhe përsëri “një haresë kronike”. Kjo “haresë” është sëmundje profesionale e drejtuesve tanë. Ata fillimisht japin shpresë dhe premtojnë të bisedojnë dhe takohen. Por më pas nuk dëgjojnë askënd, përfshi dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë. Në këto kushte, i nxitur dhe nga mendimet që kanë shprehur për bashkimin kolegët M.Dume dhe B. Azizaj, (SHKURSH ) dhe P.Zaimi (AKU.) vendosa që këto mendime dhe ide ti ndaj me gjithë kolegët e mi ushtarakë, që e duan bashkimin, sepse tani shihet qartë që drejtuesit dhe të zgjedhurit për demagogji e pranojnë bashkimin në parim, por nuk kanë vullnet e dëshirë për ta bërë këtë. Si zakonisht gazeta “Telegraf” si porta e hapur për problemet e ushtarakëve u shpreh e gatshme ta botojë këtë material të plotë, në dy pjesë, me qëllimin e mirë që ky debat të bëhet, brenda forumeve dhe organizatave në qendër dhe në bazë, sepse bashkimi nuk vjen me urdhrin e peshkut, kohën e bashkimit e afrojnë ose e largojnë drejtuesit dhe forumet e shoqatave dhe bllokimi i tij është opsion i pa mundur.

PËRMBAJTJA E MATERIALIT

( Pjesa e parë)

Mendimet dhe idetë e mia për bashkëpunimin dhe bashkimin e shoqatave, i kam bërë publike dhe i kam ndarë me ju dhe komunitetin e ushtarakëve.  Në Korrik të vitit 2011, u njohët me një platformë bashkëpunimi dhe bashkimi të shoqatave, të cilën nuk e vlerësuat, nuk e dëgjuat, nuk e shtruat për diskutim në bazë, e latë qëllimisht në haresë, e paragjykuat dhe jo vetëm kaq, por në mënyrë naive, ne nismëtarët u quajtëm, të përdorur nga të tjerët etj..  Fillimisht dhatë shpresë dhe premtuat se do të bisedonit dhe do të takoheshit. Por më pas nuk e dëgjuat zërin tuaj të brendshëm, zërin e zotërinjve Bajram dhe Zyhdi, që ishte një zë i pastër, i arsyeshëm dhe pa hile.  Ju me qëndrimin tuaj keni shprehur mungesë të theksuar respekti së pari ndaj vetes, ndaj kolegëve tuaj Zyhdi dhe Bajram dhe ndaj njëri tjetrit. Ju të katër minimalisht duhet të kishit gjetur forcën për t’u takuar dhe biseduar me njëri tjetrin. Fakti që ju nuk dëgjuat dhe nuk respektuat kolegët tuaj të ngushtë dhe për gjënë më të thjeshtë, pirjen e një kafeje, tregon se ju dhe brenda shoqatave tuaja nuk keni solidaritet dhe marrëdhënie partneriteti të sinqerta.  Koha e qëndrimit tuaj në krye të shoqatave, ka qenë tepër e mjaftueshme për të reflektuar dhe për të hequr dorë nga metoda e mosmarrëveshjeve dhe konfliktit dhe për të vendosur një klimë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi, midis dy shoqatave tuaja, si dy shtyllat kryesore të ushtarakëve.  Deri dje mendoja, se ju kishte ngelur në derë kjo përgjegjësi, ndoshta e pa merituar. Por sot mendoj se ju me indiferentizmin dhe mungesën tuaj të vullnetit për të bashkëpunuar, duke mos u marrë vesh me njëri-tjetrin; duke mos hapur dyert e shoqatave për njëri tjetrin dhe duke mos shkulur farën e përçarjes dhe të ndarjes. Keni marrë dhe po merrni përgjegjësi direkte.  Ju ritheksoj dhe mos e merrni aspak për ironi. Mos vallë mendoni si politikanët se kafja midis jush mund të pihet në një “Krokodil jeshil” jashtë kufirit dhe nën mbikëqyrjen dhe ndërmjetësinë e CIOR-it dhe EUROMIL-it?!. Këtu të shkon mendja, kur ju nuk pranoni ndërmjetësinë e bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë. Kjo nuk është vlerë e forcë, por antivlerë, dobësi dhe pa aftësi.  E them këtë sepse ju keni rreth një vit që keni ngelur në një kryqëzim rruge, në një rreth vicioz pa rrugë dalje. Ku z. Kujtim Cako, ka qenë i gatshëm me semafor jeshil të hapur, por kam frikë se nga kohëzgjatja mos i është djegur drita jeshile. Kurse z. Mehdi akoma i ka semaforët e prishur, pa asnjë sinjal jeshil apo të kuq. Përpjekjet e z. Zyhdi për t’i riparuar dhe vënë në punë këta semaforë, deri tani kanë dështuar. Keni gati 1 vit që po xhironi rreth vetes dhe njëri tjetrit, në këtë rreth rrotullim vicioz dhe nuk keni gjetur mundësinë të ndaloni dhe të takoheni. Nuk doni të dilni nga ky cikli i mbyllur i këtij rreth rrotullimi dhe diku pranë tij të gjeni një “ Krokodil shqiptar “, të shtruar me postiqe, ku të uleni këmbëkryq për të biseduar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit. Tani e dinë të gjithë që shkaku i mos takimit tuaj nuk është, mungesa e kohës, ngarkesa e punës, keqkuptimet telefonike, stina e verës, e vjeshtës apo e dimrit etj. Shkaku kryesor është mungesa e vullnetit dhe dëshirës për bashkim. Ju i trembeni bashkimit. Në këtë mes përgjegjësi kryesor është Z. Mehdi, i cili nuk ka vullnet dhe dëshirë që minimalisht të takohet me ju, e mban pezull takimin duke vazhduar të luajë rolin e “të fortit”. Shtrirja e dorës dhe shinave të bashkëpunimit, është forcë, e kundërta tregon vetëm dobësi dhe frikë.  Mos merrni për model, modelin e “armiqësisë” të politikanëve. Merrni modelin e liderëve shpirtërorë të fesë të cilët bashkëpunojnë dhe bashkohen në festat e aktivitetet fetare, ku takojnë dhe qeveritarët e opozitarët e radhës dhe ju japin zgjidhje dhe problemeve të tyre. Ndërsa ju nuk bashkoheni dhe nuk takoheni me njëri tjetrin, në asnjë festë të ushtrisë, në asnjë festë kombëtare, në asnje protestë apo tubim, në asnjë aktivitet të përbashkët apo të veçantë, në asnjë ditë të zakonshme të vitit, qoftë dhe për të pirë një kafe të thjeshtë pune, duke vazhduar me kryeneçësi të jeni “non gratta” për njëri tjetrin. Akoma vazhdoni që mendimet dhe idetë tuaja t’ ja përcillni njëri -tjetrit vetëm me zëdhënës dhe nuk keni komunikuar asnjëherë në mënyrë direkte. Ju që jeni përdorues të mirë të postës elektronike, komunikoni on-line dhe në gjuhë të huaja me CIOR-in dhe EUROMIL-in, vazhdoni të mos komunikoni on-line dhe të mos takoheni me njëri tjetrin. Duhet të nxirrni sa më shpejt jashtë loje zëdhënësit keqdashës, që kanë kohë që janë instaluar mes jush dhe nuk ju lënë të shiheni, të shkëmbeni përvojën dhe të diskutoni me njëri-tjetrin.  Nga kontaktet që kam patur me shumë miq dhe kolegë të përbashkët, më rezulton se ju, zotërinj kryetarë, në të kaluarën, nuk keni punuar bashkë, nuk keni hyrë në të njëjtin postbllok, nuk keni ndonjë mëri apo inat personal, pra nuk keni patur shansin dhe mundësinë që në punë e sipër të keni krijuar ndonjë konflikt midis jush. Ju nuk jeni takuar asnjëherë dhe çuditërisht jeni bërë “armiq” në distancë, me gojëdhënat e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të vjetër apo të rinj. Jo vetëm kaq por më rezulton se ju jeni dhe miq në një rreth krushqie. Mos vallë ne ushtarakët, si “ besimtarë të thekur që jemi “ duhet të shpresojmë, që ju me ndihmën e zotit të takoheni në ndonjë sebep të përbashkët, ku pas pijes dhe mishit të pjekur, të bisedoni dhe për hallet tona dhe në këtë mënyrë të kaloni me sportivitet dhe mos pirjen e kafes dhe mos takimin, për një vit rresht.  Megjithëse problemi i bashkëpunimit dhe bashkimit, nga dita në ditë, po bëhet më emergjent dhe në këtë prag zgjedhjesh ai është i domosdoshëm, ju përsëri nuk po luani nga llogoret e ndarjes dhe pozicionet tuaja qesharake dhe të pa kuptimta, të cilat na kanë kushtuar shtrenjtë dhe njëherazi kanë ulur ndjeshëm vlerat dhe kredencialet tuaja personale.  Ky fakt më detyroi t’u drejtohem përsëri me shkrim, nëpërmjet  miqve të mi Bajram dhe Zyhdi, të cilët megjithëse janë përpjekur maksimalisht, i keni bërë pjesë të këtij dështimi. Është tepër fyese për ta  dhe e pa falshme për ju si drejtues, që nuk keni respektin e ndërsjellë ndaj njëri- tjetrit, për të fituar së paku këtë sfidë të thjeshtë, për të pirë një kafe pune, të katër bashkë. Populli thotë “Më mirë vonë se kurrë”.

P.S. Nesër pjesa tjetër e materialit, me disa mendime për hapat që duhen hedhur dhe variantet që duhen provuar në këtë prag zgjedhjesh parlamentare.

Kolonel Hysni MULLALLI