Klodi Stralla: Europa e sotme (BE) dhe ish Perandoria e Karlit të Madh

56
Sigal

Dyshoj se në 2030-ën, kur Rilindasi ynë premton ta futë vendin në BE (pas mandatit të pestë), ajo do të jetë shumë më e ndryshme nga sa është sot dhe ka shumë pak gjasa që të pranojë në gjirin e saj shtete të tillë jo funksionalë si ky i yni. Dikur Adolf Hitleri habitej se si mund të shndërrohej në gjerman dikush nga Afrika e zezë që mbante një Pasaportë gjermane…

Vizita e njoftuar e Km italiane Meloni në SHBA për të negociuar me presidentin Trump tarifat e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve (Itali-SHBA), jashtë kuadrit të BE-së ku Italia bën pjesë, ngerthen edhe njëherë heterogjenitetin ekonomiko-politik të kësaj strukture të themeluar shtatë dekada më parë që të gjithë e njohim si Bashkimi Europjan. Koha provoi se “Europa gjeografike”, nga Atlantiku në Uralet dhe “Europa qytetërimore” nuk janë e njëjta gjë.

– Kanë kaluar plot 1210 vjet nga vdekja e Karlit të Madh, personit që për herë të pare, pas rënies të Perandorisë Romake të Perëndimit, realizoi një bashkim politik shumëkombësh, që sot identifikohen si francezë, gjermanë, belgjianë, holandezë, italianë, zviceranë, austriakë, sllovenë e kroatë, që Historia e njeh si Perandoria e Karlit të Madh.

– Një synim i tillë përbashkues popujsh u përsërit pas 1000 vjetësh (1804) nga një tjetër stërnip i tij, perandori Napoleon Bonoparti, perandoria e të cilit ishte përafërsisht ajo e Karlit të Madh.

– Në shek. e 20-të, fillimisht nën Hitlerin dhe mandej, pas Luftes të dytë botërore, synimi përbashkues, për një Europë si njësi të unifikuar ekonomiko – politike u inspirua përsëri nga stërnipërit e tij, francezi Robert Schuman dhe gjermani Konrad Adenauer.

Europa gjeografike është një hapësirë që shtrihet nga Atlantiku në Uralet dhe nga Deti i Veriut në Detin Mesdhe. A mund të bëhet kjo hapësirë gjeografike edhe një hapësirë politike e unifikuar?

Ithtarët e Europës të bashkuar thonë po, sepse Europa (BE) është një bashkim vlerash të përbashkëta, pavarësisht gjuhëve, etnive, kulturave dhe historisë të ndryshme të gjithsecilit, shpesh edhe konfliktuale. Dy luftërat botërore të shekullit që shkoi ishin luftra europiane. Sot motoja e saj është – Unitet në Diversitet.

Çështë e vërteta, falë këtij programi emancipues, Europa nuk ka njohur luftra për afro 70 vjet dhe mirëqenia e gjithsecilit është rritur ndjeshëm nga qarkullimi pa pengesa i kapitalit, punës, ideve dhe kulturave të gjithsecilit. Projekti fillestar (1950), që ish në kufijtë e ish perandorisë të Karlit të Madh, pësoi dy zgjerime të mëdha: njërin nga Blloku lindor komunist dhe tjetrin nga Ballkani, dy rajone që historikisht kanë pasur diferenca të ndjeshme ndaj botës perëndimore, si në ekonomi, kulture ashtu edhe në besime fetare. Ky zgjerim përtej ish Perandorisë të Karlit të Madh ka sjellë dobësi, konflikte, deri edhe vënien, sot, në pikpyetje të vetë projektit fillestar përbashkues.

Cilat duhet të jenë kufijtë natyrorë të BE-së për të qenë një njësi ekonomiko-politike funksionale në dobi të të gjithëve? Këtu fillon e mbaron dilema që po torturon ekonomistët, politikanët, historianët dhe njerëzit e kulturës, të 15 antarëve të parë themelues.

Për mua, modestisht, BE-ja funksionale dhe e dobishme mund të jetë vetëm ajo që përfshin sot vendet e ish Perandorisë të Karlit të Madh, përndryshe rrezikon të shpërbëhet. Jo më kot ripërtritja e “Traktatit të Miqësisë” franko-gjermane u nënshkrua në Aachen, në ish kryeqytetin e Karlit të Madh disa vite më parë.

Dyshoj se në 2030-ën, kur Rilindasi ynë premton ta futë vendin në BE (pas mandatit të pestë), ajo do të jetë shumë më e ndryshme nga sa është sot dhe ka shumë pak gjasa që të pranojë në gjirin e saj shtete të tillë jo funksionalë si ky i yni. Dikur Adolf Hitleri habitej se si mund të shndërrohej në gjerman dikush nga Afrika e zezë që mbante një Pasaportë gjermane…

 

^^

Në hartë ish Perandoria e Karlit të madh (viti 800 e.r)

^^^^^^^^