“Puna gdhend portretin e njeriut”

718
Sigal

Luan Shahu, specialisti vizionar, që i ka dhënë shumë bujqësisë shqiptare

Po e themi që në fillim se Luan Shahu është një nga figurat e shquara të shkencës sonë bujqësore, një nga profesionistët më të mirë të saj. Shkollën  fillore dhe unike ai e kreu shkëlqyeshëm në vendlindje në Gjirokastër. Fill mbas mbarimit të shkollës 7-vjeçare familja transferohet ne Tirane, ku krahas problemit te sistemimit, preokupim ishte dhe shkollimi i djalit. Luani me dëshirën e tij filloi dhe për një vit vazhdoi Politeknikumin, por papritur në vitin e dytë verbalisht urdhërohet të vazhdojë Teknikumin bujqësor dhe kjo për arsyen  e vetme se rridhte nga një familje me origjinë tregtare. Megjithëse pa dëshirë, në mbarim notat ishin me vlerën më të lartë. Epo nuk thonë kot se çdo e “keqe” ka dhe të mirën e saj. Në vitet e para pas lufte, u hapën mundësi për studime në vende të tjera me gjendje e nivel shumë më të zhvilluara. Kështu, në kontingjentin e parë të studentëve, për t’u përgatitur jashtë nuk kishte si mos përfshihej edhe nxënësi i shkëlqyer me prirje matematike Luan Shahu. Në Hungari, në një grup me shokë të tjerë filloi studimet në Universitetin Bujqësor të Budapestit. Studimet universitare Luani i përfundoi me shumë sukses dhe, për më tepër, duke lënë emër për aftësitë e tij në fushën e mekanizimit. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1955 kthehet në atdhe dhe emërohet në Stacionin e Makinave e Traktorëve (SMT) të Tiranës. Veç punës së zyrës atë e hante meraku për atë që kishte studiuar, tokën dhe bimën. Toka në Shqipëri në kushtet e një bujqësie primitive ishte e pa sistemuar, e pa trajtuar shkencërisht, ndaj më parë duheshin studime, e mandej aksione konkrete. Një element tjetër në bujqësi është uji. Ujë kishte, por ai ishte larg parcelave dhe derdhej kot, ndërsa kishte fusha të ngopura me ujë, moçalore që duheshin tharë. E gjithë puna ishte krijimi i një regjimi optimal dhe shëndetësimi i tokës. Projektin që kishte në kokë, e hodhi në letër dhe me kompetencë shkencore skicoi rrjetin e kanaleve kullues, kolektorët kryesorë, kanalet e para, kanalet e dyta dhe derdhjet. Për të shpëtuar përmbytjet e fushës nga ujërat e kodrinoro-malore u mendua  dhe u ndërtuan kanalet e pritjes të ujërave të larta. Ne karakterin e tij po zinte vend  personaliteti  i të thënit, por më shumë të të bërit. Për të siguruar një regjim sa më optimal të lagështisë në tokë, një ndikim kishte dhe sistemi i punimit te skolinave më zgjedhje, punim kurriz peshku për ato më të lagëta dhe punim i sheshtë për ato që duhej ruajtur në maksimum lagështia. Po në kodër? Nevoja për të grumbulluar ujëra nga shirat atëherë vetëm punimi në drejtim të izoipseve do të qe zgjidhja. Të gjitha sa u thanë Luani me insistim i drejtoi dhe i materializoi ato në shumë ekonomi dhe rrethe të vendit si Tiranë, Krujë, Durrës dhe deri në Sarandë e Tropojë. Që kjo përvojë të ndihmonte  dhe të zbatohej nga vetë specialistët e çdo ekonomie, ai si bashkautor me specialistin e shquar Andrea Shundi botojnë një libër me vlera  shumë praktike për sistemimin e tokave. Për çdo gjë të re që kërkonte të bënte Luani, asnjëherë nuk e la lapsin pajisjeve. Lapsi i Luanit ka qenë i pranishëm kudo dhe kurdoherë, ku duhet të tregohej se çfarë duhej bërë dhe cili do të ishte  rezultati ekonomik i pritshëm, sidomos kur punoi në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Komisionin e Planit të Shtetit. Me shumë preokupim dhe profesionalizëm trajtoi  proceset që ndihmonin përmirësimin e teknologjive të prodhimit kur kaloi e punoi si drejtor i Stacionit Qendror te Mekanizimit në Tiranë, institucion i ideuar dhe i organizuar nga vete ai. Dy ishin problemet me një efektivitet ekonomiko-financiar me peshë. Mekanizimi i mbjelljeve me precizon dhe  ujitja  me shihedhësa. Me mbjelljen me precizon siguronte përdorim me nikoqirllëk të farërave te zgjedhura që veç  anës financiare, kishte dhe vlera cilësore gjenetike te pa llogaritshme. Me tej, mendimi shkonte se kjo formë mbjellje hapte rrugë dhe lehtësonte mekanizimin e shërbimeve si kultivimi, spërkatjet, ujitjet e tjera. Të llogaritura përfitimet ekonomiko-financiare si në shkalle ekonomie e në shkallë vendi ishin me goxha peshë. Në vëmendje kaloi ujitja dhe format më të leverdishme dhe më të kursyera. Për një zgjidhje sa me racionale Luani u konsultua me literaturën e fundit. Pas një konsultimi me to mendoi të fuste e përdorte ujitjen me shi hedhes. Nuk u desh shumë kohë që të realizoheshin sasitë e para për të shpejtuar realizimin eksperimentalisht në një, dy ekonomi  me misër. Rezultati foli për shifra që të entuziazmonin. Për t’u përgjigjur dhe mundësuar zgjerimin e përdorimit të kësaj metode duhej të merreshin edhe masat e nevojshme për bazën materiale. Për futjen në sistem kërkohej dhe miratimi nga lartë. Për t’i dalë para këtyre situatave Luani me gjithë ministrin e asaj kohe, Pirro Dodbiba, menduan që në Sukth ku do të demonstrohej eksperimenti të thirreshin të gjithë drejtuesit  e ekonomive. Nga demonstrimi dhe gjendja e bimëve  u mrekulluan pjesëmarrësit, bashkë me ta dhe vetë kryeministri Mehmet Shehu që kishte ardhur në atë mbledhje. Për vlerat si drejtues flasin qarte rezultatet që u arritën në periudhën që ai ushtroi aktivitetin si shef i bujqësisë  dhe që vazhduan e u konfirmuan në rritje edhe në pozicionin e zv/kryetarit të Komitetit  Ekzekutiv që mbulonte bujqësinë e tregtinë për Tiranën. Ne këto vite Luani drejtoji organizimin e përqendruar e të specializuar të prodhimit të perimeve të freskëta, ku rezultatet u ndien menjëherë nga vetë konsumatori. Përmirësimi në rritje u ndje më shumë me zgjerimin e sipërfaqeve të mbuluara si, serrat me xhama me ngrohje, importuar nga Holanda dhe diellore dhe me masive serrat e mbuluara me polietilen. Kjo situatë  për muajt qershor dhe korrik krijuan që prodhimi i domates dhe kastravecit të freskët të ishin për herë të parë mbi nevojat e tregut, duke bërë të mundur eksportin me rreth tridhjetë për qind të sasisë. Mbulimi edhe i tregtisë nga Luani pati arritje sidomos për ardhjen sa më afër konsumatorit dhe shërbim me kulturë,  përmirësimi i shërbimit, ndërtimi i blloqeve të dyqaneve për çdo lagje me parametra bashkëkohore për shitje të perimeve dhe frutave.

E pashë me vend që së pari të flisnim për vlera si  specialist, se në mendjen e njerëzve në rrethin e Tiranës ka mbetur një burrë me personalitet dhe drejtues shumë i aftë, ku spikati si kryetar në kooperativën e Baldushkut të Tiranës, shef i bujqësisë dhe zv/kryetar i komitetit ekzekutiv. Edhe sot e kësaj dite ai ka mbetur si dikur, serioz, një burrë që di çfarë flet, e çfarë bën, përmbajtur, autoritar dhe zemërmirë. Luan Shahu, në gjithë karrierën e tij nuk e ka njohur lepe-peqen. Në të gjitha konferencat kombëtare, seminaret, konsultat apo analizat që mbaheshin e drejtoheshin nga pushtetarët e lartë ra në sy kompetenca e lartë shkencore, që shumë drejtues të lartë ia njohën dhe ia vlerësuan. Kështu, p.sh,  Abdyl Këllezi, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe një ekonomist kompetent që mbështeste futjen e të rejave në ekonomi, konsultohej shpesh me të. Po kështu marrëdhënie të mira dhe frymë mirëkuptimi kishte edhe me Koço Theodhosin, ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave për mekanizimin në bujqësi. Si mund ta vlerësosh ndryshe qëndrimin e tij të prerë, se tufëzimi duhet të bëhej vetëm kur të sigurohej baza ushqimore, me plane të detajuara dhe jo kuturu, siç u bë. Qëndrimin e tij për këtë çështje ai e mbrojti përballë komisionit të ardhur direkt nga Komiteti Qendror i Partisë, i drejtuar nga një anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Sekretariatit, pasi në rrethin e Tiranës për procesin e  tufëzimit kishte zvarritje. Këtë e tregon edhe telefonata e bërë nga zyra e tij në pushimin e takimit, nga sekretari i parë i Tiranës, Foto Çami direkt me njëshin e Shqipërisë, Enver Hoxhën. Kur i tha Fotua Enver Hoxhës se ç’mendim kishte Luani, ai i tha se Luani ka të drejtë dhe ata të tjerët të kthehen nga janë nisur. Duhet të pranojmë se si në gjithë Shqipërinë fenomeni “tufëza dhe arëza” shkatërruan ekonominë shqiptare, jo me pak edhe në Tiranë. Përgjegjësia ishte një e vetme, orientimi i pa menduar dhe çmendurisht i zbatuar. Përgjegjësi që populli e di mirë si e nga kush erdhi, por ende dhe sot nuk i është kërkuar falje. Me përgjegjësi dhe me kompetencë Luani drejtoi dhe ndërmarrjen e tregtisë së jashtme “Agro-eksport” për vitet 1986-991, periudhë e vlerësuar me arritjet më të mira, e krahasuar me vitet e mëparshme. Në këtë kohë për herë të parë në Shqipëri me iniciativën e tij në bashkëpunim me Bankën Kombëtare u organizua këmbimi valutor. Ne vitet e demokracisë ishte i pari që organizoi biznesin e parë privat për eksportin e bimëve mjekësore që për një dekadë u konsiderua nga me të suksesshmit.

Shkencëtar, por edhe këngëtar dhe kitarist

Në vitet e rinisë së bashku me baritonin e shquar Shuaip Kripa u pikas si një zë me të ardhme. Këndoi, dhe, megjithëse i suksesshëm, u detyruar dhe ndoqi rrugën e bujqësisë që në fakt iu bë shumë e dashur. Gjatë viteve studentore në Budapest u inkuadrua në një grup muzikor ku ka kënduar me sukses, duke marrë duartrokitje. Edhe sot në moshë të thyer, zëri i tij muzikor të sjell kënaqësi. Nuk e teprojmë se këtë kënaqësi pati rastin ta ndjente këto ditë në një rreth të ngushtë shoqëror dhe i madhi tenor Kastriot Tusha. Me respekt të veçantë kujtohet prezenca dhe mbështetja që ka dhënë në vitet 1979 e deri 1988 si kryetar i zgjedhur në klubin e futbollit të Tiranës, si për  mbarëvajtjen problemeve të sportit, por dhe nevojave e halleve të sportistëve. Me shumë respekt dhe dashuri vazhdojnë ende takimet shoqërore, sidomos me futbollistë të mirënjohur të Tiranës dhe Kombëtares si, Ali e Sul Mema, Millan Baçi, Agustin Kola dhe i madhi, tanimë i ndjeri Enver Shehu.