Dilma Rousef, socialistja që po e bën Brazilin, superfuqi të Amerikës

512
Sigal

Presidentja socialiste, megaplan 5-vjeçar prej 66 miliardë dollarësh, për të mbështetur punësimin e qytetarëve

Gazeta “Telegraf” ditë më parë publikoi iniciativën “revolucionare”, juridike të presidentes aktuale të Brazilit, Dilma Rousef (ish-guerrilase komuniste dënuar me tre vjet burg nga kolonelët në vitet 1970, pasi u kap në flagrancë me armë dhe trakte komuniste), për t’u ulur ditët e burgut të burgosurve, nëpërmjet leximit të librave në burg. Amerikanët dhe Perëndimi këtë iniciativë revolucionare të presidentes braziliane, jo vetëm e propaganduan, por po kërkojnë ta aplikojë duke thyer kornizat e vjetra të ligjeve shtypëse dhe të izolimit total të njeriut me ndëshkim ligjor. (Shiko “Telegraf”). “Kjo është njëra anë, madje më e parëndësishme, për vendin tim, Brazilin”, – deklaroi ish-guerrilsja komuniste, tani presidente e vendit,- ana tjetër, më kryesorja, është industrializimi i plotë i vendit me plan pesëvjeçar, ku synimi është mbajtja e ritmeve të zhvillimit, eliminimi zero i borxheve, dhe punësimi me plan qeveritar e rajonal i gjithë qytetarëve… Ne kemi shumë mundësi!”. Të duket një çudi, një paskohë që dikur e kemi parë e prekur, pastaj e kemi anatemuar e më në fund prishur (fabrika, uzina, kombinate ) gjer dhe zhdukur ne shqiptarët, për interesa meskine private, politikë skandaloze antikombëtare neoliberiste. Por jemi në Brazil. Në Brazilin e mrekullisë botërore të futbollit dhe karnavaleve festive. Tashmë edhe të bumit e zhvillimit të pandalshëm e të projektuar nga qeveribërësit kompetitivë brazilianë. E thotë kushdo, këtë, madje shtypi amerikan dhe ai perëndimor europian ka hapur dyfaqëshe të tëra, për të kuptuar se gabimet e deritanishme, të rënda, spekullative, të pamoralshme, gjer dhe kriminale të shumë qeveritarëve neoliberistë, duhen flakur tej nga qytetaret duke i ndëshkuar rëndë, për çfarë i kanë bërë ekonomisë dhe popujve të tyre.

* * *

Brazili është në progres të pandalshëm. 66 miliardë dollarë të shpallur nga presidentja Dilma Rousef, janë vërtet tronditëse për të gjithë. Dhe nuk është Eurozona në krizë që e lëshon këtë sfidë, as individë të rinj që vetëm kanë bërë takime, shkruan me shpoti shtypi, si Holande, Monti, Rajoi, Samaras. “Maximano ra, – shkruan gazeta e madhe italiane “La Repubblica” (e shtunë 18 gusht 2012, fq.9), për të rinisur punësimin është ‘Made in Brazil”. Këtë e ka shpallur vet presidentja Dilma Rousef. “Është një plan i jashtëzakonshëm”, shkruan gazeta franceze “Le Monde”, për të kundërvepruar edhe ngadalësimin dhe komën e ekonomisë kapitaliste botërore. “La Repubblica” nuk harron të shtojë ndërkohë se. “edhe kryeministri kinez, Ëen Jiabao, ka “akorduar” mundësinë e një “stimuli të ri”, një ndërhyrje injektuese në investimet publike dhe rritjen e konsumit të brendshëm, për të kompensuar frenimin e eksporteve ‘Made in China”, në vendet e eurozonës, sepse, natyrisht janë në komë. Ç’po ndodh me neoliberalizmin ideatorët dhe vepruesit e tij spekulatorë, (në kurriz të ekonomive dhe popujve)? Dihet, po pranojnë dështimet dhe falimentimet. Greqia, Spanja, Portugalia, Qipro, Italia por dhe ato më të planizuarat si Gjermania, Holanda, Norvegjia, janë në frenim dhe rënie drastike. “Dështimi i neoliberalizmit”, shkruajnë ekonomistë nobelistë si Krugman apo Stiglitz. – është arsyeja përse ‘të majtët dhe shumë ekspertë të shquar të tyre flasin për një rikthim të politikave ‘keynsiane’, për të mbështetur zhvillimin. Dhe të vetmit që po e praktikojnë janë vendet emergjente. “La rivincita di John Maynard Keynes parte da Brasile” (Fitorja e re e J.M.Keynes, niset nga Brazili/ “La Repubblica”, 18 gusht 2012). Arsyetimet pse ndodh kështu, nuk janë tabu sekrete, për të mos i mësuar.

* * *

“BRICS”, (klub i potencave të reja botërore:Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut) kanë edhe resurse ekonomike, për tu zhvilluar, shumësi kapitalesh dhe financa publike më të zgjeruara se sa vendet e BE-së. Kanë edhe vullnetin për t’u gëzuar kur e projektojnë. Nga “BRICS”, në të vërtetë është nisur revolta kundër neoliberalizmit tunel, dhe “Austerity” (kursimeve të rrepta). Dhe fleksibiliteti ideologjik bashkon socialdemokracinë braziliane me atë indiane. Plani pesëvjeçar prej 66 miliardë dollarësh të shpallur nga presidentja Dilma Rousef, synon të përshpejtojë ritmet e zhvillimit dhe modernizimit në infrastrukturë. Ja,detyrat e planit 5-vjeçar: “Do fillojmë së pari me hekurudhat, dhe rrugët, në vazhdim me portet, aeroportet, kanalet kulluese, rezervuarët e ujit, fabrikat e prodhimit dhe përpunimit, hidrocentrale në bashkëpunim vëllazëror me Kinëen”, – deklaroi presidentja socialiste e Brazilit. Dhe ish komunistja guerrilase, sot socialiste, nuk është dogmatike e teorive të vjetra opresioniste, staliniane. Tek Marksi gjen solidaritetin dhe kirurgjinë aplikative për një sistem të ri humanitar, tek Keynes, modernizimin aplikativ teknologjik duke balancuar punësimin e njerëzve me rritjen e prodhimit dhe shkurtimin progresiv te orëve të punës… duke tatuar progresivisht ndërmarrjet, koperacionet dhe individët. Presidentja nuk është dogmatike, me iniciativë të saj janë vënë në ankand koncesionet qeveritare mbi rrugët, rrjeti i emergjencës ekonomike të hekurudhave,energjisë elektrike dhe pyjeve. Është ky mentalitet i ri qeverisës që nëpër portet e Brazilit të gjesh kontejnerë që mbushen me prodhime dhe pas disa ditësh kontejnerët brazilianë t’i shohësh të zbrazen ne SHBA apo Europë, duke marrë Brazili dyfishin e vlerësë së kontejnerëve që vijnë nga Kina. Cilësia e mallrave është edhe shqetësim i presidentes që këtë element e konsideron shumë të rëndësishëm, njëlloj si prestigji kombëtar kur Brazili luan futboll për Kupën e Botës. Prestigji kombëtar duhet respektuar edhe në cilësi dhe paketimin e mallit më të thjeshtë.

* * *

“Nga e diela që shkoi, jemi ne kombi i Olimpiadës!”, tha ajo, për t’u kujtuar qytetarëve dhe sportistëve cilësorë brazilianë, afatin e kohës së lojërave të mëdha që kanë limit Botërorin e futbollit më 2014 dhe Lojërat Olimpikë në vitin 2016. Natyrisht janë dy ngjarje të mëdha që i imponojnë ish-guerrilases komuniste, sot socialiste dhe presidente e Brazilit, hap të madh zhvillimi përpara, punësim të gjithë shtetasve,për të mbërritur në nivel të lartë jetese dhe zhvillimi, si në futboll. Dhe në vitin që Dilma u zgjodh presidente, Brazili patì rritjen më të lartë të GDP-së, 7 për qind, kurse vitin e kaluar ishte vendi i parë që ndjeu mbi shpatulla krizën e rendë të kapitalizmit informal, dhe rritja e tij u frenua në 2.7 për qind. Këtë vit parashikohet  të rritet në 2 për qind. Një performancë shumë dinjitoze, për çdo vend europian, shkruan shtypi edhe pse presidentja e di mirë se “193 milionë banorët brazilianë duhet t’i ngremë shumë shpejtë në nivel jetese të kënaqshëm”. “Trajektorja e zhvillimit ekonomik duhet të kapë shifrën, për çdo vit 4.5 për qind rritje që, objektivat tona pesëvjeçare të kenë mbështetje masive! Nuk është e pamundur nëse lufton fort për vendin tënd dhe njerëzit e tij!”

Recetat që ish-komunistja zbaton në Brazil, bëjnë të kruajnë hundët shumë puristë. “The Economist’, “Le Monde”, “La Repubblica”, etj., u kushtojnë një koment shumë kritik politikave të nisura nga (ish-presidenti) Lula da Silva, duke stigmatizuar “ngritjen e rrogave dhe pensioneve shume më lartë se taksa inflacioniste”. Por, pikërisht nga rritja e rrogave të punëtorëve dhe pensioneve, që Lula hapi “kantierin e ndërtimit”, me një dalje nga varfëria të 20 milionë qytetarëve brenda 10 vjetëve.

* * *

Origjinaliteti i politikave dhe eksperimentimeve braziliane kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare. Një fat i ri i ka trokitur në derë ish-komunistes guerrilase, e cila nxiti dhe financoi menjëherë kërkimet për naftë e gaz dhe suksesi, si kurrë tjetër njeriu i buzëqeshi: Brazili gjeti rezerva kolosale nafte në thellësi të detit dhe që në pak vjet do ta bëjnë “Arabinë Saudite të Amerikës” (“La Repubblica”). Kompanitë që do hyjnë për nxjerrjen e naftës, të vendit apo të huaja do të përballen me kërkesat për kushte pune dhe pagë të lartë për naftëtarët, siguron presidentja. Në nivel perspektiv qeveria e Brazilit ka investuar drejtpërdrejtë në ndjekjen e universiteteve jashtë vendit prej studentëve braziliane, të cilëve të gjithëve u garantohet punësimi dhe paga e lartë në ndërmarrjet braziliane. “Brazili është një laborator i proteksionizmit të inteligjencës, dhe këtë detyrë e realizon shteti, duke ndërhyrë për”preferencë kombëtare”, që inteligjenca e vërtetë të mos braktis vendin, duke i dhënë përgjigje një kritike të “Ekonomist”. Rifitorja e Keynesit fillon me “BRIKS”-in, por mbështetet edhe në balancimin e ekuilibrave të vendeve. Vendet në zhvillim kanë një raport më të mirë me financat publike. Kina ka një raport deficit-GDP, 2.4 për qind; Brazili 2.8; Kolumbia 1.7, një nivel i kënaqshëm; Kili është më i miri, dhe ka aktiv bilancin 1.5 për qind të GDP-së. Eurozona mesatarisht negativ: deficiti, 3.4, me rekord Greqinë që e ka 8 për qind të GDP-së (Lexo spanjollen “El Pais”) dhe 6.6 Spanja. SHBA, me deficit 7.6 për qind e prodhimit vjetor. “BRIKS” duket qartë, nisen nga një avantazh i admirueshëm, fryt i leksioneve antiberalizëm, marrë në të kaluarën. Pas planit të presidentes braziliane, deklarimeve të kinezit Ëen Jiabao, indianit Manmohan Sing, është kërkesa për një zhvillim të ri, bazuar mbi kërkesën e brendshme: investime publike dhe rritje të konsumit të familjeve. Këtu qëndron edhe strategjia fort e besueshme në Brazil e planeve pesëvjeçare të presidentes socialiste, Dilma Rousseff.

Për “Telegraf” nga Italia