Klodi Stralla: Gallofi, gallofë bën! Shqiponja, shqiponja bën!

18
Sigal

Një ngjarje e jetuar.

Ngjarja që do t’iu tregoj ka ndodhur realisht në fillim të viteve ’60-të në Pazarin e dikurshëm të Korçës dhe mund të kuptohet e shijohet më mirë prej korçarëve të brezit tim, por gjithsesi mesazhi që përcjell mbetet aktual edhe për më të rinjtë e ditëve tona.

Im atë e kishte zakon që kafen ta pinte shpesh tek kafeneja e Pellallit, që ishte afër me zyrën e tij avokatore. Kështu njihej kjo kafene në Korçën e atyre viteve, për shkak të emrit të pronarit të saj. Ishte e vendosur në të djathtë të rrjedhës të lumit të dikurshëm të qytetit, në hyrje të Pazarit, në një godinë të vjetër njëkatshe, me një sallë të gjatë, ku vargëzonin dy rreshta tavolinash dhe përballë tyre një banak druri, ku qendronte vetë zoti i lokalit – Taqo Pellalli. Përbri kësaj godine ishte hani i Llambi Madhit dhe përballë një tjetër kafene, ajo e Ndrios (Zallëmit). Një rrugicë e ngushtë me kalldrëm lidhte rrugën qendrore të Pazarit me këto lokale shërbimi. Sot e gjithë kjo pjesë e Pazarit, në të djathtë të rrjedhës të lumit, që dikur quhej “Varoshi i poshtëm”, është rafshuar mbas viteve ’70-të.

Unë aso kohe isha një fëmijë 10-12 vjeçar tepër kureshtar dhe kjo qe arsya që im atë më merrte shpesh me vehte, me qëllim të njihja këtë pjesë të qytetit, që shërbente si Pazar (Treg). Aty ende gjallonin të gjitha llojet e zanateve të kohës: hanet e shumtë që luanin rolin e hoteleve të sotme, zejtarët si, samarxhinjtë, jorganxhinjtë, kujunxhinjtë, bakërxhinjtë, hekur-punuesit etj, janë shumë t’i përmend të gjithë, që përfundonin me Sallahanën, vendin ku bëhej therrja masive e bagëtive, në dalje të qytetit. Për të mos ta zgjatur, Pellalli ishte një burrë rreth të 50-ave, me shtat mesatar, fjalë-pakët, por me një humor të hollë, dashamirës dhe thumbues. Si tani më del para syve me atë mësallën që e mbante gjithmonë gjatë punës, me atë buzëqeshjen e ëmbël e të sinqertë ku, duke më përkedhelur flokët, më jepte ndonjë stapkë sheqeri nga ato të sheqerxhiut fqinj Gaqo Cicit, si djalit të Nikos, mikut të tij të vjetër.Frekuetues i regullt i lokalit të tij ishte edhe Llaskoja, kështu e quanin. Edhe sot nuk e di me saktësi se cili ishte emri i tij i plotë, mbase Llazar ose Llazi. Kishte qenë dikur hajdut ordiner, pastaj atentator në njësitet guerrilje të qytetit dhe e mbante veten si njeri i Luftës. Në vitet e para të pas luftës, në kohën e Koçi Xoxes, kishte qenë në Sigurimin e Shtetit. Në kafene fliste me zë të lartë, enkas që ta dëgjonin të tjerët dhe tregonte ndodhi dhe episode nga koha e lavdishme kur vrisnin armiqtë e popullit ose grabisnin pasurinë e qytetarëve të nderçëm.

Një ditë jave, kur posa hymë me tim atë në lokal, Llaskoja u ngrit nga tavolina ku ishte ulur, ju hodh në qafë tim eti, duke i thënë me zë të lartë lloj-lloj fjalësh lavdëruese. Kuptohej që e kishte një hall. Pastaj i thotë babait që “dua të bisedoj me ty si avokat sepse djalin ma kanë arrestuar padrejtësisht në flagrance si hajdut ordiner në një lokal aty pranë”.

Përbetohej me zë të lartë se djali i tij nuk ishte nga ata që bënin veprime të tilla të ulta, se ai ishte edukuar në familje me frymën dhe mësimet e tij (Llaskos) proletare, që gjithë jetën i kishte shërbyer fukarasë, popullit të thjeshtë, për të cilin shpesh kishte rrezikuar edhe jetën. Si mund të vidhte djali i një njeriu si ai?!Pellalli e dëgjoi të gjithë biseden dhe, pa ju drejtuar atij personalisht, ja priti me zë të lartë:

– Gallofi, gallofë bën! Shqiponja, shqiponja bën!

Të gjithë sa ishin aty e kuptuan nëntekstin e tij dhe ja dhanë gazit. Edhe Llaskoja gjithashtu e aprovoi buzagas por për arsye tjetër. Ai e mbante veten për shqiponjë, ndonse e kaluara e tij ishte e gjitha kriminale, si e një gallofi ordiner.

Me siguri, edhe shumë nga këta pushtetarët e rinj që po akuzon dhe arreston tani SPAKU për korrupsion (lexo; vjedhje) prindërit e tyre duhet t’i kenë pasur të ngjashëm me Llaskon.